Argita në krye të PD-së? Agalliu i Bashës del kundër: Është ”non-grata” nga SHBA
Argita Malltezi duket se është gati për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, mirëpo deputeti që është në PD-në zyrtare Arbi Agalliu, nuk e sheh si një zgjidhje. Të largosh të korruptuarit me të korruptuar, për Agalliun nuk është një mundësi dhe as e ardhmja për demokratët.
“Zonja Malltezi është Non Grata nga SHBA-ja dhe nuk mendoj se është e ardhmja e PD-së, po kjo si përket PD-së. PD-ja e ka bërë zgjedhjen e vet më 9 shtator, ne jemi shkëputur me këdo individ që është dhe mund të jetë Non Grata nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe BE-ja, sepse ne jemi të mendimit se partneriteti me ta dhe duke pasur një ekip me integritet të plotë, larg të korruptuarit, atëherë jemi alternativë. Për të hequr të korruptuar me të korruptuar apo me pikëpyetje, nuk shkon”, tha Agalliu në A2 CNN.
Ky reagim vjen pasi Malltezi tha se ishte e gatshme që të merrte çdo pozicion që gjykonte se do ishte në të mirë të demokratëve, përfshirë këtu drejtimin e kësaj force politike.