Arrestohet ish-presidenti amerikan, Donald Trump
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump është arrestuar sot në New York (14.00, me orën lokale).
Trump-it i janë marrë shenjat e gishtave për çështjen penale për të cilën akuzohet.
Por, Donald Trump nuk do të vihet nën pranga dhe do të gjykohet në gjendje të lirë. Kjo për shkak se duke qenë ish-president, Trump mbahet ende në ruajtje nga Shërbimi Sekret dhe nuk ka gjasa që të arratiset apo të përpiqet që të dëmtojë hetimet ndaj tij.
Ai është në sallën e gjyqit, ku dhe do të njihet zyrtarisht me akuzat ndaj tij. Por gjykatësi nuk ka lejuar që në sallën e gjyqit të jenë të pranishme mediat.
Para gjykatësit, Trump pritet të deklarohet i pafajshëm.
Donald Trump do të mbahet vazhdimisht nën mbrojtjen e policisë.
Ish-presidenti akuzohet për mosdeklarimin e pagesës prej 130 mijë dollarësh të bërë në vitin 2016 për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, në këmbim të aferës seksuale që Trump dyshohet se ka pasur me të në 2006-n.
Donald Trump është i pari President amerikan që përballet me akuza penale.
“Po shkoj në ndërtesën e gjykatës- kjo duket kaq surreale, uau, ata do më arrestojnë. Nuk mund ta besoj se kjo po ndodh në Amerikë. MAGA”, shkroi Trump.
Ndërkohë ish-presidenti shihet i ulur në bankën e të akuzuarit së bashku me ekipin e tij të mbrojtjes, ndërkohë që mediat botërore deklarojnë se Trump do ta shpallë veten të pafajshëm ndaj akuzave.
BBC raporton se Trump është deklaruar i pafajshëm për 34 akuza.