Arsimi profesional! Zv/kryeministrja Balluku: 30 shkolla nga Kukësi në Sarandë, tregu i punës nevojë për zanatçinj

Fjalimi i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku për Konferencën Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, përqendrohet te një histori personale për të ilustruar rëndësinë e iniciativave për punësimin e të rinjve në fusha teknike. Ajo thekson se vendi ka arritur një maturi të tregut ekonomik dhe prezanton sektorët e konsoliduar si turizmi, bujqësia dhe aviacioni.

Ministria rrëfen se po fokusohet në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, veçanërisht në arsimin profesional, duke rritur buxhetin dhe investimet në infrastrukturë shkollore. Gjithashtu, bën thirrje për përmirësimin e infrastrukturës dhe akomodimit shkollor për tërheqjen e më shumë nxënësve në arsimin profesional.

Po ashtu Baklluku tha janë 30 shkolla të shpërndara nga Kukësi deri në Sarandë të cilat një pjesë e tyre kanë përfituar nga investimet e qeverisë dhe të donatorëve.

Fjalimi i plotë i ministres Belinda Balluku

Shumë kënaqësi të jemi të gjithë këtu bashkë sot dhe për të thënë të drejtën shikoja videon për eksperimentin social që kishit bërë dhe ishte si e kostumizuar për mua, pasi unë jam shefja e elektricistëve në Republikën e Shqipërisë dhe për të thënë të drejtën do ta nis jo nga fjala që zakonisht ne gjejmë nga bashkëpunëtorët tanë, nga këshilltarët, por do ta nis pikërisht nga një eksperiencë që kam pasur vetëm para pak muajsh, kur një djalë nga Lushnja më çoi një mesazh dhe më tha, të lutem më ndihmo të punësohem në OSHEE.

Jam 23 vjeç, kam mbaruar shkollë profesionale për elektricist dhe në rast se nuk gjej një mundësi mua më duhet të lëviz nga shtëpia, ose të iki në Tiranë, ose të iki jashtë. U lidha vetë me djalin dhe ai djali u bë arsyeja pse ne nisëm në OSHEE një proces dhe një program për punësimin e të rinjve, të cilët kanë mbaruar shkollat profesionale në degë që përputhen me atë ndërmarrje gjigande ku punojnë rreth 7 mijë djem, vajza, burra dhe gra.

Për të thënë të drejtën sigurisht që thirrjes tonë e cila kishte dhe një kufizim në moshë pa qenë diskriminues dhe do ta shpjegoj pse e kishte këtë kufizim, vendosëm nga 18 deri në 25 vjeç, pikërisht për të krijuar një fuzion midis armatës së elektricistëve dhe të gjithë teknikëve që ne kemi, por që sot kanë një moshë rreth 50 vjeç mesatarisht, me një prurje të re, me një gjak të ri për 303 vende pune. U plotësuan rreth 210 me këtë frekuencë moshe, pra nga 18 deri në 25 dhe tani do të hapim një thirrje të re nga 25 deri në 30 vjeç.

Është shumë e rëndësishme sot të kuptohet që vendi ynë ka arritur një maturi të tregut ekonomik. Sot ka fusha të mirë definuara të cilat janë të gatshme të akomodojnë të rinjtë dhe të rejat që dalin nga shkollat profesionale, siç është turizmi, tashmë i konsoliduar. E kemi kaluar provën e zjarrit vitin e kaluar me mbi 10 milionë vizitorë. Mikesha ime dhe kolegia ime Mirela Kumbaro si zonjë e shtëpisë për shkak të portofolit që mban pret 14 milionë vizitorë në vitin 2024, të cilët duhet të shërbehen nga një industri turistike e cila do të ketë vitin e parë të show-t, sepse vjet për mua dhe për të gjithë ne ishte një provë gjenerale.

