Artan Fuga: A rrezikon Shqipëria të jetë Bosnja e ardhshme?

Placeholder Image

Nga Artan Fuga

Ka disa ditë që në media po qarkullon një projektvendim për Këshillin e Ministrave, firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi, i cili me eufemizëm po paraqitet si një dokument juridik që lidhet me përdorimin e gjuhëve të pakicave kombëtare në territorin e Shqipërisë. Ngaqë askush nuk e ka mendjen veç te skandalet e ditës, ky dokument po kalon si pa u vënë re, veç ndonjë medieje si BalkanWeb ose gazeta «Panorama» që kanë nxjerrë në pah pjesë të tekstit të dokumentit në fjalë dhe kanë dashur të tërheqin vëmendjen e analistëve, studiuesve, publikut rreth atij dokumenti.

Me thënë të drejtën, vëmendja ka qenë e pakët nga ana e publikut, sepse shërbimet përkatëse të institucioneve duket sikur me qëllim e kanë mbuluar këtë dokument me një pështjellë gati të padeshifrueshme, a thua se kanë dashur që publiku të mos kuptojë se çfarë po ndodh. Gjërat e rëndësishme bëhen në fakt më mirë kur kalojnë në heshtje, ose kur tërhiqet vëmendja e publikut drejt agjendave të tjera pa lidhje me të parat. Në këndvështrimin tim, përpara kësaj që rrezikon të ndodhë, të gjitha ato që i kemi quajtur skandale ose drama kombëtare nuk janë asgjë, as mbjellja e tokave me lëndë kanabisi, as emigrimi i popullsisë jashtë vendit, as korrupsioni, as vonesa në integrimin evropian etj.

Dhe, në fakt, kur ka një ligj kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë, si edhe një ligj të mëparshëm për regjistrimin e popullsisë, kur Kushtetuta e Shqipërisë i merr nën mbrojtje në nderin tonë si komb pakicat kombëtare që jetojnë te ne, pyetja që të lind është : çfarë është ky vendim kryeministror që po përgatitet? Po të shohësh tekstin e dokumentit, pothuajse katër të pestat e tij e zë paraqitja se kush do të jetë në një farë komisioni të posaçëm për njohjen e pakicave kombëtare, me thënë të drejtën një çështje pesë me hiç.

Por, në atë një të pestën, sikur edhe në një dokument shtesë, kemi të bëjmë me një ferrë ku fle një lepur i madh sa një derrkuc!!! Sipas analizës sime, në këtë dokument po ndodh në pushtetin lokal, pra në qeverisjen e vendit, një ndryshim tërësor, ne po kalojmë nga një shoqëri multikulturore, pra ku bashkëjetojnë kultura etnike dhe të pakicave kombëtare bashkë me kulturën kombëtare shqiptare si kulturë e kombit shtetformues, në një shtet multltikulturor.

Çfarë do të thotë shtet multikulturor? Është një shtet që nuk i trajton karakteristikat kulturore të bashkësive të kombit apo pakicave kombëtare si çështje private, si çështje të të drejtave individuale private të qytetarëve, por komunitetet kombëtare dhe kulturore i konsideron si pjesë të qeverisjes.

Pra, shteti nuk baraslargohet nga kulturat, traditat, gjuhët e individëve që janë shtetasit e tij, por bëhet një hapësirë juridike, institucionale, politike si një arenë ku veprojnë komunitetet e ndryshme kulturore dhe kombëtare. Në një farë mënyre, nga një shtet neutral, unitarist, i një kombi që e ka formuar, por që nuk denigron as privilegjon gjuhët dhe kulturat minoritare, kthehet në një shoqëri komunitariste dhe në një shtet komunitarist. Ky projektvendim për të cilin po flasim në këtë mënyrë me pak rreshta nis ndryshimin e modelit të shtetit që konceptuan rilindasit dhe që themeloi Ismail Qemali.

