Arrestimet në Ministrinë e Financave, Jorida Tabaku: Ky sistem nxit korrupsionin

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me arrestimin e bujshme në Ministrinë e Financave, konkretisht të Sekretarit të Përgjithshëm, Arlind Gjokutaj, së bashku me drejtorin e burimeve njerëzore në këtë institucion, Fatmir Hoxhaj dhe Alban Ruli, përmbarues. Në një postim në Facebook, Tabaku shprehet se rastet e korrupsionit në këtë qeveri janë bërë aq shumë, sa po kthehen në statistikë.

Postimi i plotë

Një i korruptuar është tragjedi, shumë janë thjesht statistikë! Sot është arrestuar Nëpunësi i parë autorizues – SP i Ministrisë së Financave i cili është autoriteti më i lartë në Republikën e Shqipërisë për ekzekutimin e të gjithë pagesave të buxhetit të shtetit.
Ky person ka pasur në përgjegjësi ekzekutimin e buxhetit, kryerjen e të gjitha pagesave, ndjekjen e të gjithë ministrive të linjës dhe pagesave të tyre.

Me pak fjalë, ky është njeriu që ka çelësat e shtetit në dorë dhe sot është arrestuar pikërisht sepse ato çelësa i ka përdorur sipas interesit dhe jo sipas ligjit. Unë nuk pranoj dot më që kjo të quhet arritje, që të numërohet arrestimi i njeriut që ka çelësat e shtetit, si një statistikë dhe të tundet arrestimi i tij si trofe sa herë takojnë ndërkombëtarët apo sa herë shkojnë të raportojnë tek to.

Dikush duhet të mbajë përgjegjësi qoftë edhe politike për sa ndodh; pasi nuk është vetëm një Sekretar i Përgjithshëm, as vetëm dy ministra dhe as vetëm një deputet. Ne e dimë që janë më shumë. Shqiptarët e dinë. Ky sistem i ngritur promovon korrupsionin. Ky sistem nxit korrupsionin. Ky sistem nuk promovon vlerat e një shoqërie të shëndoshë, meritokracinë dhe tregun!

Sistemi që po flasim është ai i zyrtarëve që sot shihen si modele të lehta suksesi, pasi ekspozojnë qindra mijëra euro, stil jetese të papërshtatshëm dhe e gjitha se kjo vjen si rezultat i një sistemi të ndërtuar me kokëposhtë. Për ta luftuar duhet një plan dhe mbi të gjitha vullnet politik; një vullnet jo denoncues dhe inkuizitor por një vullnet që e lufton atë dhe mbi të gjitha i hap rrugë një sistemi vlerash.

Hapi i parë është kthimi i Luftës kundër Korrupsionit në një prioritet kombëtar pasi nuk janë rastësi kaq shumë arrestime dhe madje nuk është as rastësi pse shqiptari largohet.

Pa shkuar këtu, ne do të vazhdojmë të hedhim topin nga një fushë në tjetrën, do të numërojmë ushtarët specialistë të korrupsionit si statistikë nën moton e Stalinit “Një i korruptuar është tragjedi, shumë janë thjesht statistikë”. Duhet bërë sot!

SHKARKO APP