Arta Dade: Nuk na afrohet njeri për ideal kur jemi në qeveri

Deputetja socialiste Arta Dade, vjen në një revistë ndryshe, ku flet jo vetëm për politikën, por edhe për jetën e saj.

Shumë gra në politikë venë e vijnë ndërsa ju jeni përherë atje, stoike dhe gjithnjë e suksesshme. Si ia dilni?

Unë jam angazhuar në politikë në ’91- shin, ekzaktësisht ditën që është themeluar Partia Socialiste. Në atë kohë jepja mësim në universitet dhe studentët po më prisnin për provimin me gojë, pasi kishin përfunduar provimin me shkrim në lëndën kryesore të studentëve të gjuhës angleze. Pikërisht në këtë kohë, mora pjesë në Kongresin e themelimit të Partisë Socialiste si e ftuar dhe nga kurioziteti për të parë se ç’do të bëhej me të majtën moderne që i mungonte aso kohe Shqipërise, vetem 7 muaj nga themelimi i të parës parti opozitare PD-së me pretendimet se orientohej nga e djathta. Në fakt, ata që po përgatisnin programin e Partisë Socialiste ishin intelektualë dhe ish- kolegë të Universitetit, nga fakultete të ndryshme, të cilët kishin pasur fatin të kryenin studimet pasuniversitare në vendet e Perëndimit, siç është Franca por edhe Suedia apo Italia. Në këtë kontekst, isha kurioze të dija se çfarë risish do t’i sillte politikës së re themelimi i një force në të cilën do të aderonin intelektualë, që unë edhe i njihja personalisht. Duke qenë edhe vetë dëshmitare e zhvillimeve të vrullshme të vitit 1990, edhe për arsye se shumë studentë të cilët i njihja personalisht dhe i inkurajoja, morën pjesë në këto protesta, ishte e pashmangshme ta shihja me interes politikën, sidomos sepse Shqipëria ishte vendi i fundit i Bllokut Komunist që nuk ishte hapur ende drejt demokracisë e Perëndimit pas dekadash izolim të rregjimit komunist.

Në 25 vite angazhim në politikë, padyshim që ka privime të jashtëzakonshme të jetës personale, të jetës familjare dhe pikërisht për këtë arsye, pas vendosmërisë sime dhe me mbështetjen e familjes, çdo vit që kalonte e shihja si një investim, si një vlerë të shtuar të jetës sime, dhe sa herë mendohesha gjatë këtyre viteve kur kaloja momente pse jo, edhe dëshpërimi, mendoja të largohesha, por, përherë zëri i brendshëm më thoshte që investimi nuk mund të lihet në mes të rrugës, shto dhe faktin që unë nuk jam natyrë që heq dorë lehtesisht prej angazhimeve të mia edhe si detyrim ndaj atyre që më kanë votuar e mbështetur pa mëdyshje gjatë gjithë jetës sime politike.
Kam vendosur të qëndroj sepse çastet që mërzitesha në politikë, nuk vinin për shkak të punës sime apo për shkak të dështimeve të mia personale por, vinin si rezultat i mungesës së drejtësisë dhe gjykimeve të atyre që shpeshherë kanë në dorë angazhimin, vlerësimin e grave në veçanti si dhe të gjithëve që angazhohen në politikë, në përgjithësi. Kjo sigurisht pra, nuk ka të bëjë me ata që na vlerësojnë dhe na votojnë; elektoratin, të cilit i jam pafundësisht mirënjohëse, sepse gjithnjë më ka vlerësuar e frymëzuar. Sa herë kam folur publikisht kur gjerat nuk shkojnë sikurse do të dëshironim, më vijnë mesazhe pa fund mbështetjeje dhe inkurajimi. Ky është elementi pothuajse i vetëm që më ka bërë të rezistoj. Gjykoj që njeriu i drejtë di t’i japë udhë edhe indinjatës. Kam pasur një karrierë normale politike edhe pse shpesh mund të duket dhe kuptohet se në mjaft raste jam anashkaluar, në mënyrë të veçantë nga drejtuesit aktualë të Partisë e Qeverisë. Ndoshta kjo, për shkak se unë kam shprehur gjithmonë kritikën time për mosrespektimin e strukturave siç është Kryesia dhe Asambleja, por mbështetjen e kam gjetur në bazën e partisë. Kam vlerësuar gjithmonë elektoratin që voton individin më shumë sesa partinë. Shoqëria shqiptare ka qenë gjithnjë më e avancuar se politika dhe ata që e kanë drejtuar politikën.

