Balla: Presim reflektim nga opozita për “Territorialen”, më 17 shtator shqyrtohen pagat e magjistratëve
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se themeli i punës së sesionit të ri parlamentar do të jetë miratimi i reformës Administrativo-Territoriale dhe i reformës Zgjedhore.
Në një deklaratë për medie, Balla bëri të ditur se afati 60-ditor i konsultimit publik për reformën territoriale përfundon në datën 27 shtator dhe më pas do të ketë edhe një komunikim lidhur me këtë çështje.
Balla vlerësoi po ashtu se edhe komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore ka bërë një punë të shkëlqyer. Sipas tij, “ka qenë një proces model për t’u ndjekur gjithmonë në proceset e reformave të rëndësishme”.
“Një ndër sfidat e këtij sesioni parlamentar është përmbyllja e reformës territoriale. Gjithmonë në thelb të çdo reforme ka qenë përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarit. Kështu që themeli i punës së këtij sesioni të ri për këtë shumicë parlamentare është natyrshëm miratimi i reformës Administrativo-Territoriale”, tha Balla.
Po ashtu, Balla theksoi se prioritet do të jetë edhe miratimin i një reforme zgjedhore e cila të adresojë plotësisht të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për të garantuar në kohë marrjen e masave për zgjedhjet vendore të pranverës së ardhshme.
“Ne jemi të hapur për të pasur konsensus deri aty kur nuk pengohet një politikë e caktuar. Në rastin tonë synimi është përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve. Kështu që unë nuk dua të paragjykoj. Shpresoj që deri në 10-ditëshin e parë të tetorit të kemi dhe reflektim nga ana e opozitës”, tha Balla duke folur për reformën Zgjedhore.
Sa i takon projektligjit për pagat e magjistratëve, Balla sqaroi se “nuk do të kalojë me procedurë të përshpejtuar” dhe se do t’i nënshtrohet shqyrtimit në Kuvendin e Shqipërisë më 17 shtator.
/a.f/
ATSH
KOHA JONË SONDAZH
A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?
Results
Vota totale: 3947

