Andi Bushati: Edhe njëherë për “anti-amerikanin” Albin Kurti
Nga Andi Bushati – Letra e dy ligjvënësve të njohur amerikanë, drejtuar shefit të diplomacisë së vendit të tyre, na shërben për t’iu rikthyer edhe njëherë, këtu në fshatin tonë të vogël, debatit lidhur me anti-amerikanizmin e Albin Kurtit.
Kongresmeni, Eliot Engel, një mik i vjetër i shqiptarëve, siç u pëlqen ta quajnë atyre që në mënyrë të thjeshtëzuar e ndajnë botën në armiq dhe patriotë dhe Bob Menendez, anëtar influent i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, i kanë shkruar sekretarit të shtetit Mike Pompeo lidhur me politikat e gabuara që po ndjek administrata aktuale në raport me Kosovën.
Po të lexohet me vëmendje teksti, aty të tërheqin vëmendjen disa pika.
E para ka të bëjë me presionin arrogant që po ushtrohet mbi Prishtinën, ndërkohë që Beogradit i tolerohet vazhdimi i procesit diplomatik të ç’njohjeve dhe blerja e armëve nga Rusia. Pra fakti se nga i dërguari special Grenell, ka një trysni jo-proporcionale mbi palët, lidhur me arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje mes tyre.
E dyta, ajo që fshikullohet, është përpjekja për të marrë anë në luftën e brendshme politike, madje kundër një qeverie të zgjedhur lirisht nga populli.
E treta, “amnistohet” çështja e tejkaluar e taksës kundrejt produkteve serbe dhe theksohet fakti se administrata Trump e ka përdorur vetë atë si një mjet të betejës diplomatike.
Së fundi, dy ligjvënësit demokratë, vërejnë se nuk mund të ketë një marëveshje shqiptaro-serbe, pa BE-në dhe kryeqytetet kryesore europiane.
Pra, po ti shikosh një e nga një, të gjithë argumentat e tyre duken si të kopjuara, copy paste, nga beteja politike që po zhvillohet në Prishtinë. Por ironia është se pikërisht ngaqë mbrojti këto teza, Albin Kurti, u akuzua si anti-amerikan, për to, ish-partnerët e tij të LDK, hodhën në erë koalicionin, me preteksin se nuk donin të prisheshin me ShBA, prej tyre, taborët e zhurmaxhijve publikë, ngritën një stuhi në gotë, lidhur me rrezikun e një krize me aleatin tonë të madh.
Në fakt, në gjithë këtë tollovi ka diçka të vërtetë. Në administratën aktuale të Trump, që nga John Bolton e deri tek ish-zëdhënësi i tij, Rik Grenelli, ka një thyerje të traditës Klionton-Bush që ishte shumë e favorshme ndaj Kosovës. Një doktrinë tjetër, apo qoftë edhe më thjeshtë, një nevojë e ngutshme për ti dhuruar shefit autoritar aureolën e pajtuesit të dy armiqve të vjetër në prag të fushatës elektorale, ka bërë që aksi i dipomacisë amerikane të pësojë zhvendosje.
Por, ashtu sikurse tregoi edhe letra e fundit, ashtu sikurse kanë konfirmuar edhe analistë, politikanë e diplomatë prestigjozë përtej Atlantikut, të jesh i kujdesshëm, apo kritik ndaj këtij aksi, i shërben më mirë interesit afatgjatë të Kosovës. Pra në thelb, të bësh atë që ka kërkuar Albin Kurti dhe Vetvendosja, për trajtimin në baza reciproke të marëdhënieve me Sebinë, për një rol të domosdoshëm të BE-në dialog, për të mos nxituar me sytë mbyllur drejt shtëpisë së bardhe, në momentin ndoshta më të pavolitshëm për ne, më shumë se me anti amerikanizëm ka të bëjë me patriotizëm.
Dhe këtu loja me etiketime populiste duhet të marrë fund.
Askush në Prishtinë nuk ka të drejtë ti kërkojë ndonjë politikani vendas të jetë më shumë pro amerikan se Eliot Engell, Bob Menendez, Daniel Server, James Pardew apo qindra diplomatë të tjerë të administratave Klionton e Bush që çliruan dhe pavarësuan Kosovën.
Të bësh këtë nuk je veçse një hipokrit. Të sillesh kështu nuk ka të bëjë aspak me dashurinë e pakufishme për “vendin e madh të lirive”. Të aktrosh kësisoj, do të thotë që nën petkun e po amerikanit, kërkon të fshehësh paaftësinë e shkëputjes nga kasta e vjetër dhe e korruptuar.
Letra e dy ligjvënësve, ashtu sikurse qëndrimet e dhjetra personaliteteve para tyre, kanë dëshmuar edhe njëherë se, pas fallcitetit të debatit me pro apo kundër amerikanë fshihet një kontradiktë tjetër, ajo mes atyre që duan ndryshimin dhe të tjerëve që kacavirren pas alibive për të ruajtur status quo-në.
Prandaj, e keqja e shfaqes në skenë të diplomatëve kaubojsë të tipit Grenell, nuk ishte se i ndau shqiptarët në pro dhe kundër shtetit të tij të madh, por se iu dha mundësi, maskarejve të këtij vendi të vogël, ti kamuflojnë qëllimet reale nën mbulesën e aleancace globale.
©Lapsi.al