APD sqaron “Fake News” për kandidatët e saj, dënon sulmet nga PPSH-ja
Në portale është shkruar se në listat shumëemërore të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 18 qershorit, ishte edhe një kandidat që nuk kishte dijeni për përfshirjen e tij. Paulin Maçaj, u shpreh se u çudit kur pa emrin e tij në listën e kandidatëve të Partisë Aleanca Popullore Për Drejtësi (APD), duke e quajtur si cënim të emrit të tij. Por e vërteta qëndron ndryshe, sipas deklaratës zyrtare të APD-së.
Në një deklaratë zyrtare për shtyp, selia e kësaj partie e cila është rregjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit dhe ka depozituan listën shumëemërore të kandidatëve pranë KQZ, thekson se z.Maçaj ka paraqitur vetë kandidaturën për deputet nën logën e APD-së.
“Paulin Gjelosh Macaj, është paraqitur pranë zyrave të APD në Tiranë së bashku me kryetarin e Shoqatës së Përndjekurve Politikë Velipojë, ku ka plotësuar dokumentacionin përkatës për kandidim, në siglën e APD”,-thuhet në deklaratën.
APD pohon se Maçaj është një person me precedente penale, dhe sipas deklaratës, stafi e ka njoftuar këtë të fundit të paraqesë kërkesën për dorëheqje, të cilën ai e ka bërë.
“Aleanca Popullore Për Drejtësi (APD) hedh poshtë me përbuzje çdo shpifje denigruese që bëhet nga persona me precedente penale,të infiltruar nga kundershtarët tanë politikë të të gjitha kahëve për të denigruar kauzën e saj”.
Gjithashtu është sqaruar edhe rasti në Vlorë, ku Myzafer Elezi, u vetëofrua pvr kandidat por për shkak të probleme shëndetësore, ka dorëheqjen. “Në vazhdim të kurtheve të kastës politike aktuale, ju bëjmë me dije ofrimin vullnetar të Myzafer Servet Elezit, i propozuar nga Komisioni Nismëtar APD-Vlorë, por pas një skenari të papritur, ky person shtrohet në spital ku edhe deklaron dorëheqjen”.
APD dënon shpifjet e bandave të PPSH-së, ku dhe me një mesazh ndaj portaleve që të bëjnë lajme të dokumentuara dhe jo inskenime që kanë për qëllim të dëmtojnë të përndjekurit politikë.
“Duke ditur realitetin e pistë politik dhe fuqinë e klaneve dhe bandave të PPSH-së, ne kemi pritur dhe presim shpifje, montime “dëshmitarësh politikë” dhe infiltrime njëlloj si në diktaturë. Opinioni publik shqiptar do të dëgjojë të tilla përpjekje të dëshpëruara dhe inskenime kundrejt Aleancës Popullore Për Drejtësi (APD), sepse bodrumet e errëta të sigurimit të shtetit nuk do e pranojnë kurrë lindjen e të djathtës kombëtare dhe ringritjes së dinjitetit tonë. Të gjithë rastet e tjera të përdorura nga portalet, pronë e percarësve historikë të komunitetit të përndjekurve politikë, janë të pavërteta dhe nuk janë të dokumentuara”,- thuhet më tej në deklaratën për shtyp.

KOHA JONË SONDAZH

