Arlind Qori: Te votat për kandidatët mund të jetë bërë kërdia. Rinumërimi të bëhet nga njerëz apolitikë

Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori flet për shqetësime serioze mbi parregullsitë në procesin zgjedhor të 11 Majit. Për të në shumë qendra votimi, individë të lidhur me pushtetin përpiqen të ndikojnë votuesit që në hyrje të shkollave. Ndaj dhe propozon që rinumërimi i votave të mos bëhet nga komisionerë partiakë, por nga persona të pavarur dhe me integritet, si gjyqtarë apo pedagogë të licencuar.

”Ne kemi mbrojtur të gjitha votat tona. I kemi numëruar votat tona dhe ai mandat që kemi fituar, nuk bëhet as zero e as dy. Ne jemi të interesuar për zgjedhje normale. Problemet kryesore janë përpara zgjedhjeve. Por edhe në ditën e zgjedhjeve, thuajse në çdo qendër votimi, stacionohen te dera e shkollës halabakëria e lagjes, të qeverisë dhe përpiqet të ndikojnë tek mënyra sesi qytetarët votojnë. Kjo ndodh rëndomtë tek dita e zgjedhjeve. Kur vjen puna tek numërimi i votave për kandidatët, ka dyshime të forta se mund të jetë bërë kërdia.

Kjo, sepse brenda një partie një kandidat më i fortë fiton ndaj më të dobëtit. Nëse ndryshimi është substancial, dyshoj se është krim në bashkëpunim, duhet parë hierarkia e urdhër-dhënies. Nëse KQZ numëron saktë, pse kemi numërues partish? Ata që bëjnë punën mos jenë numërues të partive. S’mund të vazhdojë më me numëruesit e partive. Mund të vendosim numërues votash anëtarin e Gjykatës së Lartë, pedagogun, që ka një licencë, që ka shumë për të humbur që të jetë numërues i ndershëm”.

SHKARKO APP