Arsyet/ Ja pse u largua nga detyra Manjani
Shkarkohet ministri Manjani, zëvendësohet nga Petrit Vasili
Ylli Manjani nuk është më pjesë e qeverisë dhe në vend të tij emërohet Petrit Vasili. Ministri i Drejtësisë dhe një nga drejtuesit e LSI-së duket se i ka ndarë rrugët me kryeministrin Edi Rama, pas disa daljeve të tija kundër vendimeve të qeverisë si dhe kritikave të hapura publike, si ajo dy javë më parë, në “Top Story”.
Duket se divergjencat mes tij dhe disa ministrave kanë çuar në kërkesën e kryeministrit Edi Rama ndaj bashkëkryetarit të koalicionit Ilir Meta për zëvendësimin e tij, si opsion i parë.
Në shkresën e firmosur nga Kryeministri Edi Rama thuhet: “Në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së bashkëqeverisjes dhe të koordinimit sa më të mirë të punës me Kuvendin, aktorët e tjerë shoqërore e grupet e interesit, për çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi, kam gjykuar të nevojshëm lirimin e Ministrit Manjani dhe zëvendësimin e tij me Ministrin Vasili”.
Ky vendim i kryeministrit, Edi Rama erdhi pas një situate të tensionuar në gjirin e koalicionit qeverisës gjatë fundjavës, për shkak të disa deklaratave të forta të përfaqësuesve të LSI-së kundër punës së qeverisë, Policisë së Shtetit apo edhe eksponentëve lokalë socialistë.
Gjthsesi, këto ditë kanë treguar një nervozizëm në rritje mes dy partive dhe megjithëse largimi i Manjanit nuk pritet të sjellë prishjen e koalicionit, sigurisht e fut atë në një situatë krejt tjetër pak muaj para zgjedhjeve dhe kur akoma të dyja partitë nuk e kanë rikonfirmuar vazhdimin e koalicionit edhe për zgjedhjet e 18 qershorit.