“Astiri”, Basha: Po shkojnë t’ua prishin shtëpiat pa ligj
Kreu i opozitës Lulzim Basha, ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘A Shoë’ të moderuar nga Adi Krasta.
Pyetjes nëse PD e përdori apo jo politikisht protestën, Basha ju përgjigj se sigurisht që jo, pasi është detyrë e opozitës që të jetë në krahë të qytetarëve.
Pjesë nga intervista:
Krasta: Pyetja e parë. E përdori Partia Demokratike protestën politikisht?
Basha: Sigurisht që jo. Është detyra jonë të jemi në krah të këtyre njerëzve. Po shkojnë t’u prishin shtëpiat pa ligj, pa ju dërguar një copë letër. 317 shtëpi, me mesatarish 2-3 kurora brenda, pra afërsisht një mijë familje. Vogëlushë të traumatizuar. Po të mos ishim aty, do të ishim në shkelje të misionit tonë. Jemi në misionin tonë dhe duhet të jemi aty, jo vetëm ne, po të gjithë ata që e kuptojnë se prishja e shtëpive të këtyre njerëzve, është një hap larg prishjes së shtëpisë,mirëqenies dhe harmonisë në familjen e tyre.
Krasta: Zoti Basha, pse nuk e vizituat ju policen me gishtat e vrarë në spital?
Basha: E vizitoi nënkryetari i komisionit të sigurisë, i çoi përshëndetjet e mia. Nuk desha ta përdor politikisht, sa herë që shkoj ka kamera, ka gazetarë, por i përcolla përmes nënkryetarit të komisionit të rendit dhe sigurisë, dhe deputetëve të mi, të gjitha urimet për një shërim të shpejtë.
Krasta: Po ndërkohë që ju folët për protestën dhe e ravijëzuat atë në bazë të këndvështrimit të opozitës, nuk e konsideruat një gjë normale që të bënit një përmendje apo një mbështetje të forcave të policisë?
Basha: Mbështetje kur rrahin qytetarët nuk do të kenë nga unë, kurrë. Unë kam qenë ministri i tyre, i kam mbështetur sa herë kanë mbrojtur ligjin, sa herë kanë mbrojtur rendin, por kësaj radhe ata janë përdorur për të mbrojtur antiligjin, për të mbrojtur shkeljen e të drejtave të këtyre njerëzve, për të rrahur me shkopinj dhe për të keqtrajtuar 15 vjeçarët, 13 vjeçarët, nëna shtatzënë, pse po mbrojnë shtëpitë e tyre. Ndaj mesazhi që ju jap është ky: mos u keqpërdorni, po ju keqpërdorin, jo për të mbrojtur ligjin, por për të goditur ligjin, për të goditur vëllezërit dhe motrat tuaja, që po mbrojnë shtëpitë e tyre, po mbrojnë ligjin dhe kushtetutën.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/650456392022609/
Krasta: A mund të më thoni ju mua, ku qëndron, përveç prishjes së shtëpive, sipas mendimit tuaj personal, e kritikueshmja, e shqetësueshmja, në raport me gjithë këtë ngjarje?
Basha: Është një vjedhje. Unaza është sebepi. Puna e komisarit ishte loja. Puna e Unazës është loja. Është vjedhje e pastër. 40 milionë eurot e taksave të tua, të operatorëve që keni këtu në sallë, të të gjithë shqiptarëve, po vidhen në një Project fantazmë. Nuk do të hyj në të gjitha shkeljet, se janë me dhjetëra shkelje. Është detyrë e prokurorisë t’i hetojë, është detyrë e medias t’i hetojë. Po të them vetëm një aspekt, e njëjta unazë, e njëjta kompani, Salillari, vetëm pak metra më tutje është ndërtuar me 8,6 milionë euro për kilometër. Si shkoi çmimi nga 8,6 në 20 milionë vetëm pak kilometra më tej? Si shkoi? Nga ana e procesit e kemi treguar, u futën 3 kompani në garë, për 3 lote, dhe nuk pati garë, sepse kompania tjetër, që ishte e njëjta, Vëllezërit Hysa quhej, që u fut në të treja lotet, nuk dha ofertë. Pra, përdorën një kompani fantazmë, që gara të fitohej me çmimin maksimal. 40 milionë euro. Pyetja është kjo: Sot shtypi e ka bërë transparencën dhe dua të përgëzoj ato organe shtypi që e kanë bërë transparencën. 5 herë më shumë do të harxhohen për këto 2 kilometra, sesa ç’janë harxhuar në segmente të ngjashme të infrastrukturës shqiptare. Pra është një vjedhje e paprecedentë.
