Arsyet e përplasjes së radhës mes Ramës e Metës
Ajo që u vu re në minutat e para të 22 korrikut kur 140 deputetë votuan Reformën e Drejtësisë dhe u ngritën në këmbë duke duartrokitur, ishte mungesa e entuziazmit te kryeministri Edi Rama. Për muaj me radhë ai ishte shfaqur në të gjitha format e mundshme si njeriu që e donte me çdo kusht reformën duke dhënë idenë se ata që kundërshtonin variantin e tij ishin kundër saj, madje edhe kundër SHBA e BE. Por përkundër kësaj, ai nuk festoi dot pas votimit. Ai kishte parë që, në 24 orët e fundit, protagonizmin t’ia kishin rrëmbyer nga duart Ilir Meta e Lulzim Basha.
Rama doli nga salla e Kuvendit ai i pashoqëruar nga askush. Asnjë kamera nuk iu afrua t’i merrte ndonjë deklaratë. Vëmendja ishte zhvendosur te Lulzim Basha, ndërsa Meta takohej në sallë me deputetë të PD.
A ishte vërtet Edi Rama në anën e humbësve, siç pretendon paraardhësi i tij, Sali Berisha? A e mundën vërtet Ilir Meta e Lulzim Basha?
Edi Rama nuk festoi as më ditën e 22 korrikut. Ai u shfaq para shqiptarëve i vetmuar në oborrin e pasëm të kryeministrisë duke gjuajtur disa topa basketbolli në koshin që ruhej nga një gardist.
Nuk gjeti asnjë fabul që t’ia ngrinte moralin dhe shpiku të hënën e 25 korrikut si ditë pushim për administratën. “Se bashku kemi arritur te paarritshmen ne 25 vjet. Prandaj te henen administrata pushim dhe le te jete nje fundjave e gezuar per te gjithe”, shkruante në Facebook. Por edhe kjo shpikje për t’u ndjerë i gëzuar iu rrëzua kur Ilir Meta e nxorri në punë të hënën, pasi mblodhi kuvendin, kur doganat nxorrën një urdhër për t’u thënë punonjësve se nuk do të pushonin.
Ai nuk foli më reformën as të shtunën e 23 korrikut, as të dielën.
Edi Rama u shfaq fjalëpakë si asnjëherë tjetër më parë në këto 3 vjet të pushtetit edhe në kuvend kur Sali Berisha, në një prej fjalimeve të tij më të gjata, i renditi sy për sy arsyet se përse ai ishte në anën e humbësve dhe përse fitorja ishte në anën e Partisë Demokratike dhe LSI –së.
Atij i mungoi edhe batuta në dy ndërhyrjet që bëri ndaj Sali Berishës, pa lëvizur nga kolltuku i kryeministrit, si për të treguar se atë nuk kishte ndër mend ta lëshonte edhe pse me kosto morale e politike.
Për 4 ditë me radhë Edi Rama pa se si Lulzim Bashës e Ilir Metës u mbërritën letra falenderimi e mesazhe nga kancelaritë perëndimorë, nga nivelet më të larta në Bruksel e Uashington. Ai nuk ishte pjesë e tyre. Ai nuk u falenderua as nga aleati i tij, Meta, i cili, ndonëse i sforcuar, arriti të falenderonte edhe ambasadorët Lu e Vlahutin, dy diplomatët që i kritikoi hapur në kuvend si përgjegjës të ngërçit që rrezikoi konsensusin.
Rama e shihte veten përtej vijave të kuqe që e ndanin me fituesit, atyre vijave që ai kishte hequr me ndihmën e dy ambasadorëve.
Por 4 ditë më vonë kryeministri nisi ofensivën, në një përpjekje të pastër për t’ua rrëmbyer në tavolinë fitoren kundështarëve.
Ai u lëshoi atyre një sfidë në sytë e shqiptarëve që po besonin gjithnjë e më shumë se ishin gënjyer për muaj me radhë nga kryeministri i tyre që u thoshte se ishte opozita ajo që nuk e donte reformën në drejtësi, për të mbrojtur ish –pushtetarët e korruptuar. Ai i paralajmëroi shqiptarët se kundështarët e tij do të bënin çdo gjë për të bllokuar ligjet që duhen për të zbatuar reformën.
“Reforma në Drejtësi do të vazhdojë me ligjet kryesore që pasojnë reformën e miratuar kushtetuese dhe kërkojnë minimumi 84 vota. Ata që u dorëzuan përballë presionit të jashtëzakonshëm popullor e ndërkombëtar dhe presionit të brendshëm që krisi murin shurdh të Partisë Demokratike, do të vazhdojnë të rezistojnë në çdo hap e për çdo ligj të domosdoshëm për zbatimin e reformës kushtetuese. Por nuk kanë shans ta ndalin historinë e re të drejtësisë që ka nisur me hirin dhe me pahirin konsensual të 21 korrikut”, shkruante Rama më 26 korrik.
