Bardhi-Gonzatos: Jemi të përjashtuar, fshehja nuk e ndihmon Shqipërinë
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i është përgjigjur ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili ndërsa mbërriti në Kuvend tha se shpreson që opozita të luajë rolin e saj. Teksa ka ndarë një foto të deputetëve të përjashtuar jashtë Kuvendit, Bardhi shkruan kjo është situata e vërtetë dhe fshehja e realitetit pas fjalëve të bukura, nuk e ndihmon Shqipërinë. Më tej, Bardhi shkruan se opozita është përjashtuar pa ligj dhe me një rregullore të shfuqizuar prej tre muajsh nga Gjykata Kushtetuese.
”Bëhet thirrje që opozita të luaj rolin e saj brenda Parlamentit; ndërkohë mundësia e opozitës për të hyrë brenda dhe pastaj për të patur mundësi të luaj rolin e saj brenda Parlamentit paraqitet kështu në realitet!
Fshehja e realitetit/të vërtetës pas fjalëve të bukura, nuk e ndihmon Shqipërinë! Realiteti/e vërteta është që opozita është përjashtuar nga Kuvendi PA LIGJ dhe me një rregull që është shfuqizuar prej 6 muajsh nga Gjykata Kushtetuese.
Parlamentarizimi ka në themel të tij respektimin e Kushtetutës, si mundësia e vetme e bashkëjetesës mes palëve që mendojnë ndryshe. Nëse shkelet Kushtetuta në vazhdimësi mundësia për bashkëjetesë parlamentare mes mazhorancës dhe opozitës ZEROHET”, shkruan Bardhi.