Analisti Ilir Kulla: Është e mundur që RMV-ja të drejtohet nga një kryeministër shqiptar
Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë korrur një sukses në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke siguruar plot 32 mandate deputetësh. Njohësi i mirë i zhvillimeve politike, Ilir Kulla tha në “Euronews Albania” se rezultati i zgjedhjeve në vendin fqinj është tregues suksesi për partitë shqiptare.
Ai shton se tashmë ka ardhur koha që Maqedonia e Veriut të drejtohet nga një kryeministër shqiptar.
“Unë e shoh rezultatin e Maqedonisë së Veriut me shumë optimizëm, sepse është një rezultat që do ta bëjë të mundshme që shqiptarët të kenë kryeministrin në Maqedoninë e Veriut. Është shumë e thjeshtë. LSDM-ja, në koalicioni e saj fitues ka 4 deputetë, të cilët i ka marrë partia Besa, të cilët janë shqiptare, dhe pa të cilët LSDM nuk do dilte forcë e parë, dhe dy deputetë në listat e LSDM-së janë shqiptarë dhe LSDM-ja sot ka 40 deputetë maqedonas dhe 6 shqiptarë”, tha ai.
Më tej, z. Kulla pohoi se ka një besim të palëkundur tek faktori shqiptar, i cili sipas tij do të dijë të mbështesë BDI-në e Ali Ahmetit në negociata me dy paritë kryesore të frontit maqedonas, kur vjen puna tek zgjedhja e kryeministrit të RMV-së nga radhët e shqiptarëve.
“Bashkë me BDI është shumë e mundshme formimi i qeverisë me kryeministër shqiptar. Me BDI dhe PDSH janë të gjithë numrat për të pasur kryeministrin shqiptar. Jam i bindur se partitë politike shqiptare, qoftë Aleanca, qoftë zoti Sela, qoftë ata shqiptarë që ndodhen në Kuvend pavarësisht ngjyrave, kur të vijë puna te kryeministri shqiptar do ta përkrahim BDI në negociata për t’i lënë mundësinë RMV-së kësaj radhe për të pasur një shtet multietnik”, tha ai.
Gazetarja e Euronews Albania, Bruna Çifligu e pyeti analistin Kulla se sa të lehtë e ka lideri i LSDM-së, Zoran Zaev të pranojë një kryeministër shqiptar, për këtë çështje ai dha këtë përgjigje:
“Ai ka marrë votat e shqiptarëve edhe në 2016 dhe në 2020,i ka kërkuar votat e shqiptarëve. Ka folur edhe për Radio Evropa e Lirë dhe ka thënë se: “nëse njerëzit do të vendosin që të ketë një kryeministër shqiptar, atëherë do të këtë një kryeministër shqiptar”. Zoran Zeav nuk ka asnjë arsye të mos e pranojë një kryeministër shqiptar. Mjaftojnë mandatet e BDI-së për të pasur një kryeministër shqiptar.”, shtoi Kulla.
Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë fituar 12 mandate deputeti më shumë në krahasim me zgjedhjet e kaluara.