Balluku: Nis puna për rehabilitimin e rrugës Hekal-Klos, adreson kërkesat e komunitetit
Ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës Hekal-Klos në Mallakastër. Zv/kryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi nga afër nisjen e punimeve. Sipas Ballukut rruga e re adreson kërkesat e komunitetit.
”Jemi në Hekal në Mallakastër, në një kantier të ri, në një kantier që adreson kërkesat e komunitetit. Pas takimeve që kemi bërë këtu, Fondi Shqiptar i Zhvillimit duke pasur mundësitë e kontratave kuadër që tashmë i ka të lidhura, kemi marrë vendimin që banorëve që janë në këtë zonë, të rinjve dhe të rejave, ne t’u japim mundësinë që ata të udhëtojnë në rrugë të mira, ashtu siç po ndodh në gjithë Shqipërinë”, tha Balluku.
Përfaqësuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit tha se rruga do t’i shërbejë jo vetëm komunitetit, por edhe për zhvillimin e turizmit në zonë. Sipas tij do të ketë edhe një zgjerim të trupit të rrugës nga 3.5 metra që është, do të shkojë në 4.5 metra. Po ashtu do të ketë edhe një zgjerim dhe përmirësim të pjesës së kthesave. Ai bëri me dije se është një kontratë që do të zgjasë më pak se 8 muaj dhe se deri në sezonin e vitit të ardhshëm do të jetë gati.