Alma Hicka: Mbrojtja e pronës, institucionet në një front të vetëm

 

Avokatura e Shtetit është institucioni që do të ketë një peshë kryesore në çështjen e mbrojtjes së pronës në Shqipëri.

Në një intervistë për ATSH-në, Alma Hicka, Avokate e Përgjithshme e Shtetit, shjegon rolin e institucionit që ajo drejton në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim ndërinstitucional kundër abuzimit me pronat, e nënshkruar më 29 gusht në Vlorë.

Marrëveshja, sipas saj, shënon daljen në një front të vetëm të institucioneve, kundër abuzimit dhe padrejtësive me pronat.
“Kjo marrëveshje synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional, në mënyrë që padrejtësive të bëra gjatë këtyre viteve nga subjekte të caktuara, duke përdorur dokumente të fallsifikuara, t’iu mbyllet rruga. Të gjitha institucionet duhet të dalin si një front i vetëm kundër atyre, të cilët kanë abuzuar në marrjen e pronës. Prokuroria nga ana e saj do të veprojë në kuadrin penal, ndërsa Avokatura e Shtetit do të veprojë në rrafshin civil. Ndërkohë që Prokuroria do të bëjë hetime, Policia e Shtetit do të ndihmojë me ekspertizë shkencore për të konstatuar nëse një dokument është i fallsifikuar dhe më pas do të urdhërojë, sipas rastit, asgjësimin e tij. Avokatura e Shtetit nga ana e saj do të merret me pasojat civile. Në çdo proces penal më pas ka një proces civil, i cili synon të kthejë në pasurinë e shtetit atë që i është marrë si rezultat i veprës penale. Në këtë rast kemi një risi në forcimin e bashkëpunimit institucional kundër veprimeve të kundraligjshme në çështjet e pronësisë”, thotë Avokatja e Shtetit.
Megjithë interesimin e shtetit në mbrojtjen e pasurisë së tij, znj. Hicka është e mendimit se duhet përforcuar ky rol. “Ndonëse shteti ka qënë i pranishëm në mbrojtjen e pronës së tij, ai duhet të bëjë një hap përpara në këtë drejtim. Mbrojtja e interesave shtetërore duhet të përforcohet, se në fund të fundit interesat e shtetit në një gjykim janë dhe interesat tona të përbashkëta dhe gjykoj se ka nevojë për një shtysë në këtë drejtim”, thotë Avokatja.
 

Nga gjykimet, shjegon znj. Hicka, konsatojmë se ka dokumente të fallsifikuara dhe se ka problematika të tjera të kundraligjshmërisë së zyrtarëve shtetërorë, që do të përbënin një përgjegjësi penale, por këto mund të kenë ndodhur shumë herët në kohë, si në vitin 1996 ose 1997, ndaj do të ishte e pamundur për Prokurorinë të ndërhyjë me anë të një procedimi penal për përgjegjësinë e autorëve, kjo, pasi vepra penale është parashkruar, thotë ajo.

Por, thekson Avokatja e Shtetit, ajo që duam të arrijmë sot dhe që është një nga gurët e themelit të shtetit të së drejtës, lidhet me faktin, se pavarësisht se nuk do të dënohen autorët e veprës penale, ajo që përfitohet si rezultat i saj është se prona do t’i kalojë të zotit. “Në këtë sens nuk bëjmë vetëm një të mirë, që prona i shkon atij që i takon, por dhe edukohet shoqëria, se ndonëse mund të përfitosh diçka përkohësisht dhe në mënyrë të padrejtë, dikur-dikur kjo do të merret sërish mbrapsht dhe t’i nuk do e gëzosh dot. Kjo është më e rëndësishme për të parandalur në të ardhmen përsëritjen e dukurive të tilla”, nënvizon znj. Hicka.

Avokatja e Shtetit thotë se mungon një statistikë në shkallë republike për numrin e rasteve të abuzimit me pronat, por një hetim i vetëm i bërë për qarkun e Vlorës konstatoi rreth 100 raste për të cilat janë regjistruar padi në gjykatë.
“Ne nuk disponojmë një statistikë për rastet e abuzimit dhe përvetësimit të paligjshëm të pronës, por dimë që nga një hetim që u bë nga Task Forca e ngritur me urdhër të Kryeministrit, vetëm në qarkun e Vlorës sot ka 100 raste për të cilat janë paraqitur padi, tre nga të cilat janë nën hetim dhe gjykim civil, që prona t’i kthehet mbrapsht shtetit”, tha Hicka.

Duke parë këtë shtrirje në qarkun e Vlorës, vijoi ajo, ku bëhet fjalë për prona në bregdet, të lidhura më shumë me këtë proces për shkak të vlerës së tyre, krijuam idenë që kjo dukuri ka një shtrirje më të madhe se sa qarku i Vlorës. Ajo ka shtrirje thuajse gjatë gjithë bregdetit, por dhe në zona të tjera. Ndaj në këtë kuptim duhet të kishim një qasje të përgjithshme dhe jo vetëm të lokalizuar në këtë qark.

Avokatja Hicka thekson se mbrojtja e pronës do të jetë një proces në vazhdimësi, ndërsa më e rëndësishme sipas saj, nuk është vetëm ‘riparimi’ i atyre që kanë ndodhur në të shkuarën, por kryesorja është edukimi i shoqërisë për të mos përvetësuar pronën që nuk i takon.

“Kjo është një rrugë e re që po hapim sot. Nëse kjo mënyrë të punuari do të bëhet e përditshme ajo do të japë rezultate kohë pas kohë dhe nuk do të riparojë ato që kanë ndodhur, por kjo do të sjellë dhe një edukim të shoqërisë sonë që të mos ndodhin më rastet e përvetësimit të pronës”, shprehet Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, Alma Hicka, në intervistën e saj për ATSH-në.

Avokatura e Shtetit përfaqëson institucionet shtetërore gjatë gjykimit në gjykatat shqiptare dhe ato ndërkombëtare dhe në gjykimet e çështjes së pronave ka një rol determinant në mbrojtjen e interesave të shtetit

SHKARKO APP