E ndjeni veten si mbartëse e vlerave të Partisë Socialiste dhe për këtë arsye jeni paksa edhe nostalgjike për atë që mund të ketë qenë PS?

Pa dyshim që kam nostalgji që së bashku me mjaft kolegë të mi: gra dhe burra të Partisë Socialiste, në kushtet e vështira të opozitës së parë që kemi pasur, përfshirë këtu edhe mungesën e kulturës demokratike dhe sfidat e mëdha që kishte Shqipëria asokohe, si një vend i sapohapur drejt demokracisë, kishim më shumë idealizëm dhe më shumë dëshirë për të kontribuar për vendin, jashtë çdo interesi vetjak material. Më duket se këto vlera në kohën që jetojmë kanë humbur. Këto vlera është e rëndësishme të rikthehen për t’i transmetuar te brezi i ri. Duhet të shohim me vëmendje nëse “Shqipëria e gjeneratës tjetër” për të cilën flitet është thjesht retorikë apo është një fakt! Shoh që brezi i ri përvetëson më shpejt disa praktika pragmatiste të cilat mund të sjellin dëm për një karrierë normale politike, sesa vlerat.

Mendoni se kanë humbur vlerat ideologjike brenda partive, në veçanti brenda PS- së?

Lidhur me vlerat ideologjike, gjykoj që nuk ka forcë politike e cila është alternativë qeverisëse, që të mos ketë edhe bazën ideologjike mbi të cilën mbështet programin qeverisës, dhe unë nuk e shoh të papajtueshëm këtë element me partinë elektorale që tenton të shtrijë bazën e vet te votuesve edhe për atë kategori votuesish që nuk e votojnë sistematikisht apo tradicionalisht por, sipas interesave që ndajnë në momente te caktuara. Fjala është për interesa të ligjshme.

Për sa kohë që Partia Socialiste zë vend në suazën social-demokrate të politikës europiane por, edhe globale, e duke qenë që jemi edhe anëtarë të internacionales socialiste, kjo tregon që ne jemi një parti ideologjike por nuk jemi vetëm parti ideologjike, dhe këtu unë besoj që duhet të jemi mjaft të kthjellët lidhur me ideologjinë që kemi përvetësuar dhe pikësëpari me vlerat e të majtës europiane dhe të majtës moderne. Madje, shkollat që ne bëjmë: Shkollat e Verës, Akademia Politike për të rinjtë, së pari duhen edukuar me parimin e ‘të majtës moderne’ por, pse jo edhe të së ‘djathtës moderne’. Një politikan duhet të njohë politikën moderne e trendet e zhvillimit praktik në mënyrë që të angazhohet në betejat politike mbi bazë idesh, alternativash e programesh. Për fat të keq sot këto nuk njihen këto e debati politik ka kapur nivele rekord të ulta. Druaj se një numër i madh i afrohen strukturave partiake kur partia është në qeverisje jo se e kanë pasion politikën por, sepse e shohin si të vetmen mundësi për të rregulluar në një farë mënyre jetesën.

