Anila Denaj: Shkolla e re në Ibë të Poshtme, Bërzhitë, një investim për arsim cilësor dhe të ardhme më të mirë për komunitetin
Vijon me intensitet puna në kantierin e shkollës së re 9‑vjeçare dhe të mesme të bashkuar “Mersin Duqi” në Ibë të Poshtme, Bërzhitë, një projekt ambicioz që synon të krijojë mjedise moderne dhe të sigurta për brezat e rinj.
Ky investim, i konceptuar sipas standardeve më të larta të Bashkimit Evropian, do të ofrojë kushte bashkëkohore për rreth 150 nxënës, si dhe për fëmijët e kopshtit dhe të nivelit parashkollor. Krahas ambienteve mësimore të pajisura me teknologji të avancuar, parashikohen hapësira të dedikuara për aktivitete jashtëshkollore, laboratorë modernë dhe kënde rekreative, duke e kthyer shkollën në një qendër të gjallë komunitare.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njëkohësisht deputete e sapozgjedhur në qarkun e Tiranës, gjatë një vizite në kantier deklaroi se projekti është pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e zonave rurale përmes investimeve në arsim:
“Shkolla e re ‘Mersin Duqi’ do të jetë jo vetëm një institucion mësimor, por një model i përfshirjes së komunitetit dhe një garanci që fëmijët e kësaj zone do të mësojnë në kushte të denja, në përputhje me standardet evropiane.”
Ky investim pritet të ketë ndikim të shumëfishtë: të rrisë cilësinë e arsimit, të mbështesë familjet lokale duke u ofruar fëmijëve kushte më të mira për të mësuar, dhe të nxisë një zhvillim të qëndrueshëm të zonës së Bërzhitës. Për komunitetin e Ibës së Poshtme, kjo shkollë e re përfaqëson një hap drejt së ardhmes, ku arsimi bëhet themeli i përparimit shoqëror dhe ekonomik.
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