Ilir Meta dhe Lulzim Basha, që ishin së bashku në SHBA në Konvetën e Demokratëve dhe u shfaqën po bashkë shumë miqësorë para kamerave që sollën filmimet në Shqipëri, i kthyen thuajse të njëjtën përgjigje. Ata i kujtuan procedurat ligjore e kushtetuese.
“Po, po patjetër, asnjë pamundësi praktike nuk ka, kjo është çështje vullneti, do respektohen procedurat kushtetuese. Ndërkohë, duhet të fillojë puna dhe i ftoj anëtarët e komisionit të posaçëm që të fillojnë punën që tani, që të shohin në radhë të parë ligjin për vettingun, që t’i hapet rruga menjëherë operacionit të monitorimit ndërkombëtar, që është një garanci tjetër për seriozitetin në implementimin e kësaj reforme dhe më pas të gjithë ligjet për Prokurorinë Speciale, për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe gjithçka tjetër”, deklaroi Ilir Meta për Zërin e Amerikës.
Në të njëjtin stacion, Lulzim Basha shprehu të njëjtin qëndrim, ndërsa e quajti sfidën e Ramës një provokim dhe manovër politike, që i dështoi.
“Absolutisht jo sepse këtë e ndalon kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ky është një komunikim që unë e kam patur me partnerët tanë amerikanë dhe europianë dhe do të ishte absurde që ata të mbështesnin nisjen e procesit të reformës në drejtësi duke shkelur kushtetutën e vendit. Por Partia Demokratike ka shprehur gadishmërinë e saj për të nisur punën me ekspertët e saj për të shqyrtuar draftin për vetingun në mënyrë që të mos ketë asnjë vonesë në miratimin e ligjit. Mazhoranca i është përgjigjur kësaj me një hile, e cila tashmë është sqaruar. Një furtunë në një gotë uji. Pretendohet që drafti ka qënë gati më 4 korrik ndërkohë që drafti zyrtarisht është përcjell mbrëmë, natën e mbrëmshme në orën 22:30. Ne e kemi marrë tashmë në dorëzim, ekspertët tanë tashmë po e shqyrtojnë dhe pas kësaj do të procedohet sipas hapave të zakonshëm. Pra nuk është gjë tjetër veçse një manovër e qartë politike e tipit që pengoi deri në çastin e fundit konsensusin me Partinë Demokratike, ndonëse Partia Demokratike prej fillimit ishte zotuar për një mbështetje totale të reformës në drejtësi sipas vlerave dhe parimeve perendimore të mishëruara në rekomandimet e Venecias, në propozimin hibrid të ndihmës-sekretares Nuland, dhe me vërejtjet e komisionerit Hahn…por kjo tashmë ka marrë fund”.
Por Edi Rama nuk u ndal me kaq. Dhe në ndihmë i erdhi ambasadorja Vlahutin, diplomatja që PD e konsideron tani palë me të dhe qeverinë. Përfaqësia e BE nxorri një deklaratë që iu shpërnda televizionit Top Channel (nuk është e qartë nëse ishte reagim në përgjigje të ndonjë kërkese të TCH) në të cilën kërkon nga deputetët që të mblidhen jo më këtë të enjte, siç pretendonte Fatmir Xhafaj që kishte kërkuar Euralius e Opdat, por më 11 gusht, kur ndryshimet kushtetuese të kishin hyrë në fuqi.
“BE së bashku me SHBA-të kanë kërkuar miratimin e shpejtë të shtatë ligjeve, dhe të parin ligjit e vlerësimit (vetting), në mënyrë që të përshpejtohet zbatimi i paketës së Reformës në Drejtësi. Kjo gjë i është bërë e ditur të gjithë udhëheqësve politikë, dhe Kryetari i Kuvendit Meta ka konfirmuar se si Kryetar i Kuvendit është i gatshëm të thërrasë mbledhjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit me të hyrë në fuqi Ndryshimet Kushtetuese (më 11 gusht), meqenëse krerët e grupeve parlamentare kanë rënë dakort për këtë. Miratimi i shpejtë i ligjeve zbatuese është parakusht për nisjen e zbatimit të Reformës në Drejtësi, dhe i një rëndësie themelore për rrugën evropiane të Shqipërisë. Drafti u është shpërndarë të gjithë anëtarëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi gjysmën e dytë të muajit qershor”. Ishte kjo deklarata e BE.
I menjëhershëm ishte reagimi i Edi Ramës, a thua se ishte në pritje të saj. Ai, në një postim në Facebook, kërkoi sërish të ndryshonte rolet mes fituesve dhe humbësve. Dhe shkoi më thellë se kaq. Edi Rama u përpoq të zhvlerësonte atë që Meta e Basha trumbetojnë tashmë si fitoren më të madhe: konsensusin! Rama tha se konsensusi u dha vetëm pasi ishin bërë 94 vota.