Në themel të politikëbërjes tonë duhet patjetër të jetë politika sociale. Për fat të keq, kemi devijuar nga kjo linjë në më të shumtën e rasteve kur na është dashur të bëjmë reforma të thella e këto jo përherë janë shoqëruar me elementet e politikave sociale për kategoritë sociale në nevojë. Unë kam kërkuar që me tryeza ekspertësh të bëjmë ballafaqimin me programin dhe me realizimin e tij në këto tre vjet. Nëse ne do të bëhemi edhe të majtë, edhe të djathtë, edhe të qendrës e ndonjëherë edhe të ekstremit të majtë apo të djathtë, humbasim fokusin e asaj për të cilën jemi votuar. Dhe baza e çdo force politike është elektorati që i voton! Ky është elektorati që nuk të kthen kurrizin edhe kur je në opozitë. Ne kemi bërë pak për këtë kategori.

Keni qenë ministrja e parë e Jashtme grua (dhe deri tani e fundit), në vitet 2001-2002. Si e kujtoni këtë eksperiencë? Cilat kanë qenë peripecitë, vështirësitë, apo ndonjë episod i veçantë që mbani mend?

Besoj që ky është një post politik që të jep kënaqësi të veçantë por edhe përgjegjësi maksimale në kuptimin e përfaqësimit politik që i bën vendit në arenën ndërkombëtare. Kur përfaqëson një vend me probleme të mprehta dhe kur punët nuk ecin mirë brenda vendit, Ministrit të Jashtëm i duhet të që të shpjegojë jo vetëm për arritjet por edhe për mosarritjet. Për fat të keq, konfliktualiteti i vazhdueshëm në politikën shqiptare, një Ministër të Jashtëm e vendos në pozicione pak të vështira, veçanërisht kur Shqipëria ka qenë në procese integruese, si Ministër i Jashtëm, të duhet të shpjegosh pse punët nuk ecin kaq mirë në politikën e brendshme. Shpeshherë, kërkesës së partnerëve tanë ndërkombëtarë: “Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë.”duhet patjetër që t’i përgjigjesh me një politikë të brendshme të mirë që të japësh një politikë të jashtme të shkëlqyer. Unë nuk kam qenë për një kohë të gjatë Ministre e Jashtme, sepse për shkak të zhvillimeve të brendshme në parti por edhe në vend, m’u desh të largohesha dhe të rikthehesha sërish në postin e Ministres së Kulturës në qeverinë e tretë të Fatos Nanos, në vitin 2002, por, fakti që kemi pasur për herë të parë tre gra ambasadore dhe fakti që diplomatet në Ministrinë e Jashtme shkonin thuajse drejt 45% – 50 %, padyshim që më ben te ndjehem mirë. Që në atë periudhë, kam menduar që gratë në diplomaci; me mënyrën e vet të komunikimit, me paraqitjen dhe ëmbëlsinë por edhe personalitetin e autoritetin, atëherë kur duhet manifestuar, e çojnë punën përpara.

Momenti i pashlyeshëm në kujtesën time ka qenë ditën që do të merrnim votëbesimin e qeverisë, në shtator të vitit 2001. Kur unë po përgatitesha për të shkuar në Parlament, televizionet transmetuan pamjet tronditëse të sulmit terrorist të 11 shtatorit ndaj Kullave Binjake në SHBA. Më është dashur që punën si Ministre e Jashtme ta nis me një homazh për viktimat por edhe me mesazh solidariteti e ngushëllimi drejtuar Sekretarit të Shtetit në atë kohë, Colin Powell. Ato muaj pati edhe një axhendë shumë të ngjeshur diplomatike në rrafshin europian por edhe atë të Kombeve të Bashkuara e NATO-s. Shqipëria ishte në grupin Vilnus 10 që përgatitej për anëtarësim të plotë në NATO e një ndër vendet e para që u rreshtua në koalicionin antiterror.

Kujtoj gjithashtu momentin kur së bashku me Presidentin Mejdani, u bëmë “Qytetarë Nderi” në New Orleans. Gjithashtu, kujtoj edhe takimin me Presidentin Klinton, i cili e kishte mbaruar mandatin e tij si Presidenti shqiptar në atë kohë, Rexhep Mejdani, i akordoi një dekoratë në shenjë vlerësimi për gjithçka që Klinton kishte bërë për shqiptarët në rajon e në veçanti për Kosovën.

