Ambasadori Ferit Hoxha prezanton prioritetet e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit: Kemi parë abuzime masive

Ambasadori i SHqipërisë në OKB, Ferit Hoxha ka prezantuar sot prioritetet e Shqipërisë për muajin qershor në Këshillin e Sigurimit. ”Prioritetet janë të lidhura ngushtë me respektimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, marrëdhëniet e OKB-së me organizatat rajonale dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit”. Po ashtu Hoxha është ndalur edhe në debatin mbi llogaridhënien që do të drejtojë ditën e nesërme kryeministri Edi Rama.

”Presidenca Shqiptare nis me një Debat të Hapur të nivelit të lartë mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare” nën pikën e rendit të ditës Ruajtja e Paqes dhe Sigurisë. Debati i Hapur do të zhvillohet nesër, i cili do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Prania në këtë nivel tregon se sa e rëndësishme është kjo temë për Shqipërinë dhe shpresojmë edhe për të gjithë anëtarët e tjerë.

Ruajtja e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë në thelb të politikës së jashtme të Shqipërisë si dhe prioritetet kryesore gjatë mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit. Për një kohë të gjatë, ne kemi parë abuzime masive të të drejtave të njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të mbajë përgjegjës autorët e krimeve të rënda. Ne nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë”.

Shqipëria i është bashkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si anëtar jo i përhershëm ku ka marrë edhe përgjegjësinë e bashkë-penëmbajtësit me Shtetet e Bashkuara, për çështjen e Ukrainës. Edhe pse një vend i vogël, Shqipëria në Këshill ka treguar vendosmëri përkrah SHBA në udhëheqjen e këshillin me disa rezoluta për Ukrainë.

SHKARKO APP