Pa dyshim që të drejtat e individëve që bëjnë pjesë në pakicat kombëtare, sikurse edhe të drejtat e tyre politike e kulturore kolektive, duhen respektuar, duhen zgjeruar shumë më tepër sesa deri tani. Pa u zgjatur në këtë fushë, e drejta e përdorimit, ruajtjes dhe mësimit të gjuhës së tyre amtare dhe e edukimit në gjuhën e tyre amtare është e pashkrueshme.

E drejta për të pasur akses në hapësirën mediatike publike, për të zhvilluar kulturën specifike, duke pasur subvencione nga shteti, për të pasur lidhje të natyrshme me kombet-mëmë, për të mos u diskriminuar në asnjë farë forme, për shanse të barabarta në karrierë, treg, nëpunësi etj., sikurse edhe anëtarët e kombit shqiptar, janë vlera të rëndësishme që lidhen me vetë thelbin e një shteti demokratik dhe të sigurimit të paqes sociale dhe të qëndrueshmërisë së marrëdhënieve dhe besimit reciprok brenda grupeve të ndryshme të popullsisë.

Megjithatë, në projektvendimet që përmendëm, (mirë është që gjithëkush t’i lexojë), shoqëruar me një relacion që nuk të thotë asgjë veç perifrazon tekstin dhe nenet e vendimeve, tejkalohet fort kuadri kushtetues dhe ligjor i vendit, sikurse është edhe ligji për pushtetin vendor, dhe krijohet e pabesueshmja!

Me një vendim të kryeministrit ndryshohet thelbi i qeverisjes që është zemra e shtetit! E them hapur dhe drejtpërdrejt : Tjetër është emancipimi i shtetit shqiptar duke u bërë i barabartë, i drejtë, neutral, me të gjithë individët që janë shtetasit e tij, nga ku jemi ende larg për t’u gëzuar, dhe krejt, krejt tjetër, krijimi i një shteti multikulturor, i një shteti komunitarist, i cili të inkurajojë strukturimin e komuniteteve me baza kombëtare dhe etnike në hapësirën lokale të qeverisjes.

Nëse kjo ndodh në Bosnjë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, kjo ndodh atje për shkaqe historike, të rrugës që kanë ndjekur këto shtete për t’u themeluar dhe të konstitucionit social të tyre. Rasti i tyre dhe rasti i Shqipërisë nuk kanë asnjë ngjashmëri. Shtetin komunitarist edhe në qeverisjen lokale nuk e ka as Franca, as Italia, as Gjermania, as Portugalia, as Anglia, as Polonia, as vendet nordike etj., me një demokraci shumë më të përparuar sesa e jona, nuk dihet se cilat janë argumentet për ta zbatuar atë te ne.

Nëse kjo ndodh në Qipro, në Spanjë, në Belgjikë, a gjetiu sikurse janë edhe disa vende të Ballkanit, edhe kjo lidhet me përvoja historike konkrete dhe nuk konsiderohet aspak një model universal. Pret të gjesh në relacionin përkatës që shoqëron projektvendimet ndonjë fjalë për sa shprehëm më lart, të gjenden argumente për këtë ndryshim në qeverisjen vendore të shtetit shqiptar, por është e kotë. Pret të gjesh se çfarë risish sjell ky dokument në krahasim me Kushtetutën apo ligjet që janë tashmë në fuqi, por është e kotë. Vetëm në Shqipëri ndodh që një projektvendim guxon të tejkalojë rendin ligjor kushtetues të vendit!!!

Ndryshimet në fakt, sado të mbulohen ose të mos nxirren në pah janë të shumta. Ja çfarë kam dalluar unë në një vështrim që ende nuk e pretendoj të plotë dhe të thelluar: 1-Në tekstin e projektvendimit flitet vende-vende për pakica, dhe jo për pakica kombëtare. Duhet ta kenë të qartë se termi «pakica» në gjuhën juridike dhe politiko-filozofike ndërkombëtare është gjenerik dhe përfshin lloje të ndryshme paikcash: kombëtare, etno-kulturore, etnike, diaspora etj. Këto grupe shoqërore kanë karakteristika shumë të ndryshme prej njëri-tjetrit dhe prandaj atyre u rezervohen të drejta dhe statuse shumë të ndryshme.

