DW: Ambiciet e Edi Ramës për shansin e dytë

Programi ambicioz i kryeministrit, Edi Rama për qeverisjen e re të “Rama 2” parashikon rritje ekonomike mbi 5% deri në 2020. Por opozita e quan atë program të premtimeve boshe.

Ekonomia, rritja e kujdesit social, e investimeve në arsim dhe shëndetësi, forcim i bashkëpunimit rajonal janë shtyllat e programit të qeverisë së re të Tiranës, që kreu i saj, Edi Rama e paraqiti të hëhën, në ditën e parë të punimeve të Parlamentit të ri. “Do të kapërcejmë nivelin 5% të rritjes ekonomike në vitin e tretë të këtij mandati; do të krijojmë mundësi për 220 mijë vende pune më shumë, do të rrisim përsëri rroga e pensione, do të rrisim eksportet bujqësore, do të zbatojmë një program të madh investimesh në infrastrukturën rrugore, shkollore, shëndetësore, pa rritur borxhin publik,” tha kryeministri Rama.

Një paketë financiare prej 100 miliardë lekësh do të mundësojë një frymëmarrje të re të ekonomisë për të realizuar projekte të mëdha në infrastrukturën nderlidhese brenda vendit dhe me rajonin. Turizmi mbetet një sektor prioritar për rritjen ekonomike dhe qeveria e re do të investojë në 4 destinacione turistike kombëtare: në Alpet, Bregdetin e Jugut, portet dhe në Tiranë.

Konkretizimi i nismave rajonale të Projektit të Berlinit – faktor për rritjen ekonomike

Për rritjen ekonomike që synon qeveria e re Rama, bashkëpunimi me vendet fqinjë vlerësohet një instrument efikas. Konkretizimi i projekteve dhe nismave rajonale, të marra në kuadër të projektit të Berlinit, janë prioritare në realizimin e ambicies së qeverisë së re. Por krahas projekteve rajonale një vemendje të veҫantë marrin realizimi i nismave dypalëshe me Kosovën. Fjala është për lehtësimin e kalimit të mallrave, njerëzve, kapitaleve në të  dyja anët e kufirit dhe për bashkimin doganor.

Albanisches Parlament in Tirana (DW/A. Muka)

“Bashkimin doganor të Shqipërisë me Kosovën ta bëjmë fakt të kryer një orë e më parë, duke i kthyer doganat në portet e Shqipërisë në dogana edhe të Kosovës. Projekti është gati, i punuar, i konsultuar dhe i dakordësuar mes dy palëve në nivelin teknik. Miratimi nga ana jonë në nivelin politik është gati. Presim vetëm miratimin e Qeverisë së Kosovës” theksoi kryeministri Rama.

“Zero” probleme me fqinjët- bashkëpunim strategjik, respekt dhe miqësi të ndërsjelltë

Qeveria e re Rama synon të rrisë marrëdhëniet jo vetëm me Kosovën por edhe me vendet e tjera fqinjë. Kryeministri Rama tha se “Shqipëria dëshëron që të ketë “zero” probleme me vendet fqinjë” pa përmendur secilin prej tyre. Por ai e cilësoi Greqinë si të vetmin vend fqinj, me të cilin Shqipëria sot ka probleme. “Mesazhi im për fqinjin jugor është i thjeshtë dhe i qartë: Ne duam miqësi reciproke, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim strategjik. Për ne, çdo grek që jeton në Shqipëri është anëtar, apo anëtare me liri dhe me të drejta të barabarta i familjes sonë dhe minoriteti grek në tërësi, është një urë tejet e vyer lidhëse mes të dy vendeve dhe popujve tanë, urë për të cilën kujdesi i qeverisë dhe i shtetit shqiptar vetëm do të vijojë të rritet” tha kryemnistri Rama.

Berlin, Bundestag Lulzim Basha (DW/Auron Dodi)

Hapja e negociatave – shpresa për vitin e ardhshëm

Në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinjë ka patur tensione kohët e fundit për shkak të planit urbanistik në bashkinë e Himarës, zbatimi i të cilit përfshin edhe shkatërrimin e disa ndërtimeve të banorëve, që Greqia i konsideron minoritarë grekë. Presidenti grek Prokopis Pavlopulos dhe Ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias kanë kundërshtuar planin urbanistik të qeverisë në Himarë dhe pretendojnë që zbatimi i tij mund të bllokojë hapjen e negociatave të anëtarësimit BE-Shqipëri.

Por ndryshe nga pretendimi i Greqisë për të bllokuar këto negociata, Shqipëria pret që ato të hapen vitin që vjen. “Kjo është ajo që Shqipëria meriton. Sipas nesh është e padrejtë që hapja e negociatave të zvarritet për arsye që s’kanë lidhje me Shqipërinë” tha kryemnistri Rama.

Basha: Program me premtime boshe

Ai përmendi se Shqipëria plotësoi të gjitha kushtet e vëna nga BE dhe tani ka mbetur të shihen rezultatet e para të zbatimit të vettingut, i cili fillon më 18 shtator. Rama i bëri thirrje opozitës për bashkëpunim dhe dialog në jetësimin e programit duke theksuar se në këtë drejtim ”gjërat që i bashkojnë kanë më shumë peshë se ato që i ndajnë”. Por lideri i opozitës dhe i PD Lulzim Basha, e quajti programin e qeverisë socialiste ” sipërfaqësor dhe me premtime boshe”.

Parlamenti i ri filloi punimet e tij pas dekretimit nga Presidenti Meta të kryemnistrit Rama dhe kabinetit të tij qeverisës. Kryetar i Parlamentit u zgjodh nga deputetët Gramoz Ruҫi, me votat e maxhoranxës parlamentare socialiste por edhe 3 vota të PD, kurse deputetët e LSI abstenuan. (DW)

 

SHKARKO APP