Alimehmeti: Kam qenë gjithmonë pro listës së hapur. Kryesia duhej të shpjegonte vendimin

Një nga më të votuarit në Primaret e PD-së, por mjeku i nderuar Ilir Alimehmeti u la jashtë listës së mbyllur për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Alimehmeti i ftuar në studion e ”Klan News”, tha se është gjithmonë pro listave të hapura.
”Unë kam qenë gjithmonë pro listës së hapur edhe në total. Kur në korrik u vendos reforma zgjedhore ashtu siç u vendos me këtë listën e hapur, listën e mbyllur e me rradhë, shumë qartë kam thënë ka qenë jashtë pritshmërive të njerëzve dhe patjetër edhe për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ishte pro listës së hapur ku de fakto hapi listën dhe ligji pastaj në Korrik u vendos ashtu siç u vendos, por këto janë rregulla loje, pra ne një ligj mund të na pëlqejë ose jo, mua nuk më pëlqente. Unë e doja krejt të hapur, por megjithatë ne do t’i zbatojmë ligjet, pra jemi në një parim ku sundon shumica dhe duhet t’i bindesh asaj gjëje”, tha Ilir Alimehmeti.
Alimehmeti gjatë fjalës së tij shprehet se atij i pëlqejnë sfidat e vështira, teksa listën e hapur e ka quajtur sfidën e rradhës për të. Mes të tjerash, Alimehmeti thekson se Kryesia duhet ta shpjegonte më qartë se pse morri këto vendime.
”Unë mendoj që lista e hapur na sjell më shumë drejt demokracisë që njerëzit kanë nevojë. Në momentin që ajo u bë ligj, atëherë duhet ta zbatosh. Në këtë kontekst patjetër e bën më të vështirë çështjen e listës së hapur. Lista e mbyllur është më e sigurtë, jemi shumë dakord këtu, por mua më pëlqejnë lojrat e vështira. Unë gjithmonë kam pasur interes dhe kam parë sfidat e vështira dhe ju kam dalë përballë, me Covid e me rradhë. Lista e hapur është sërish një sfidë e vështirë, nuk e diskutoj. Lista e hapur është meritokraci e plotë”.