Nga ana tjetër një sektor i konsoliduar është ai i bujqësisë. Bujqësia dhe blegtoria ka qenë gjithmonë e rëndësishme për vendin tonë, mban një pjesë dhe një përqindje të rëndësishme të prodhimit bruto vendas, por nga ana tjetër bujqësia nuk është siç ka qenë më parë. Sot nuk punohet bahçja, sot duhet të bashkohen forcat. Sot një treg në rritje kur eksportet kanë arritur mbi 500 milionë në vit dhe me synimin e pastër që të arrijmë 1 miliard eksporte deri në 2030 duhet që blegtorët, bujqit të bashkohen në forma të një korporate bujqësore për të prodhuar kështu sasi më të mëdha. Sasi më të mëdha të varieteteve të njëjta. Pra nuk mundet më që në treg të ketë domate të tipeve të ndryshme, nuk mundet më që në treg të ketë fasule të tipeve të ndryshme, pasi sot kompanitë dhe pikat e grumbullimit kërkojnë sasi të mëdha për tregun e Ballkanit, por edhe të Europës. Kemi arritur gjatë vitit të kaluar të depërtojmë me prodhimet e zonës së Divjakës dhe të gjithë pjesës së Myzeqesë deri në supermarketet e Zvicrës. Përmend supermarketet e Zvicrës pasi kanë kërkesa edhe më të larta se vetë Bashkimi Europian përsa i përket produkteve bio.

Patjetër një treg shumë i konsoliduar i cili vjen vetëm në rritje është edhe ai i aviacionit. Kemi një aeroport ndërkombëtar në Tiranë, një aeroport ndërkombëtar në Kukës dhe një aeroport ndërkombëtar i cili është në fazat e përfundimit, ai i Vlorës. Aeroporti ndërkombëtar më i madh në zonën e Ballkanit perëndimor, por që nga gjithë plani operimit synon të jetë më i madhi në Ballkan përsa i përket volumeve akomoduese. Një industri e re e cila ka shpërthyer tashmë dhe kushdo nga ju duke parë vetëm shifrat që ne herë pas here publikojmë kupton që aeroporti ynë, ai ndërkombëtar i Tiranës, renditet në vend të parë përsa i përket flukseve të trafikut që ulen dhe ngrihen nga Tirana, ndërkohë që navigimi ajror shqiptar prej disa muajsh qëndron në vend të parë përsa i përket sasisë, volumit të përpunimit të mbikalimeve në territorin shqiptar.

Unë mund të përmend shumë e shumë fusha të tjera si teknologjia e informacionit aty ku të gjithë të rinjtë kanë vëmendjen sot e të tjera të cilat po zhvillohen në mënyrë konstante dhe të konsoliduar. Çfarë na duhet ne? Qeveria shqiptare vitin 2024 e ka shpallur si viti ku ngritja e kapaciteteve njerëzore ka padyshim prioritetin kryesor për ne dhe padyshim fokusin e të gjithë kabinetit qeveritar, pasi kjo është një kërkesë e kryeministrit i cili e ka identifikuar që në krye të herës. Nëse mbani mend atë thënien, ka punë po s’ka profesionistë, ku të gjithë qeshnin me këtë thënie, sot është një realitet i prekshëm. Tregu ka punë, tregu ka kërkesë, ata që na mungojnë janë profesionistët e profilizuar, se për këtë jemi këtu sot.

Këtu sot jemi për të folur për arsimin profesional, i cili është një nga instrumentet më të rëndësishëm për të qenë të suksesshëm në të gjithë ato sektorë të cilat unë përmenda. Në të gjithë ato sektorë të cilët janë si një thithëse në këto momente e të gjithë burimeve njerëzore. Por nga ana tjetër duhen burime njerëzore të kualifikuara. Nuk ka kohë industria turistike sot të presë për të marrë një të ri i cili del nga gjimnazi i përgjithshëm, pa asnjë informacion mbi turizmin dhe ta integrojë brenda strukturave të tij. Do ishte shumë më lehtë për këtë hotelier që të merrte nxënës që dalin nga shkolla profesionale e hoteleri-turizmit për ta integruar menjëherë pasi zhvillimi ekonomik i vendit tonë është shumë i shpejtë.

