Ambasadori Mircea Perpelea: Rumania mbështet integrimin e Shqipërisë
Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, në një intervistë për “Koha Jonë” flet për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kontributin e çmuar Rumania po jep këto ditë për të ndihmuar përballimin e situatës së krijuar nga tërmeti
Intervistoi: Entela Binjaku
Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Mircea Perpelea, në një intervistë për “Koha Jonë” flet për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kontributin e çmuar Rumania po jep këto ditë për të ndihmuar përballimin e situatës së krijuar nga tërmeti. Ambasadori Mircea Perpelea është emëruar në këtë detyrë në korrikun e vitit 2016. Ai njihet si një ndër diplomatët aktivë, me një lidhje të shkëlqyer me komunitetin, gjë e cila pohohet edhe nga vetë opinioni që e ka ndjekur aktivitetin e tij publik. Doktor i shkencave elektroteknike dhe i shkencave ekonomike, profesor në “Shkollën Kombëtare të Studimeve Politike dhe Administrative”, Perpelea është autor i 12 botimeve dhe i shumë artikujve shkencorë në fushat që zotëron. Libri i tij me titull “Duke ardhur në Shtëpi, në Evropë… nga Lindja – Mund të jetë përvoja e aderimit të Rumanisë në BE një model për Shqipërinë?” i kushtohet përvojës rumune të integrimit në BE dhe është botuar në dy gjuhë: rumanisht dhe shqip. Ndërkohë është duke punuar të edhe një tjetër botim që sërish do të jetë dygjuhësh e që pritet të trajtojë edhe dy linjën e afrimitetit mes dy popujve. Perpelea ka një përvojë 10 vjeçare (2006-2016) në drejtimin e Bankës Kombëtare të Rumanisë. Kontributet e tij në funksionet e administrimit publik lidhen me ushtrimin për disa vite të detyrës së Prefektit në qarkun “Vëlçea”. Karriera në diplomaci u zhvillua fillimisht si Konsull i Përgjithshëm i Rumanisë në Marsejë dhe më pas në Shqipëri në detyrën e Ambasadorit të Rumanisë. Detyrë që vijon ta mbajë edhe sot.
- Ambasador le të nisim nga njoftimi i Ambasadës së Rumanisë në Tiranë, për anulimin e Pritjes zyrtare me rastin e Ditës Kombëtare të Rumanisë. Si erdhi ky vendim?
Vendimi për anulimin e Pritjes Zyrtare që Ambasada e Rumanisë në Tiranë organizon në mënyrë të përvitshme erdhi në respekt të humbjeve për popullin shqiptar dhe në solidaritet të plotë me të. Përfaqësia jonë diplomatike ka shprehur gjatë këtyre ditëve intensivisht solidaritetin me popullin shqiptar. Që në ditën e parë të kësaj situate shteti rumun përcolli mbështetjen e tij me një mesazh dërguar nga Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Ilir Meta. Po atë ditë më 26 nëntor, ministri i Punëve të Jashtme z. Bogdan Aurescu i drejtoi një mesazh ngushëllimi ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë z. Gent Cakaj. Ministri Aurescu theksonte në mesazhin e tij reagimin e shpejtë të palës rumune, nëpërmjet dërgimit të menjëhershëm të një ekipi kërkim-shpëtimi, në kuadër të Inspektoratit të Përgjithshëm të Emergjencave, me pajisje dhe teknikë ndërhyrjeje, që është instaluar në Republikën e Shqipërisë me dy avionë, të venë në dispozicion nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, si dhe shprehte të gjithë gatishmërinë e vendit të tij për periudhën në vijim, sipas kërkesave të palës shqiptare. Me mesazhet e tyre bashkohet edhe përfaqësia jonë diplomatike dhe më lejoni të përcjell ngushëllimet e sinqerta për familjet e viktimave dhe për popullin shqiptar! Festa Kombëtare e Shqipërisë ishte vetëm 3 ditë larg Festës Kombëtare të Rumanisë ndaj edhe në këtë periudhë e pamë të arsyeshme që në këtë atmosferë, pritjen ceremoniale të këtij viti të mos e zhvillojmë.
Shqipëria është në një situatë të pazakontë, tërmeti ka goditur shumë vendin dhe Rumania ka qenë një ndër mbështetëset e para. A mund të na tregoni se ku ka konsistuar kjo ndihmë?
Ndihma ka qenë e menjëhershme. Qeveria Rumune, me kërkesë të Presidentit Klaus Iohannis, për përfshirjen urgjente të vendit tonë në dhënien e mbështetjes dhe ndihmës për Shqipërinë, dërgoi ekipin e kërkim-shpëtimit RO-USAR të njësisë speciale të IGSU nga MPB në mbështetje të autoriteteve shqiptare. Dy avionë C130 Hercules të vënë në dispozicion nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare transportuan ekipin RO-USAR në Shqipëri dhe 12 ton pajisje të nevojshme për ndërhyrjen. Ekipi përbëhej nga 52 zjarrfikës, të akredituar nga OKB për misione ndërkombëtare, katër qen të stërvitur për të shpëtuar jetë njerëzore dhe 2 vullnetarë të specializuar në trajnimin e qenve. Ministri i Punëve të Brendshme, Ion Marcel Vela, ishte në kontakt të përhershëm me kolonel Vasile Pirtea, drejtuesin e ekipit të shpëtuesve, një profesionist i jashtëzakonshëm, për t’u informuar për çdo nevojë apo kërkesë të specialistëve tanë dhe për t’i zgjidhur ato me shpejtësi. Paraditen e 1 dhjetorit kontingjenti i njësisë speciale rumune u largua nga Shqipëria dhe avioni që u ul në aeroportin e Rinasit për të marrë trupat rumune, solli edhe pjesën e parë të ndihmave të përbëra nga çadra dimërore, shtretër, dyshekë, batanije, çarçafë dhe gjeneratorë. Në të njëjtën ditë, në orën 14:00 mbërriti dhe avioni i dytë me ndihma, me të njëjtat materiale, ashtu si edhe ishte rënë dakord me qeverinë shqiptare, në bazë të nevojave emergjente. Vlen për tu theksuar fakti se data 1 dhjetor është Festa Kombëtare e Rumanisë dhe avioni i dytë me ndihma, po në të njëjtën ditë, para nisjes, ishte pjesë e paradës ajrore ushtarake në Bukuresht.
