Analiza nga Tabaku: Projektbuxheti 2025 nuk reflekton nevojat e qytetarëve

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cilëson buxhetin e propozuar për vitin 2025, si një plan që nuk reflekton nevojat e vërteta të qytetarëve shqiptarë dhe që vazhdon të favorizojë një pakicë të privilegjuar, ndërsa pjesa më e madhe e shoqërisë mbetet e lënë pas dore. ”Zhurmë e madhe, propagandë e madhe, rritje pagash, pensionesh, një realitet tjetër paralel që asnjë nga qytetarët shqiptarë nuk e prek”, tha Tabaku.

Ajo  vuri në dukje se çmimet e ushqimeve bazë, ku tha se janë rritur deri në 60%, një rritje që ka ndikuar në mënyrë të veçantë tek pensionistët dhe shtresat më të varfra. ”Fakti është që sot çmimet janë rritur 60% dhe kjo rritje dëmton më shumë pensionistët, të cilët nuk kanë pasur rritje pensioni në 12 vitet e shkuara”, tha ajo. Tabaku shpjegoi se modeli ekonomik aktual i qeverisë përqendron përfitimet tek një grup i vogël biznesesh dhe individësh të lidhur me kontratat publike, ndërkohë që shumica e popullsisë përballet me barrën e rritjes së çmimeve dhe mungesën e mbështetjes.

Tabaku u shpreh se buxheti 2025 nuk sjell asnjë ndryshim për sektorët më të rëndësishëm të jetës publike, duke përmendur mungesën e prioritizimit për pensionistët, bujqësinë, arsimin dhe shëndetësinë. ”Ekonomia shqiptare duhet të prodhojë për të gjithë, duhet të rritet për të gjithë dhe ky buxhet nuk sjell asnjë ndryshim në këtë kuptim”, tha Tabaku. Në fund të deklaratës, ajo nënvizoi rëndësinë e ndryshimit të modelit ekonomik dhe të qeverisjes, duke e cilësuar këtë si domosdoshmëri për t’i dhënë fund një sistemi që, sipas saj, favorizon pakicën.

SHKARKO APP