“E bojkotuan me muaj të tërë Komisionin e Reformës në Drejtësi dhe tani thonë s’kemi lexuar as projektligjin e Vetingut të gjykatësve e të prokurorëve, as 6 ligjet e tjera bazë për fillimin e zbatimit të reformës!
Ankohen se një dorë e zezë po prish konsesusin, sepse u kërkohet thjesht të bëjnë detyrën dhe të vijnë në komision për të mbyllur sa më parë ligjin kyç (Vetingun); pa të cilin Brukseli nuk i hap dot rrugë rekomandimit për hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë!
Dhe vazhdojnë akuzat qesharake direkte apo të nënkuptuara, kundër një komploti që e paskan shpartalluar me fuqinë imagjinare të një konsensusi, të cilin në fakt e dhanë (kur u ça muri shurdh i Shqupit e ishin bërë 94 votat e nevojshme) mu në zgripin e humnerës së pasojave të rënda, politike e personale, që i prisnin në raport me SHBA e BE, pas 21 korrikut, të gjithë ata që do votonin kundër reformës.”
Por a është e vërtetë që Edi Rama i kishte 94 votat për ta miratuar reformën pa opozitën? A u dha vërtet konsensusi pasi ai “akaparoi” deputetë të PD –së? Ilir Meta, si ta kishte parashikuar edhe këtë lëvizje të “ortakut” në qeveri, që tashmë duket shumë hapa pas tij në politikë, i dha këtë përgjigjje në intervistën e tij në Zërin e Amerikës.
“Një votim i cili mund të quhet një konsensus patriotik që nuk duhet helmuar me reagime, deklarata si parlamenti i djeshëm… Mendoj që mund të ishin harxhuar fare pak energji për konsensusin sepse ishte plotësisht i mundur se sa u harxhuan për vota individuale duke vënë shpesh herë në pozicion të vështirë deputetë të caktuar”.
Në të vërtetë, a po e helmon Edi Rama konsensusin e natës mes 21 dhe 22 korrikut? A do të kishte mundur ai ta miratonte reformën me 94 vota, pa opozitën? Po të kthehemi vetëm pak ditë pas, do të shohim se 94 votat i rrezikonin atij kolltukun e kryeministrit.
Ilir Meta ia kishte bërë të qartë: nëse reforma do të miratohej me deputetë të akaparuar, ai do t’i jepte 20 votat e LSI, por do të largohej nga posti i kryetarit të kuvendit, do ta rrëzonte qeverinë dhe do të krijonte një qeveri teknike për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme, pa Ramën kryeministër. Kishte paralajmëruar edhe destabilitet të vendit. Mes miratimit të reformës me 94 vota dhe rrezikut të qeverisë, Edi Rama zgjodhi të mbajë qeverinë me Metën. Ai u detyrua të pranonte Vetting-un dhe nenin 88 të Venecias, siç ia kërkuan PD e LSI.
Por përkundër pranimit të humbjes, Edi Rama ka nisur ta zhvlerësojë konsensusin. Madje deklarata e tij e fundit se konsensusi u arrit pasi ishin bërë 94 vota mund të konsiderohet edhe si një kërcënim për Metën dhe një kujtesë e vonuar e tij se përballë gjithë furisë së Metës ai duhej ta kishte marrë me kohë vendimin për t’i dhënë fund dashurisë me të. Tani, ai po i tregon aleatit se nuk i duhen 20 votat e tij për të mbajtur i vetëm qeverinë, pasi ka 74 nga 71 që i nevojiten.
Lëvizjet e fundit të Edi Ramës e kthyen Ilir Metën me urgjencë nga SHBA. E detyruan të ndërpresë vizitën dhe pse as në SHBA ai nuk qëndroi aq duarkryq ndaj “aleatit”, duke u shfaqur shumë miqësor me kreun e opozitës, të cilin nuk mungoi as ta lavdëronte në sytë e publikut në intervistën e tij për Zërin e Amerikës, si “karshillëk” ndaj Ramës. Edhe në rrugën e kthimit Meta do të shigjetonte Ramën si autor të prishjes së mundshme të marrëveshjes. Zyra e tij njoftoi se ai po kthehej “nga konfuzioni që po krijohej në parlament dhe që ka qëllim prishjen e konsesusit”.
“Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, ndërpret vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të sqaruar konfuzionin e krijuar ditëve të fundit që kanë për qëllim prishjen e konsensusit historik parlamentar të 21 korrikut për reformën në drejtësi”.
Kjo prishje e konsensusit mund të jetë edhe hallka e fundit e zinxhirit që mban të lidhur koalicionin qeverisës. Dy aleatët thjesht po përpiqen të fajësojnë njëri – tjetrin për ndarjen, që kësaj here ngjan e pashmangshme, çka duket edhe arsyeja e vërtetë e përplasjes së radhës mes tyre. Rama duket gjithnjë e më larg nga Meta, ndërsa kreu i LSI gjithnjë e më pranë Bashës me vendime e qëndrime politike.(lapsi.al)