Krasta: Me dinamikën që ka ngjarja, me pjesëmarrjen tuaj në këtë ngjarje, me reagimin e përgjithshëm të popullatës shqiptare, cili do qoftë ai reagim, mendoni se kjo ngjarje do të stopojë këtu apo, si me thënë, ka një lloj pafuqie për të ndërhyrë në të gjitha ngjarjet tashmë?
Basha: Jo, nuk shoh pafuqi. Shoh artistët që kanë ndaluar prishjen e teatrit, me vendosmërinë e tyre për momentin, dhe ne do jemi pranë tyre për ta pamundësuar prishjen e teatrit. Shoh tashmë qytetarët që kanë dalë në mbrojtje të shtëpive të tyre dhe kanë zbrapsur, edhe kur janë përballur me dhunën policore, edhe kur janë përballur me arrogancën dhe gjuhën raciste të Edi Ramës dhe të Erion Veliajt, prapëseprapë ia kanë dalë të triumfojnë mbi to. ia kanë dalë të triumfojnë në kushtet e traumës psikologjike. Janë njerëz që u është thënë: do t’u prishen shtëpitë, ku fëmijët kanë 3 javë që jetojnë në kushte jonormale. Dhe imagjino si ndjehen prindërit, kur fëmijët e tyre janë të traumatizuar. Pra, jemi në një përballje, ku qytetarët kanë treguar vendosmëri, forcë dhe kurajo. Krasta: Kjo është intervista ime e parë me ju, kështu që kam të drejtë të bëj ca pyetje që i kam marrë me vete gjatë gjithë kohës…patjeter.
Krasta: Dhe që kanë natyrisht edhe një shqetësim qytetar në këtë mes.
Basha: Të them edhe një fjali. Jam i frymëzuar nga kurajoja e tyre. Ne shkojmë aty për t’ju dhënë kurajo, por në fakt frymëzohemi nga kurajoja e tyre.
Krasta: Të jesh pjesëtar i administratave të kaluara është më shumë një peshë që mbart me vete, plus një perceptim që kam përshtypjen…jeni ju i ndërgjegjshëm që është ndërtuar një perceptim, që ekziston një perceptim që ju jeni i pafuqishëm dhe që jo domosdoshmërish jeni lideri i duhur për ngjarje të mëdha? Ju e dini që ekziston ky perceptim?
Basha: Se cila është fuqia ime, duhet të pyesni disa kategori njerëzish. Fillojeni me ata kriminelë që nuk janë më në parlament. Disa prej tyre janë edhe në procese penale. 350 zyrtarë të lartë të shtetit me rekorde kriminale, që janë larguar për shkak të ligjit që unë dhe Partia Demokratike propozuam dhe e detyruam mazhorancën ta pranonte, falë mbështetjes popullore dhe mbështetjes ndërkombëtare. Se cila është fuqia jonë, pyesni biznesin e vogël. Ishte insistimi ynë që taksa e biznesit të vogël u hoq, ndonëse tani i kanë vënë mbi qafë TVSH-në dhe arbitraritetin shtetëror, por edhe ato do t’i heqim. Pra, ne pavarësisht se nuk kemi pasur asnjë fuqi ligjore, dhe këtu ke plotësisht të drejtë, ne s’kemi asnjë fuqi ligjore, pra ne s’kemi asnjë mundësi të ndikojmë në ligjbërje, sepse parlamenti është kapur nga një shumicë që nuk ka ardhur nga vota, por ka ardhur nga shitblerja e votës, prapëseprapë, duke qenë në anën e duhur, në anën morale të çështjeve, ne i jemi imponuar kësaj mazhorance. Kemi 5 vite që i imponohemi; me luftën kundër kriminelëve në parlament, në pastrimin e politikës, në luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër padrejtësisë. Kjo është detyra e opozitës dhe mendoj se ne po e kryejmë këtë detyrë, përkundër vështirësive të paprecedenta në këto 28 vite.