Diçka tjetër që nuk mund të lë pa përmendur është kur Madeleine Albright krijoi klubin e grave Ministre të Jashtme, vetëm 15, në mbarë botën në atë kohë; një mundësi më shumë për t’u takuar e diskutuar për vendet tona, por edhe për sfidat e përbashkëta.

Sigurisht, kujtoj edhe takimet me homologë të vendeve të BE, rajonit, të nismave shumëpaleshe apo edhe pjesëmarrje në konferenca të rëndësishme, vizita zyrtare reciproke të cilat janë rutinë e punës së përditëshme të MPJ të çdo vendi.

Angazhimi për mbështetjen e Kosovës së pasluftës përbënte një kapitull tjetër të punës intensive të MPJ si edhe kryesimi i rradhës i SEECP e i BSEC. Vizita zyrtare në Kosovë në Mars 2002 është po ashtu mbresëlënëse, po aq edhe vizita në Mal të Zi me rastin e rihapjes së pikës kufitare të Murriqanit mbas 54 vitesh.

Çfarë mendimi keni për ‘kuaotat rozë’ apo përfshirjen e grave në masën 50 % në Parlament dhe në qeverisjen vendore?

Mendoj se është diçka shumë pozitive që ne kemi vendosur kuota, përtej faktit që ka pasur vështirësi në përmbushjen e plotë sipas ligjit elektoral. Në pjesën e pushtetit vendor, është realizuar deri në 38 %. Kjo, sepse partitë e vogla në koalicion, listat i nisin me një emër burri, për rrjedhojë duke fituar vetëm një vend, ato praktikisht kanë ulur përqindjen e kërkuar. Ndërsa, partitë e mëdha: PS, LSI dhe PD e kanë realizuar përfaqësimin 50 % në Këshillat Bashkiakë, madje, në Bashkinë e Tiranës, gratë kanë një përfaqësim pak më të lartë sesa burrat. Shpresoj që në Parlamentin e ardhshëm të kemi 50 % gra duke avancuar instrumentat ligjorë por edhe kriteret brenda forcave politike, në mënyrë që 50 % të jetë produkt i pas zgjedhjeve dhe jo vetëm në lista.

Por, kuotat nuk janë çelësi i vetëm i zgjidhjes së problematikës sepse në Parlament ka si gra edhe burra të cilëve nuk iu dëgjohet zëri. Prandaj, duhet të përzgjedhim edhe cilësinë. Gratë me personalitet të fuqishëm, gra eksperte në fushat e tyre, specialiste dhe shkencëtare si rasti i Mimoza Hafizit, sigurisht që nuk i mungojnë Shqipërisë.
Për fat të keq, edhe qeveria aktuale nuk ka ditur t’i përfshijë gra me këto cilësi në Administratën Publike apo në struktura të tjera të qeverisjes. Potenciali ekziston, por ende nuk është shfrytëzuar mirë. Zgjidhen gra të cilat konformohen edhe me shkelje të rregullave. Unë nuk them të bëjnë revolucion duke kundërshtuar por, gjykoj që atje ku diçka nuk ecën mirë së pari janë gratë ato të cilat duhet të kundërshtojnë dhe të ofrojnë alternativa se si mund të përmirësohet një ecuri me probleme.

