Armand Shkullaku: 30 qershori, karikatura e fundit e demokracisë rilindase

Nga Armand Shkullaku- Karikatura e zgjedhjeve lokale, të cilës Rilindja po përpiqet t’i japë dorën e fundit, shërbeu ndër të tjera për të na treguar edhe njëherë se shumë prej rrëshqitjeve fatale të këtij vendi nuk kanë qenë rastësi. Kjo karikaturë e demokracisë shqiptare është në të njëjtën kohë edhe dëshmi e deformimit të adn-së tonë, që edhe përpara të keqes më të dukshme, arbitraritetit më të madh, abuzimit më skandaloz, jemi të gatshëm të mbyllim sytë herë të shtyrë nga interesi i ngushtë e herë të yshtur nga emocionet primitive të ndasive partiake.

Marshimi absurd, madje me flamuj, bori e mitingje, drejt një procesi elektoral pa konkurrencë politike, na rishfaqi edhe njëherë skenat e harruara të “intelektualëve” që në “emër të ligjit e të rendit” rreshtohen me zell në krah të pushtetit, ndërkohë që nuk bëzajnë sa herë pushteti përdhos ligjin dhe rendin.

Karikatura demokratike e Rilindjes, na kujtoi hipokrizinë e atyre që flasin për demokracinë si procedurë, por që gjithë këto javë nuk kanë thënë ende asnjë fjalë për përdhunimin e thelbit të saj, që janë zgjedhjet e lira e të barabarta. Nëse demokracia është një tavolinë ku 5- 6 njerëz nën avujt e alkoolit vendosin si do ndahen votat, postet e vendet e punës, pasi i kanë bërë zgjedhjet si kanë dashur vetë dhe qindra mijëra të tjerë duhet t’i nënshtrohen këtij vullneti, atëherë vërtet që procedura e 30 qershorit qënka më e rëndësishme se reagimi për t’u çliruar nga një bandë që kontrollon gjithçka. Nëse kryeministri, ministrat, drejtuesit më të lartë të parlamentit, nuk e rruajnë për pasojat që prodhojnë tek miliona shqiptarë, atëherë lë t’i respektojmë deri në fund duke u dhënë edhe të drejtën të vetëzgjidhen.

Në emër të procedurës e të kushtetutës, të gjithë e panë se si ata që janë të gatshëm t’i nënshtrohen pushtetit apo të bëjnë kompromise me të, nuk u ndjenë për asnjë çast të vetëm për përgjimet skandaloze që do të rrëzonin çdo qeveri në çdo vend të botës ku demokracia nuk është thjesht një datë takimi një herë në katër vjet, por një kërkesë llogarie e vazhdueshme ndaj së cilës duhet marrë përgjegjësi çdo ditë. Madje nuk guxuan as të thonë që të paktën personat e përfshirë në këto skandale, moralisht nuk mund të jenë pjesë e establishmentit që qeveris vendin. Ashtu si Saimir Tahiri, edhe ata e kaluan gjithë këtë turp kombëtar me një “mos e rruaj”. Të njëjtët nuk folën edhe kur droga mbuloi vendin, edhe kur qeveria u kap me presh në duar në afera korruptive, edhe kur kriminelët hynë në parlament e bashki, edhe kur banditët emëronin deputetë e drejtorë. Si mundësi të vetme për të mbuluar nënshtrimin apo shërbimin e tyre, kanë sulmin ndaj opozitës dhe krahasimin me të shkuarën.

Mirëpo kriza e 30 qershorit nuk është shkaku që po na kërcënon demokracinë tonë, por pasoja e përdhunimit sistematik të saj, përpara syve të të gjithëve. Justikimi i këtij përdhunimi mund të manipulojë emocionet e militantëve me fabulën e shpifur të armikut të brendshëm e të jashtëm, me frontin e të keqes që e ka halë në sy Shqipërinë rilindase e broçkulla të tjera, por nënshtrimi ndaj tij po bëhet një realitet që mund ta çojë vendin drejt një rruge të panjohur.

Këtij vendi, për fat të keq, nuk i kanë munguar asnjëherë skuadronet e gatshme që brohorasin pushtetin edhe kur ai marshon qorrazi drejt humnerës. Që flasin për pushtetin e popullit, për mbrojten e ligjit e të rendit, ndërkohë që ata që janë në majë të tij i përdorin ato si llastikun e brekëve që zgjerohet bashkë me diametrin e barkut që trashet. Kështu u borhorit dhe u justifikua një regjim barbar si ai i Hoxhës, kështu u fol për ligj e procedura kur pushteti i Berishës arrestonte liderin e opozitës, burgoste gazetarë dhe shkonte kokëfortë drejt procedurës kushtetuese për t’u rizgjedhur president. Kështu po flitet edhe tani, kur një kupolë ka marrë në duar krejt pushtetet dhe ndan votat e qytetarëve me policë, trafikantë e qeveritarë, e që u dashka respektuar deri në fund për hir të proceduarve demokratike.

E në të gjitha këto raste, adn-ja jonë e deformuar nuk na ka drejtuar drejt përballjes me të keqen, por drejt justifikimit të saj, pranimit e më pas nënshtrimit. Nga këto cikle të errëta të udhëtimit tonë duket qartë se shumë pak kemi nxënë. Ata që mendojnë ose bëjnë sikur besojnë se në 30 qershor duhet votuar për të mbrojtur demokracinë shqiptare, janë shembulli më i mirë për këtë. Fytyrat e tyre në ditën e votimit janë mozaiku i karikaturës tonë demokratike. ©lapsi.al

SHKARKO APP