Ndaj duke mos përsëritur Oltën në çfarë tha dhe duke mos dashur të përsëris atë që është thënë dje, por dua vetëm të kujtoj që padyshim ne kemi bërë një punë të mirë përsa i përket arsimit profesional. Nga viti 2015, ku ishin dedikuar në Buxhetin e Shtetit 12.2 milionë, sot kemi arritur ti dedikojmë në buxhetin e vitit 2024, 33 milionë. A duhet bërë më shumë? Patjetër!

Diçka që na karakterizon, diçka që karakterizon Kryeministrin Rama dhe kabinetin e tij është që ne nuk vetëkënaqemi kurrë. Ne mendojmë që kemi bërë punë të mira, por nuk kemi bërë sa duhet dhe duhet të bëjmë shumë më shumë. Ndaj dhe kemi këtë fokus në arsimin profesional dhe në akomodimin që duhet të kenë nxënësit e arsimit profesional. Unë drejtoj, si drejtuese politike, një qark të largët. Dibër. Një nga qarqet me territorin më të shtrirë dhe më të komplikuar, por që ka një traditë të jashtëzakonshme përsa i përket arsimit profesional. Ka një shkollë profesionale në qendër të Peshkopisë, e cila ka qenë gjithmonë e populluar, por ajo çka i mungon është një konvikt. Një konvikt i cili dikur ka qenë funksional, por sot nuk është në gjendje që të akomodojë nxënës të cilët duhet të kalojnë aty katër vite të jetës së tyre, larg familjes në një moshë të mitur.

Dhe e njëjta gjë ndodh dhe në Cërrik. Kam vizituar me Oltën edhe me Ministren Denaj para pak kohësh shkollën profesionale të Cërrikut, që ju bëj thirrje ta vizitoni të gjithë, pasi është një shkollë model në tërësinë e saj, përsa i përket laboratorëve, përsa i përket stafit akademik atje. Por, padyshim konvikti linte shumë për të dëshiruar. Për të mos thënë që nuk do ta klasifikoja të banueshëm.

Fakti që ne sot kemi nisur një proces të gjerë për të identifikuar të gjithë infrastrukturën e arsimit profesional, për të identifikuar të gjithë laboratorët, konviktet dhe gjithçka tjetër duhet të jetë në shërbim të studentëve sepse ne mund të predikojmë gjithë ditën dhe të themi që tregu ka punë, që ju duhet të lini arsimin e përgjithshëm dhe të vinin në arsimin profesional, por nëse infrastruktura nuk është e duhur, nëse shkolla, klasat, laboratorët, konviktet nuk janë ato që duhet të jenë për fëmijët, atëherë si do zgjedhin këta fëmijë që të shkojnë atje.

Arsimi profesional ka qenë gjithmonë i paragjykuar. Mua më kujtohet koha ime kur unë isha nxënëse tek “Qemal Stafa” dhe ne kishim afër Politeknikun dhe gjithmonë kishte një diferencë edhe në perceptim midis nxënësve të Politeknikut dhe atyre të “Qemal Stafës”, që ishin praktikisht në një lagje, por me kalimin e kohës, kur ata më pas shkonin dhe dilnin shkëlqyer në Universitet duke u bërë inxhinierët e radhës, gjithçka ndryshonte. Kështu është dhe sot me arsimin profesional. Ne flasim, duam që ti tërheqim nxënësit, por ata mendojnë që është më mirë që të shkojnë në një gjimnaz të përgjithshëm, pasi do kenë mundësi që të bëhen juristë apo ekonomistë. Por sot ka ardhur koha që vetë ju, të rinjtë dhe të rejat, të keni mundësi dhe të analizoni tregun. Ku mund të kontribuoni më shumë dhe në qoftë se ju shkoni në një shkollë profesionale për elektriçistë, ju nesër keni mundësinë për t’u bërë inxhinier, për të ndjekur elektronikën, për të ndjekur mekanikën dhe për të ndjekur edhe sot shkencat e avancuara siç është teknologjia e informacionit.