Krasta: Më kanë thënë se ka një organizim të përgjithshëm në PD, një organizim që tenton të shkojë në mënyrë kapilare, apo të ndërtohet një parti e re, e cila do të konkurrojë për zgjedhjet e ardhshme. Ju personalisht, i konsideroni zgjedhjet e ardhshme një red-line, një vijë e kuqe e rëndësishme për performancën personale dhe për marrëdhënien tuaj me postin pas rezultatit të këtyre zgjedhjeve?
Basha: Nuk ka asgjë personale dhe kjo nuk është gara ime personale. Prej kohësh Partia Demokratike është e detyruar të jetë në një betejë misionare, jo në një betejë elektorale. Ne do donim shumë të konkurronim meplatforma, dhe t’u tregonim shqiptarëve se platforma jonë për ta nxjerrë arsimin nga kriza është më e mirë se ajo rrokopujë që kanë parë deri tani. Se ne kemi një zgjidhje për ta sjellë shëndetësinë në parametrat e rajonit, jo në parametra evropianë. Se ne kemi mundësitë t’i rindezim motorët e ekonomisë dhe të bëjmë të mundur një klimë biznesi ku sipërmarrja e vogël të mos ndjehet e trysnuar, e terrorizuar ditë për ditë nga tatimorët, dhe të nisë të prodhojë. Dhe sipërmarrja që prodhon të rikthehet në Shqipëri, se ne kemi 5 vite pa një investim të huaj.
Po ne nuk kemi mundësi t’i shpalosim këto platforma, as të bëjmë debatin e munguar politik. Ne s’kemi kundërshtarin e denjë politik sepse gjithë koha jonë konsumohet nga trauma që i është shkaktuar këtij shteti, dhe përmes shtetit të kapur këtij populli, nga kriminelët në politikë dhe nga kapja e ekonomisë nga oligarkët. Prandaj them se ne jemi në një betejë misionare. Pa fituar këtë betejë misionare, për të rikthyer demokracinë, ndarjen e pushteteve, që jo i gjithë pushteti të jetë në dorë të një njeriu, themelet që nga Magna Carta e deri tek Montesquieu, të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Për sa kohë që ne kemi de facto një autokrat që kontrollon ekzekutivin, parlamentin, drejtësinë, median, ekonominë, nuk mund të bëhet fjalë për një debat normal politik, prandaj edhe beteja jonë nuk është një betejë normale politike. Është një betejë misionare, e ngjashme me betejën që zhvilluam para 3 dekadave, para 30 vitesh, por në një realitet të ri shumë më kërcënues për të ardhmen e shqiptarëve. Dhe kjo është arsyeja, pse njësoj si para 3 dekadash, shikojmë një valë emigratore të shqiptarëve që largohen nga vendi. Prandaj detyra jonë është misionare, të rikthejmë besimin se ky vend mund të bëhet dhe do të bëhet.
Krasta: Misionare. Është Partia Demokratike e dobët?
Basha: Pse e thoni këtë?
Krasta: A është e fortë? A mund të përballet ajo me një mision të jashtëzakonshëm tanimë, si 30 vjet përpara? Pra, energjia, atmosfera, kontrolli, situata e 30 viteve më parë…edhe vetëdija njerëzore ka qenë ndryshe. Tani jemi në një situatë krejtësisht tjetër.
Basha: E para, të kthejmë ndjeshmërinë e shqiptarëve për fatin e tyre. Më duket se shqiptarët janë bërë të pandjeshëm për fatin e tyre. Dhe jo vetëm në Shqipëri. Edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni. Kudo në hapësirën shqiptare. Pra detyra e parë është të rikthejmë ndjeshmërinë e shqiptarëve për fatin e tyre, të tregojmë që fati i tyre nuk është si shiu që bie nga qielli, por bëhet nga ata vetë. Dhe kjo fillon me 3 prioritetet tona kryesore: pastrimin e institucioneve nga krimi, dekriminalizimin e zgjedhjeve dhe çlirimin e ekonomisë nga 10 oligarkë që kontrollojnë gjithë fondet dhe pasuritë e shqiptarëve.
vijon…