Sikundër edhe ju e pohuat Festat Kombëtare të Shqipërisë dhe Rumanisë janë pranë. Në këndvështrimin tuaj cilat janë lidhjet mes dy vendeve tona?
Lidhjet vijnë nga historia. Rumania ka qenë pranë Shqipërisë në çastet e saj kryesore historike si për shembull Pavarësia e Shqipërinë në vitin 1912 kur Nikolae Jorga hodhi bazën e kësaj marrëdhënieje, më tej periudha e trishtë e komunizmit ku patëm përvoja që na kanë bërë në të dyja anët të bashkëpunojmë. Komuniteti arumun në Shqipëri, luan një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve. Pas rënies së komunizmit marrëdhëniet mes nesh njohën zhvillimet të reja, u liberalizua qarkullimi i i njerëzve, mallrave etj. Të përbashkëta vijojnë edhe në këtë periudhë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kur Rumania ka shprehur mbështetjen ndaj Shqipërisë edhe gjatë 6 mujorit të mbajtjes së Presidencës së Këshillit të Evropës. Lidhjet tona qëndrojnë në mbështetjen dhe respektin e ndërsjellë, dhe në rrugën e përbashkët, drejt vlerave të forta evropiane. Shumëllojshmëria e lidhjeve politike, kulturore, shkencore dhe sa vjen e më shumë edhe ato ekonomike janë tregues i faktit se vendet tona janë pranë.
Ju jeni zëri përfaqësues i Rumanisë në vendin tonë. Cila është situata aktuale politike në Rumani lidhur edhe me zgjedhjet e fundit presidenciale ?
Po në 24 nëntor u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve për funksionin e Presidentit në përfundim të të cilit u rikonfirmua në detyrë z. Klaus Iohannis. Z. Iohannis do ta ushtrojë këtë mandat edhe në 5 vitet e ardhshme. Sa i takon aktiviteti politik rumun në gjysmën e parë të këtij vit Rumania mbajti edhe Presidencën e Këshillit të Evropës. Marrja e Presidencës ishte një ngjarje që ndodhte për herë të parë dhe ambasada e Rumanisë për këtë rast organizoi një ceremoni të posaçme që u mbajt në datën 22 janar 2019 në “Shtëpinë e Evropës” në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe Rumania tregoi një nivel të lartë përkushtimi dhe tregoi se respekton kohezionin si një vlerë e përbashkët evropiane.
Ju përmendët në lidhjen me Shqipërinë rolin e komunitetit arumun. Cili është roli i kësaj pakice kombëtare në marrëdhëniet mes dy shteteve?
Arumunët e Shqipërisë janë një pjesë e popullit shqiptar që kanë zakone, tradita dhe gjuhë të lidhur me Rumaninë. Edhe në Rumani ka një popullsi shqiptare që ruan traditat e vendit të origjinës, pra të Shqipërisë. Ne i ndihmojmë të ruajnë zakonet, traditat dhe vlerat dhe ata kanë edhe një përfaqësues në Parlamentin rumun. Rumania e trajton me shumë respekt minoritetin arumun dhe krenohet me personalitetet e tij si: Karamitru, Haxhi, Halep, Bekali etj. Kjo është një ftesë për shtetin shqiptar që edhe ai të krenohet me arumunët e Shqipërisë. Sepse asgjë nuk na ndan, dhe shumë gjëra na afrojnë. Ajo që kërkohet është vetëm respekti. Rumania ka ofruar, duke filluar nga viti 1993 bursa studimi të rinjve arumunë nga Shqipëria në të gjitha nivelet e studimit. Shteti rumun ka bërë shumë përpjekje të afrojë dy shtetet dhe dy popujt gjë e cila është shprehur edhe përmes të drejtave të studimit që ju ka akorduar fëmijëve dhe të rinjve nga Shqipëria në institucionet arsimore rumune, përmes projekteve që realizohen në Shqipëri e që janë mbështetur financiarisht nga shteti rumun. Sot shumë prej të rinjve që kanë studiuar në sistemin arsimor rumun japin kontributin dhe ekspertizën e tyre në Shqipëri.
Gjatë këtyre viteve në Shqipëri ju keni bërë shumë miq këtu, a mund të na thoni diçka rreth këtij aspekti?
Po, si ndër zyrtarë ashtu edhe jashtë tyre. I falendëroj për vlerësimin dhe respektin që kanë treguar. Miqësitë janë një hap i rëndësishëm për vijimësinë e marrëdhënieve mes nesh.