Kurse dokumenti në fjalë flet në vende të caktuara për «pakica» ndërkohë që ligjet në fuqi dhe Kushtetuta e kanë të përcaktuar qartë që bëhet fjalë për «pakica kombëtare», dhe i dallon ato nga minoritetet e tjera.

Ligjet dhe Kushtetuta kur flasin për individët që janë anëtarë të këtyre «pakicave» kanë parasysh literalisht shtetas shqiptarë. Pra, u akordon të tilla të drejta që quhen suplementare shtetasve shqiptarë, kurse projektvendimi kur presupozon krijimin ose njohjen e këtyre «pakicave», përcakton jo pak herë se individët që i përbëjnë ato quhen «persona». Nuk e di nëse e dinë relatorët dallimin midis konceptit «shtetas» dhe konceptit «person»? Nëse e dinë, pra që shtetasi nuk është thjesht një «person», por është dikush që ka nënshtetësinë shqiptare, atëherë duhet edhe të pranojnë se rrëshqitja terminologjike nga «shtetas» te «person» do të thotë që pakicë kombëtare mund të kërkojë të shpallet edhe një grup azilantësh, ose emigrantësh, ose një diasporë e caktuar ku individët që i përbëjnë të mos kenë pasur aspak nënshtetësinë shqiptare. Le ta tregojnë se ku e kanë gjetur këtë standard, këtë model, sepse do ta ndihmonin shumë publikun.
Deri më tani, sipas kuadrit kushtetues të vendit, si edhe të ligjeve që janë në fuqi, pakica kombëtare konsiderohen ato tradicionale që duket se janë nja nëntë, duke përfshirë pakica kombëtare greke, malazeze, rome, egjiptiane, vllehe, maqedonase etj. Dhe të drejtat e përdorimit të gjuhës së tyre në mësim, edukim publik etj., janë në ato zona ku ato shtrihen tradicionalisht dhe në varësi të numrit të tyre. Mësimi i gjuhës së tyre amtare në shkollat publike theksohet që bëhet sipas mundësive. Ndërkaq me këtë projektvendim, situata ndryshon katërcipërisht. Për të bërë kërkesën për t’u njohur si pakicë komunitare mjaftojnë 300 firma dhe sigurisht aprovimi që nis me një komision teknik e që përfundon te vendimi kryeministror. Shumë e çuditshme që konstitucioni etno-kulturor i shoqërisë shqiptare të përcaktohet po ashtu sikurse ndërtohet një xhadé ose një hidrocentral, apo hapet një universitet privat, pra nga një vendim kryeministror. Ndërkohë që kjo është një çështje madhore kombëtare dhe që e tejkalon shumë si kohë dhe rëndësi një mandat katërvjeçar të një kryeministri. Sipas projektvendimit mjafton që një komunitet «personash» të mblidhen në një masë prej 300 vetësh dhe ata shpresojnë dhe pretendojnë të shpallen komunitet minoritar kombëtar, duke kërkuar pastaj të gjitha të drejtat që parashikon ligji dhe Kushtetuta.
Deri tani për përdorimin e gjuhës amtare në zona të ndryshme ku banojnë komunitete minoritare në një masë prej 20 për qind të asaj popullsie, akordoheshin të drejta linguistike për mbishkrime, për tabela rrugësh dhe vendesh, për mësimin në agjencitë publike, për shkollat private, për njohjen e akuzave nga organet kompetente në gjuhën «që kupton» i pandehuri etj. Kurse sipas projektvendimit ndodh një ndryshim i madh. Një komunitet kombëtar minoritar, nëse në një njësi pushteti lokal zë 20 për qind të popullsisë, atëherë është njësia e pushtetit në fjalë që ndryshon natyrën e vet. Bëhet multikulturore. Bashkia është e detyruar që në marrëdhëniet me komunitetin në fjalë të përdorë gjuhën e tij. Ky komunitet dhe personat që e përbëjnë kanë të drejtë të kërkojnë që shërbimet e pushtetit lokal të bëhen në gjuhën e tyre, si edhe peticione, kërkesa, iniciativa dëgjesash qytetare, marrje pjesë në projekte transparence etj., i siguron në gjuhën e vet amtare.
Kjo do të thotë që përdorimi i gjuhës do t’i formësojë këto komunitete si grupe shoqërore të strukturuara. Kjo sepse e gjithë veprimtaria e tyre politike lokale, nismat qytetare të tyre, marrëdhëniet me pushtetin lokal, do të bëhen në gjuhën amtare. Siç duket, relatuesit e këtij vendimi fatkeqësisht nuk kanë asnjë njohuri shkencore nga fusha e marrëdhënieve ndërkulturore. Ata nuk e dinë se është një komunitet spontan etnik dhe kombëtar që prodhon gjuhën kombëtare individuale të pazhvilluar në masë. Por, është gjuha dhe përdorimi i saj që e strukturon, e organizon, e ndërgjegjëson, e formëson politikisht, e inkurajon në veprim politik dhe për pushtetin, i pjek ndërgjegjen politike një komuniteti kombëtar. Nga grup social komuniteti minoritar shndërrohet në bashkësi të organizuar, ndoshta edhe politike, brenda pak vitesh.
Kështu, pushteti lokal nuk do të jetë më ligjërisht i baraslarguar nga çdo individ pavarësisht gjuhës, kulturës, traditave të tij kulturore që trajtohen aktualisht si çështje private, por kthehet në një arenë dhe hapësirë tensionesh komunitariste. E kanë menduar rriskun e shndërrimit të hapësirave të pushtetit lokal relatorët në hapësira autonomie kulturore si në Qipro, Spanjë, Belgjikë etj.? Asnjë shenjë reflektimi të tillë nuk ka në relacion. Në vend të qytetarit individual ne do të kemi atje komunitete.