Vetëm para pak javësh kam takuar një nga akademitë më prestigjioze të Anglisë përsa i përket aviacionit, përgatitjes së trupës e cila shërben në aviacion duke nisur nga shërbimet e ground-it, që quajmë ne edhe deri tek stiuardët dhe stjuardesat. Ka zgjedhur Shqipërinë, në një bashkëpunim me ICAO, Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, pasi e shikojnë si një treg të konsoliduar në rritje. Kanë zgjedhur që në Shqipëri, bashkë me Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, të ngrenë një nga akademitë më të rëndësishme europiane e cila do të financohet nga ICAO me 1 euro për pasagjer. Një euro për pasagjer, gjatë vitit ju e kuptoni që vetëm me vizitorët e turizmit flitet për mbi 14 milionë euro të cilat do të jenë në dispozicion të kësaj akademie që do të vendoset në Vlorë. Kemi zgjedhur Vlorën pasi aty do të zhvillohet poli më i ri i aviacionit. Kemi zgjedhur Vlorën edhe me parashikimin për të pasur një shkollë profesionale, një akademi profesionale të aviacionit, ku do të akomodohen dhe të gjithë simulatorët, pasi ashtu punohet derisa ti arrijnë që të depërtosh brenda në një aeroport, për shkak të kushteve të sigurisë, dhe tek konvikti që duhet të jetë i kostumizuar për këta nxënës dhe studentë. Kështu mund ti referohemi shumë praktikave të reja dhe të mira të cilat ne po ngremë të gjithë së bashku me një vëmendje të përqendruar pikërisht në këtë fushë kaq të rëndësishme të arsimit profesional.

Në ndërkohë sot ne kemi 30 shkolla të shpërndara nga Kukësi deri në Sarandë, të cilat, një pjesë e tyre kanë përfituar nga investimet e qeverisë dhe të donatorëve, por që tashmë kjo do të shtrihet në secilën nukël ku ne kemi shkollat profesionale. Gjithashtu, duhet pasur parasysh që shkollat profesionale për ne bëjnë pjesë edhe në politikën e Qeverisë për rijetëzimin e zonave rurale. Aty ku ne kërkojmë që banorët e zonës të kenë një arsye për të vazhduar jetën duke mos abandonuar fshatin për të ardhur në Tiranë apo nga ana tjetër duke identifikuar se çfarë veçorie kanë këto zona rurale dhe sesi këto zona rurale mund të përdoren si nukla të mirëfillta ekonomike dhe jo vetëm bazuar në bujqësi.

Do të thoja që fakti që jeni kaq shumë sot. Do të thoja që fakti që ka kaq shumë të rinj këtu sot dhe kjo është edhe më e rëndësishme sepse për ju flitet, ju do të merrni përfitimet nga ky sektor, ju do të merrni përfitimet nga kjo politikë e qeverisë, tregon se tashmë jemi në rrugën e duhur. Tregon se tashmë jemi të gjithë të qartë edhe ne që duhet të bëjmë më të mirën, duhet të bëjmë më shumë për arsimin profesional, për infrastrukturën shkollore të arsimit profesional dhe atë akomoduese, edhe sektori privat që ndodhet këtu me ne, edhe përfaqësuesit e të gjitha organizmave që kontribuojnë në këtë fushë, por mbi të gjitha ju që do të jeni përfituesit. Kështu që tregon që tashmë jemi të gjithë të qartë, tregu i punës ka nevojë për arsimin profesional. Kapitali njerëzor është ajo çka ne kemi më të vyer dhe më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë pasi me të vërtetë kur ne angazhohemi, dimë të bëjmë më të mirën për vendin tonë dhe për secilin.

Shumë faleminderit për vëmendjen dhe punë të mbarë sot në këtë konferencë kaq të rëndësishme.

SHKARKO APP