Balla: PS-LSI, gjithçka për kompromis
Politikë E Shtunë, 22 Maj 2021 00:08
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi pas tryezës parlamentare të thirrur nga kryeparlamentari, Ilir Meta se PS dhe LSI po bëjnë gjithçka për të gjetur kompromisin me opozitën për të marrë pjesë në zgjedhje.
Balla tha se nuk e kupton se pse PD bojkotoi tryezën. “Iniciativa e metës është pozitive, e domosdoshme. PS-LSI vullnet për pjesëmarrjen e pd në zgjedhje. Të gatshëm të garantojmë zgjedhje të lira me 18 qershor”.
Prononcimi i plotë për media i nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, pas mbledhjes së tryezës së partive politike:
Kryetari i Kuvendit informoi përfaqësuesit e partive politike paralamentare se mungesa e opozitës është për të ardhur keq, për të gjitha përpjekjet që dy bashkëkryetarët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Rama dhe Meta, po bëjnë në mënyrë të vazhdueshme në shprehje të një vullneti shumë të mirë për të garantuar pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në zgjedhjet e 18 qershorit, për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike në 18 qershor.
Ne dje kemi pasur në Tiranë dy miq shumë të mirë të Shqipërisë në PE, që në fakt shprehën edhe spektrin më të madh politik në PE: zv/presidentin e PPE McAllister dhe zv/Kreun e grupit të socialistëve në PE, Fleckenstein.
Në takimin e parë është prezantuar një dokument i çështjes së rëndësishme për t’u adresuar nga të gjitha palët, me qëllim garantimin e një procesi zgjedhor dhe fushate zgjedhore normale. Pas takimit të dy miqve me kryetarin e PD, është zhvilluar një raund tjetër bisedimesh.
Për fat të keq në dy dhoma të ndara; do të kishim dashur të ishim në një dhomë. Jemi njohur me dy çështje të reja përveç dokumentit multidimensional. Sa i takon çështjeve të paraqitura, ka dy çështje të reja. Dy bashkëkryetarët e koalicionit treguan gatishmërinë për të diskutuar edhe për çështje sensitive me liderin e opozitës, mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve që kanë të bëjnë me gjetjen e hapësirave ligjore e kushtetuese për shtyrjen e zgjedhjeve vetëm në respekt të kushtetutës e ligjit, si dhe për disa ndryshime në kabinetin e qeverisë për të krijuar mundësi për rritje të besimit të opozitës për kundrejt rolit që ka qeveria në proces zgjedhor. Shqipëria bën pjesë në atë grup vendesh ku qeveria bën zero interferencë në proces zgjedhor, sepse ka një institucion të pavarur siç është KQZ.
Nuk di arsyet pse PD bojkoton një tryezë parlamentare dhe kjo është në vijim të bojkotit. Kur ne ramë dakord me dy çështjet e reja, me kushtin që PD të vijë të votojë Vettingun, në atë moment Basha është larguar nga negociatat në mënyrë jo korrekte, se është thënë shumë qartë që pa votuar Vettingun nuk mund të ketë çështje të tjera. Ajo që informoi tjetër Kryetari i Kuvendit është që sipas dokumentit të ofruar nga miqtë europianë, edhe procedura e ndjekur deri tani për të zgjedhur presidentin ka qenë procedura e vullnetit të mirë të PS dhe LSI për gjetjen e një figure konsensuale me përfshirjen e opozitës dhe partive të tjera në këtë proces.
Kur do të ndryshojë Kodi Zgjedhor?
Ka patur një parti parlamentare që ka ngritur një çështje lidhur me këtë, në tryezën që sot organizoi Kryetari i Kuvendit. Por edhe LSI e PS kanë qëndrimin që këto ndryshime duhen bërë në konsultim dhe nën një certifikim pozitiv nga ana e OSBE/ODIHR.
Do pranoni ndryshimin e Kodit pa opozitën?
Ne gjithmonë kemi qenë partizanë të respektit të një tradite të kahershme në ndryshimet e Kodit Zgjedhor, që përfshin qoftë konsensusin e gjerë qoftë certifikimin e çdo ndryshimi të Kodit.
Tryeza ka patur disa përfaqësues të të gjitha partive të vogla parlamentare që ngritën çështje të këtij karakteri. Qëndrimi i PS dhe LSI, po në këtë rast i Kryetarit të Kuvendit i cili ishte ftuesi i këtij takimi, ishte që në çdo hap ne jemi të detyruar të respektojmë certifikimin e domosdoshëm që do të vijë përgjatë procesit parazgjedhor dhe zgjedhor nga OSBE/ODIHR
A do t’i lihet presidenti opozitës për t’u propozuar?
Ju e dini që kushti ynë i vetëm ishte votimi i Vettingut dhe sapo e dëgjoi këtë Lulzim Basha u largua. Të gjitha çështjet e tjera, ndër to dhe për të punuar sëbashku në gjetjen e një presidenti konsensual të gjithëpranuar edhe nga opozita,edhe nga mazhoranca, ata u shprehën kundër. Sepse sapo u përmend Vettingu, ata nuk bëhen më pjesë e asnjë diskutimi apo tryeze. Siç e dini, nesër ka një raund tjetër për zgjedhjen e presidentit.
Nëse ka miratimin e OSBE/ODIHR, a do të pranohet nga PS ndryshimi i Kodit Zgjedhor ?
Është kërkuar konsensus i gjerë nga partitë politike dhe certifikim nga OSBE/ODIHR.
KOHA JONË SONDAZH

