Amendimet e reja/ Si u ndryshua procedura për emërimet në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë
Pas kontributit në reformën në drejtësi, PS propozon që të mos preket drejtori aktual të Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi
Mbrëmjen e së enjtes, pa konsensusin e opozitës maxhoranca do të miratonte e vetme edhe ligjin e konsideruar edhe si të fundit të paketës me 7 ligjet organike që vënë në zbatim edhe Kushtetutën e 21 korrikut, bëhet fjalë për projektligjin për organet e sistemit të drejtësisë.
Teksa pritet ende të vendoset nga Komisioni i Venecias, fati i ligjit të Vetingut të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, deputetja Vasilika Hysi, anëtare e Komisionit të Reformës në Drejtësi, do të depozitonte vetëm pak orë para votimit pranë Kuvendit një listë prej 104 amendamentesh për projektligjin e mbetur. Edhe pse ishte Vasilika Hysi ajo, e cila pak ditë më parë hodhi poshtë këto pretendime duke mohuar ekzistencën e një ngërçi, amendamentet e propozuara prej saj për këtë projektligj, duket se i referohen edhe atij ngërçi të krijuar e të papranuar, mbi mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë. Opozita revoltën e saj e bazoi në përfshirjen e instancave si Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ajo e Noterisë, trupa e pedagogëve të drejtësisë, ajo e Shkollës së Magjistraturës dhe shoqërinë civile, në filtrimin paraprak të kandidatëve për KLGJ-në dhe KLP-në, gjë e cila për demokratët bie ndesh me Kushtetutën e 21 Korrikut dhe të drejtat dhe liritë e njeriut në bazë të konkurrencës së lirë. Por ajo çka është sjellë në tavolinën e ligjvënësve nga deputetja Hysi përmes 104 amendamenteve, duket se verifikimin paraprak të plotësimit të kushteve ligjore nga kandidatët për antarë, ia lë në dorë një një Komisioni të ri Ad Hoc, të përbërë nga Avokati i Popullit, kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dy avokatë dhe një anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave Shoqërore. E thënë ndryshe, verifikimin paraprak të plotësimit të kritereve profesionale e personale të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij në Drejtësi, sërish maxhoranca propozon t’ia lënë në dorë, jo më Kuvendit, siç parashikohet në nenin 147 të Kushtetutës, por një organi që i paraprin vendimit kuvendor. Ishte ky një nga kundërshtitë më të forta të demokratëve për projektligjin, të cilët e shohin si të papranueshëm delegimin e tagrit të Kuvendit për verifikim paraprak të kandidatëve, në dorë të një apo disa organeve, qoftë ky komisioni i ri i propozuar në amendamentet e deputetes Hysi. Më herët kandidaturat kalonin nga Dhomat e Avokatisë, Noterëve dhe Juristëve, ku filtroheshin dhe zgjidheshin 5 anëtarë nga 10 kandidatë të mundshëm. Ndërsa me ndryshimet e miratuara nxitimthi tani do t’i duhet Kuvendit që t’i shpallë aplikimet, ndërsa filtrimin e kandidaturave do ta bëjë Komisioni Ad-Hoc, që zgjedh jo më shumë se 10 kandidatë, por kurdoherë 3-fishin e kandidaturave që kërkohen për secilin vend të ri që do të hapet. “Kryetari i komisionit të pavarur Ad Hoc i përcjell sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit një listë me emrat e kandidatëve që kanë marrë pikët më të larta, por jo më shumë se 10 kandidatë dhe në çdo rast, jo më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante”,- thuhet në amendamentet e socialistëve.
Përbërja e KLGJ dhe e KLP-së
Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë i zgjedh Kuvendi, nga radhët e juristëve jogjyqtarë. Anëtarët gjyqtarë përzgjidhen nga radhët e gjyqtarëve me integritet të lartë moral dhe profesional, sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha niveleve të gjyqësorit. Anëtarët jogjyqtarë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve rregullohen me ligj. Dy anëtarë jogjyqtarë zgjidhen nga radhët e avokatëve, dy anëtarë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe një anëtar nga shoqëria civile. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, bazuar në një procedurë transparente dhe publike, shpall vendet vakante, sipas ligjit. Ndërkaq e njëjta formulë përzgjedhjeje do të ndiqet edhe përsa i përket Këshillit të lartë të Prokurorisë.
Shkolla e Magjistraturës
Përveç procedurave për ngritjen dhe përzgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, deputetja e saj në amendamentet e saj propozon dhe disa ndryshime sa i përket Shkollës së magjistraturës, ku bie në sy se pavarësisht reformës, drejtori aktual i Shkollës së Magjistraturës Sokol Sadushi, që është dhe një prej ekspertëve të Partisë Socialiste që realizoi reformën në drejtësi, do të vijojë detyrën e tij. Në amendamentin e saj 102 që përkon me ndryshimin e nenit 285 të ligjit për organet e qeverisjes së drejtësi, Hysi thekson se brenda 30 ditëve nga konstituimi i KLGJ-së, të cilët do të plotësojnë vendet që krijohen për efekt të këtij ligji. Me zgjedhjen e Kryetarit të KLGJ-së dhe Kryetarit të KLP-së, këta janë edhe anëtarë të Këshillit Drejtues. “Drejtori, pedagogët e brendshëm të Shkollës së Magjistraturës qëndrojnë në detyrë, përveç rasteve kur nuk kalojnë me sukses procesin e rivlerësimit ose largohen nga detyra bazuar në shkaqe të tjera të ligjshme”- thuhet në pikën 2 të amendamentit 102. Po ashtu, në përputhje me Ligjin e Vetingut, Shkolla e Magjistraturës ngarkohet me organizimin e një jashtë radhe për pranimin e 25 kandidatëve për magjistrat, respektivisht për vitin akademik 2016-2017 dhe 2017-2018. Ndarja e profilit si gjyqtar dhe prokuror për kandidatët fitues për secilin vit akademik do të jetë 15 gjyqtarë dhe 10 prokurorë, në rast të mungesës së një marrëveshjeje ndërmjet KLD-së dhe Prokurorit të Përgjithshëm ose ndërmjet institucioneve kompetente të tjera, që duhet të arrihet jo më vonë se 4 javë nga hyrja në fuqi e këtij ligj.
Monitorimi
Me amendamentin 103, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, që tashmë është votuar edhe nga Kuvendit, propozon që të shtohet një nen i ri numër 288 dhe që parashikon ngritjen e një komisioni të pavarur për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit. Konkretisht neni në fjalë p0arashikon që jo më vonë se 15 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi krijon një komision të pavarur për monitorimin e proceseve të përzgjedhjes së kandidatëve dhe të zgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. “Komisioni i pavarur miraton rregullat e veprimtarisë së tij. Komisioni ndihmohet në ushtrimin e funksioneve të tij nga administrata e Kuvendit. Komisioni bën koordinimin midis institucioneve dhe organeve që zbatojnë parashikimet ligjore të këtij ligji, si dhe ndjek ecurinë e zbatimit të parashikimeve ligjore nga institucionet respektive, të parashikuara në ligj brenda afateve ligjore të parashikuara. Komisioni raporton pranë Komisionit të Përhershëm Përgjegjës për Çështjet Ligjore dhe para Kuvendit për ecurinë e zbatimit të ligjit, sa herë është e nevojshme. Veprimtaria e komisionit zhvillohet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit”- thuhet në amendamentin 103 të deputetes socialiste, Vasilika Hysi.
KOHA JONË SONDAZH

