Arrestimi i dy deputetëve, PD nis sulmet ndaj prokurorisë
Pasi prokuroria urdhëroi arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, PD ka nisur sulmet ndaj prokurorisë.
Gazeta zyrtare e PD-së, “Rilindja Demokratike”, shkruan se Rama dhe Meta duan t’i mbyllin gojën Doshit, duke e arrestuar.
“Skandal! Prokuroria bie në kthetrat e mafias dhe krimit shtetëror. Pa bërë asnjë hetim të mirëfilltë penal për akuzën e deputetit Doshi, se Ilir Meta ka porositur vrasjen e dy deputetëve, prokuroria ka kërkuar arrestimin e Tom Doshit për t’i mbyllur gojën skandalit me përmasa ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, atë që Ilir Meta, Edi Rama dhe Saimir Tahiri nuk e arritën përmes ekzekutimit të deputetit po kërkojnë ta realizojnë përmes arrestimit. Ky është vendim që kërkon të shpëtojë porositësit politik të krimit dhe të ndëshkojë viktimën. Shqipëria në këmbë kundër krimit shtetëror”, shkruan RD-ja.
Ndërsa Jozefina Topalli shkruan: “Në ligjin e mafies padrinoja për të shpëtuar kokën e tij urdhëron dënimin e çdokujt. Ai zhduk edhe ish miqtë, ish bashkëpunëtorët e tij”.