Më parë supozohej që anëtarët e një minoriteti në një territor qeverisjeje lokale duhej të ishin 20 për qind e asaj popullsie për të pasur të drejta gjuhësore të përdorura në arsimin publik, në mbishkrime etj. Pa përcaktuar se si ndërmerrej procedura për ta realizuar këtë të drejtë. Kurse tani projektvendimi ndryshon çdo gjë. Mjafton ta zëmë në një komunë të kemi 1 për qind «persona» aktivë politikisht që kërkojnë që komuna ose bashkia të kthehet në një hapësirë institucionale shumëkulturore. Supozojmë se në një komunë kemi 300 persona që vetëdeklarohen pjesë e një pakice kombëtare ose etnokulturore. Nëse ata do të ishin 20 për qind e popullsisë, komuna pra do të kishte qenë me 1500 banorë. Mjafton 1 për qind e të 300-ëve, pra do të mjaftonin 3 vetë që të paraqisnin kërkesën para kryetarit të Bashkisë a Komunës (hipotetikisht) për të nisur procedurat që Bashkia a Komuna të kthehej në shumëkulturore dhe multikombëtare. Por, sikurse thotë projektvendimi duhen persona që të jenë të aftë të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, ta kenë këtë aftësi. A nënkupton kjo për shembull që do të mjaftonin tre adoleshentë nga 15 vjeç për ta nisur procedurën?

Relacioni nuk na thotë gjë.

Gjithsesi, pyetja mbetet. A mund ta tejkalojë një projektvendim kuadrin kushtetues dhe ligjor të vendit? Pyetja mbetet: A mund të marrë kryeministri vendime që ndryshojnë strukturën socio-etnike të shoqërisë? Pyetja mbetet: A kemi menduar nëse i kemi arsyet dhe kushtet për të kaluar nga një shtet unitarist në një shtet multikulturor?

Pyetja mbetet: A do të rrezikojmë që pas dekadash t’u hapet rruga përplasjeve komunitariste, aq më shumë që në disa raste territori ku jeton pakica kombëtare është në vazhdimësi të shteteve ku këto pakica janë kombe shtetformuese. Mos po i hapim rrugën një organizimi regjional të pushteteve lokale, kundër natyrës unitariste të shteteve? A ekziston rreziku të bëhemi një Bosnjë? Relatuesit të na sqarojnë. Sikur të kishte Kuvend, ai duhet t’i kishte thirrur në dëgjesë.

SHKARKO APP