Bardhi ankohet në Strasburg për humbjen e PD në zgjedhje: Më 11 Maj Shqipëria bëri regres, s’u garantuan parimet themelore
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka ngritur shqetësimin për humbjen e PD-së më 11 Maj edhe në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asocimit në Strasburg. Ai theksoi se zgjedhjet parlamentare ku PS fitoi 83 mandate, u zhvilluan në një klimë ku prej 12 vjetësh nuk refelektohet asnjë nga gjetjet apo rekomandimet e OSBE-ODIHR. Bardhi shtoi edhe se në zgjedhjet e 11 Majit janë regres dhe cënim të parimit themelor të zgjedhjeve; lirisë dhe barazisë në zgjedhje.
Fjala e plotë:
Të nderuar kolegë, Shqipëria hapi negociatat, në një proces që bashkon mazhorancën dhe opozitën. Ajo që na ndan është pyetja nëse ky proces do të jetë një proces që e bën Shqipërinë si Europa, apo nëse do të mbyllim sytë përballë hapave pas që Shqipëria bën në përmbushjen e standardeve minimale të një shteti demokratik.
Më 11 maj, Shqipëria mbajti zgjedhje të përgjithshme parlamentare, në një klimë ku prej 12 vitesh nuk reflektohet asnjë nga gjetjet apo rekomandimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet në vend. Kjo bën që, nga një proces zgjedhor në tjetrin, Shqipëria të bëjë vetëm hapa pas. Unë nuk do të flas sot këtu si dëshmitar i atij procesi. Nuk do të flas me gjuhën e opozitës, por me gjetjet, gjuhën dhe konstatimet e raportit paraprak të OSBE-ODIHR. Nuk ka përparim, nuk ka standarde ka regres dhe cenim të parimit themelor të zgjedhjeve: lirisë dhe barazisë në zgjedhje.
Raporti Paraprak i OSBE-ODIHR thekson: Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u mbajtën në një mjedis tejet të politizuar, ku garuesit nuk gëzuan mundësi të barabarta. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale, duke përfshirë edhe faljen publike të një numri të madh gjobash pak kohë para ditës së zgjedhjeve. Zyrtarë të lartë qeveritarë u përfshinë në një numër të madh aktivitetesh zyrtare që shpesh përputheshin me mesazhet e fushatës, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse midis shtetit dhe partisë. Pati pretendime për presion ndaj nëpunësve të administratës publike, raste të intimidimit të mbështetësve të opozitës, si dhe përdorim të rrjeteve të patronazhit, çka bie ndesh me standardet ndërkombëtare. Çështje të tjera shqetësuese përfshijnë raportimet për shit-blerje votash, përpjekje për të ndikuar padrejtësisht tek zgjedhësit e margjinalizuar, si dhe pretendime për ndikim të elementëve kriminalë në disa parti politike.
Kandidatët raportuan se u përballën me intimidim. Përqendrimi i pronësisë së mediave, që minon pluralizmin e burimeve të lajmeve, së bashku me autocensurën ndër gazetarë, kufizuan mundësitë e zgjedhësve për të marrë një vendim të informuar. Disa llogari të palëve të treta në rrjetet sociale raportohet se përdorën sjellje të koordinuar joautentike në platformat online për të amplifikuar sulmet ndaj opozitës. Ndalimi nga qeveria i platformës TikTok që prej 6 marsit kufizoi mundësitë e disa kandidatëve për të bërë fushatë.
Disa bashkëbisedues të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it ngritën pikëpyetje mbi efikasitetin e policisë në trajtimin e krimeve zgjedhore dhe përpjekjet kundër krimit të organizuar të lidhur me politikën. Dita e zgjedhjeve pati një numër të lartë vlerësimesh negative, kryesisht për shkak të mangësive procedurale dhe një niveli të lartë presioni mbi votuesit. Parregullsitë serioze që u vunë re përfshinin një numër të konsiderueshëm incidentesh frikësimi dhe ndërhyrjesh të vëzhguesve e përfaqësuesve të partive në proces, ndikim mbi zgjedhësit dhe pretendime për shit-blerje votash. Përveç kësaj, fshehtësia e votës u komprometua shpesh për shkak të mënyrës së organizimit të qendrave të votimit, mbipopullimit dhe ndërhyrjeve.
Gjatë këtyre ditëve kam konsultuar raportet e OSBE-ODIHR për vendet anëtare të BE-së apo vendet kandidate. Askund nuk gjen që OSBE-ODIHR të vërë në dyshim lirinë dhe barazinë në zgjedhje. Ka pasur vetëm një raport të ngjashëm me atë për Shqipërinë në vitin 2025, dhe ai – ndonëse me më pak problematika – ishte raporti për zgjedhjet e vitit 2023 në Serbi. Unë mendoj se Shqipëria nuk duhet të afrohet apo të tejkalojë standardet e zgjedhjeve në Serbi, por duhet të afrohet dhe t’i tejkalojë standardet e zgjedhjeve në vendet e Bashkimit Europian. Nuk mund të ketë përparim as në luftën kundër korrupsionit, as në luftën kundër krimit të organizuar, dhe as në sektorë të tjerë themelorë, pa garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
KOHA JONË SONDAZH

