Artur Zheji: “Boshi” i Ramës dhe shpërthimi popullor i Metës

Fjalimi i dytë i Ramës, që ai mbajti në Kongresin e tij familjar (familje personale+familje politike), ishte, sipas tij, një bashkëbisedim me veten dhe me “tenxheren bosh” të Opozitarizmit, sipas tij.
Por ndoshta ishte, përsiatja e stërgjatur, në jerm dhe e vetëkënaqur e një qeveritari, tashmë ronxhobonxho, që edhe Opozitarizmin ja “bën Linda” në shtëpi, sëbashku me kafenë e mëngjesit (super tallje trapi kjo! Ec aty!)

Fjalori i tij, tenxhere/tepsi/kazan/timon, u shtua me “boshin” dhe me “Lindaopozitarizmin domestic”, që ai sheh, përpara, anash, përballë dhe kundër tij.
Mirëpo, duket se morri, atë që priste, 24 orë më vonë: “Shpërthimin e Boshit!”

Herët a vonë, kështu u ndodh të gjithë diktatorëve apo diktatorucëve, të rrethuar nga derkucë dhe kunadhe pa identitet dhe pa personalitet, që i përshkruajnë një realitet të rrejshëm, të gjoja gjithëfuqisë së liderit suprem, që i lëpijnë këpucët dhe i kapin ndonjë lek apo ndonjë favor në shkëmbim.
“Boshi”, për të cilin ankohej nuk egziston më!

Shpërthimi Meta, ishte përtej Metës, ishte në të vërtetë, nevoja e madhe e një populli të shtypur, për të protestuar dhe për të rivendosur Peshoren e përmbysur të ekuilibrave të dërmuara në këtë vend, ku burokratët të veshur spic dhe shumë shtrenjtë, konkurojnë me banditët, në përdhunimin e “robve”, anembanë Shqipërisë…

Nuk e gjejmë dot, se çfarë do ti thotë me këtë rast kryeministrit, opozitarja shtëpiake, apo Linda e Kongresit, por Populli, ne shumicë të vet, e tha fjalën e vet më 2 mars, kush ka sy, shikon, kush ka veshë dëgjon.
Kaq e thjeshtë është!

Ramëziu, zhvishe edhe njëherë shpatën dhe fillo luftën për të mbrojtur kapicën e gjynaheve, se ty të bie ta bësh, edhe njëherë!
Askush nuk ta ka zili në këto siklete që të presin o Beu ynë!
(Në këtë që jetojmë dhe në këtë botë që ke ndërtuar rreth vetes, nuk i dihet kurrë se nga të vjen! Sepse ashtu si në xhungël, kur kopeja e egërsirave që të ka zgjedhur prijës, të shikon të dobët e të pafuqishëm, të turret ty të parit, të shqyen dhe zgjedh prijësin e ri, që po pret rradhën, që të të thyhet ndonjë putër…)/360grade

SHKARKO APP