Per mua heshtja dhe konformimi me gabimet apo mosrealizimet, perveçse të papranueshme, jane edhe të dëmshme. Në politikë nuk mund të mbijetosh përmes servilizmit! Gratë nuk janë numra dhe shifra, por, profile të spikatura me zërin e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për burrat. Mendoj se ka ardhur koha që gratë të drejtojnë! Gratë në qeverisjen aktuale janë shtatë e ky është një hap për t’u përshëndetur, por ato janë përzgjedhur nga kryeministri si preferencë personale e jo si rezultat i një procesi përzgjedhës mbi bazë kriteresh politike apo profesionale. Për rrjedhojë, sikurse edhe ministrat, i janë mirënjohës Kryeministrit por jo strukturave të Partisë që ka fituar zgjedhjet e që si rregull duhet konsultuar. Gjithsesi ne i kemi mbështetur pa mëdyshje e presim performancë për të përmbushur programin që kemi votuar në Parlament e shqiptarët në zgjedhje. Është gjithashtu e gabuar që prania e këtyre grave në qeveri perceptohet si meritë e Kryeministrit. Sipas meje, ajo duhet te jetë rezultat i përpjekjeve të PS që nga themelimi për angazhimin e më shumë zonjave e vajzave me vlera në politikë.

Nëse do ju thoja: Arta nënë, Arta grua dhe Arta politikane, çfarë mbiemri do të shtonit në secilën prej tyre?

Unë besoj që këto janë shumë të ndërthurura me njëra-tjetrën persa i përket kohës fizike që duhet të ndash. Në politikë nuk e kam parë veten asnjëherë për arsyen e kuotave për pjesëmarrjen e grave apo të domosdoshmërisë për të mbushur listat e kuotave. E kam konsideruar veten një individ, një politikane dhe sigurisht besoj që kam bërë përpjekje për të ndarë kohën midis angazhimit publik dhe angazhimit tim si nënë, duke qenë e lumtur që kam dy djem të cilët kur unë nisa angazhimin tim në politikë ishin në një moshë tepër delikate, në vitet e adoleshencës, dhe natyrisht që duhet t’u qëndroja shumë pranë. Në ato vite, unë jepja mësim në fakultet dhe në fakt, në politikë kam qenë vullnetare, domethënë nuk paguhesha, e kjo për një periudhë 6- vjeçare. Vazhdoja të jepja mësim në fakultet. Besoj që vullnetarizmi është një praktikë që mjaft parti edhe në BE e praktikojnë, qofshin këto të majta apo të djathta. Kjo, më pas, shtrihet në formë kapilare në të gjitha strukturat dhe elementët e shoqërisë.

Një nga keqardhjet më të mëdha me futjen në politikë është largimi nga universiteti ku kam punuar për shumë kohë si pedagoge. Në 1997-ën, kur u zgjodha deputete e Lushnjes, fitova bursën Fullbright, por duhej të lija elektoratin për nje vit, në një kohë kur ata kishin nevojë për t’i përfaqësuar por edhe për të hartuar projekte zhvillimore pas krizës më të thellë në historinë tonë moderne.

Jeni nostalgjike? I riktheheni fotove të vjetra?

Jam nostalgjike. Më parë njerëzit kanë qenë më të çlirët nga interesa të ngushtë ekonomikë apo pragmatistë dhe dashuria njerëzore e miqësia e vërtetë ishin realisht të shtrira në të gjithë dimensionin e tyre. Në mënyrë të veçantë, vitet e shkollës, më bëjnë nostalgjike duke qenë se nga Shkolla e Gjuhëve të Huaja ne shkonim te gjithë në fakultet e duke qëndruar kështu së bashku për 7 vite, të njëjtët miq e shokë në klasë. Dhe kemi mbetur të tillë. Shpesh takohemi edhe sot, me të njëjtin respekt e miqësi.

Kam nostalgji edhe për punën e dikurshme në ndërtimin e hekurudhave apo brezareve, përtej detyrimit prej procesit arsimor, ne punonim për vendin e për brezat që vinin pas nesh. Modelet e demokracisë tejet të deformuara që u ofruan nga politikanët e pas viteve ‘90, shkatërrimi që i është bërë madje edhe hekurudhave, sigurisht që është diçka që nuk na rreshton krahas popujve të civilizuar. Disa vlera të Shqipërisë nuk i ndërtoi Partia Komuniste e as Enver Hoxha por, prindërit tanë.

Kryeministri Rama përpara disa kohësh na surprizoi kur tha në formë ‘batute’ se shumë shpejt Artën do ta shohim si Ministre e Brendshme në Qeveri. Cila është e vërteta e kësaj batute?

Ishte një shaka e Kryeministrit. Nuk besoj se e kishte seriozisht. Kryeministri ka autoritetin për të ftuar ministrat në qeverisje dhe unë nuk kam asnjë keqardhje që nuk jam në këtë qeveri, për arsye se detyrën që kam si Kryetare e Komisionit të Jashtëm përveçse e kryej me pasion dhe me shumë përkushtim, kam edhe kënaqësinë e veçantë që të bashkëpunoj me kolegë që kanë njohje të politikës së jashtme, siç janë Ben Blushi, Namik Dokle, Valentina Leskaj por edhe nga ana e opozitës: Aldo Bumçi, Eduart Selami, Kastriot Islami, Jozefina Topalli, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule si edhe disa kolegë të rinj në këtë detyrë si Luljeta dhe Edlira. Me angazhimin e tyre, ne e kemi bërë Komisionin e Jashtëm të funksionojë si kurrë më parë! Por, kam kënaqësinë të bashkëpunoj ngushtësisht edhe me Kryetarin e Parlamentit z. Meta, i cili i njeh mirë dhe i vlerëson çështjet e politikës së jashtme. Si vend kandidat i Bashkimit Europian ne ftohemi në të gjitha takimet rregullisht, në presidencat e BE si dhe në takime ndërparlamentare; një mundësi më shumë kjo, për të lobuar për mbështetje të parlamenteve të vendeve të BE në për axhendën tonë Europiane.

E ashpërson politika gruan apo gruaja e zbut politikën?

Unë besoj se tiparet individuale të grave në politikë nuk duhet të tjetërsohen. Kur vetë gratë vendosin të angazhohen në politikë, është një vendim së pari personal. Në fakt, këtu fillon të qenit një politikane e konsoliduar. Në qoftë se dikush tjetër do të të marrë për dore e do të të angazhojë në politikë dhe ti nuk je e bindur në atë që dëshiron të bësh, apo nuk ke pasionin e duhur për një detyrë të caktuar, edhe suksesi nuk do të jetë i plotë. Nisur nga kjo, gratë sigurisht që duhet t’i japin politikës fytyrën humane. Në qoftë se gratë do të sillen si burra në politikë atëherë ç’kuptim do të kishin gjithë përpjekjet madhore mbarëbotërore për të rritur shifrat e përfaqësimit të grave në politikë. Me lejoni të citoj znj. Albright e cila ka thënë që suksesi është i mundur në demokraci, por demokracia nuk mund të ekzistojë pa kontributin e grave.

Sigurisht që ka momente kur ne na duhet të jemi edhe të ashpra por ashpërsinë unë e konsideroj si forcë argumenti e cila nuk ka të bëjë me fjalorin vulgar e as me gjeste të papërshtatshme që kapërcejnë etikën. Forca e grave por edhe e burrave në politikë qëndron te argumenti dhe alternativa të shprehura me durim e tolerancë.

Si e keni ruajtur balancën mes angazhimit privat dhe publik? Si e keni ndërtuar jetën familjare?

Sigurisht që ruajtja e një balance mes angazhimit privat dhe profesional e bën një grua të ndihet mirë me veten. Në rastin tim, unë jam bërë gjyshe që në vitin 1997 dhe përveç kohës që kam përcaktuar për të kaluar me familjen time, me fëmijët e mi, nuk harroj asnjëherë të gjej kohë për të qëndruar edhe me nipat me të cilët kaloj kohë të vyer e madje, i marr edhe me vete kur më duhet të shkoj për angazhimet politike në zonën time elektorale, në Kolonjë. Keini, nipi 18 vjeçar pëlqen të ngjisë malin e Gramozit. Më pëlqen gjithashtu që ata kanë një mundësi më shumë të njohin Shqipërinë. Prania e tyre më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme./Madamemapo.al

SHKARKO APP