Basha akuza qeverisë, thirrje për zgjedhje të parakohshme, Tahiri i përgjigjet: Llapaqen, do dënohesh!
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, reagoi ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, që ftoi shqiptarët në protesta për shporrjen e qeverisë.
Me një gjuhë të ashpër, Tahiri e ka quajtur Bashën “llapaqen dhe ka akuzuar drejtësinë, mosfunksionimi i të cilës, sipas tij, e çoi Bashën në krye të SHQUP-it, ndërkohë që duhet të ishte në bankën e të akuzuarve.
Statusi i plotë i Tahirit
Është pandëshkueshmëria! Ka simbol kryeshqupistin që sot ngërdheshet si llapaqen pa lënë shpifje dhe emra pa zënë në gojë.
Atëkohë fshihej si pulë për t’i ikur drejtësisë, me raport mjekësor e udhëtime jashtë shtetit. Ende sot nuk ka dhënë llogari para drejtësisë.
Është drejtësia e Gjin Gjonave që sot është në podiumin e shqupit në vend që të ishte në bankën e të akuzuarve.
Dekriminalizimi? Po! Denojmë për herë të dytë ata që janë dënuar një herë.
Por pandëshkueshmeria akoma më shumë. Të dënohen ata që nuk janë dënuar kurrë, e sot shesin dengla morali.
Është drejtësia! Është pandëshkueshmëria!
Lulzim Basha:
“Popullit të ngrihet e të caktojë zgjedhje të parakohshme, të shporret kryehajduti me çizme”
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka përsëritur thirrjen për protesta për shporrjen e kryeministrit që e cilësoi kryehajdutin me çizme dhe pushtetin e horrave, duke theksuar se zgjedhjet do t’i vendosë populli.
Sipas Bashës, nuk duhet ngatërruar kushtetuta me demokracinë dhe nëse populli e ndjen që një qeverie i ka ardhur fundi. I pyetur për një datë për nisjen e protestave, Basha ka thënë se ende nuk është vendosur, e sapo të vendoset do të bëhet me dije.
-“Këta janë bisha se kryeinformali është Rama, që ka vilë në Surrel pa kupton, por ia shohin hajrin te tenderi i OSHEE. Ka vila në Durrës dhe Dajt, e ia sheh hajrin se Papuli ka marrë tendera”.
Basha tha se protestat do të jenë kundër pushtetit të Ramës.
“Le t’i japim fund, këtij aparteidi, të këtij grupi horrash që për parti kanë dollarët që u grabisin ditë për ditë, bashkë mund ta shndërrojmë këtë gjë në një energji për të ndërruar njëherë e mirë kursin e një regjimi të kalbur për të marrë në dorë pushtetin, ju, jo politika, e për të na besuar se interesi juaj do të jetë kushtetuta jonë e vetme, të shporrim kryehajdutin”- tha ai.
Nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, Basha iu përgjigj: “Nëse ju mendoni se shqetësimi im janë vetëm zgjedhjet, është gabim. Shqipëria po digjet dhe i vetmi që po krihet sa në Londër e në Mynih, është Edi Rama. Se kur janë zgjedhjet, këtë do ta caktojë populli”.
Shfaqjen e radhës me regji qendrore e ka quajtur kreu i PD-së, Lulzim Basha, ligjërimin e kryeministrit për bilancin e aksionit kundër informalitetit.
“Sa herë që skandalet e drogës, korrupsionet shpërthejnë Rama e ka bërë zakon të organizojë shfaqej me regji qendrore, si ajo që bëri sot për tre orë me radhe, vetë për 59 minuta u angazhua në një diarre verbale, shpifje, kërcënime ndaj çdokujt e cdogjëje. Pasi rrahu gjoksin e u krenua për bëmat dhe gjëmat e fundit u tha shqiptarëve të bëjnë gati avokatin në janar se represioni mbi biznesin do vazhdojë, sot gjeti ditën për të folur për suksesin e aksionit kundër informalitetit. Por cili është, kukudhi memec i Financave që e shikonte me sy të zbrazur e mosbesim shefin me diagnozën diarre verbale e ka publikuar që vendit i mungojnë 231 milionë dollarë nga doganat dhe tatimet, ndërsa në shtator muajin e yxhymit kundër biznesit të vogël në veçanti, konsumatorëve, këtë muaj doganat e tatimet regjistruan defecit 85 milionë dollarë”- tha Basha.
Basha foli edhe për mungesat në të ardhura dhe akuzoi disa nga socialistët.
“Ku janë këto para, 231 milionë dollarë, ku është 80 mln ekstra për shtatorin që premtove? nuk ka, ka vetëm një gropë që është thelluar në tetor. Cila është arsyeja e gropës financiare? Së pari vjedhja e lukunive qeveritare, oligarkëve, trafikantë dhe kontrabandistë, kryesisht të naftës e cigares, njerëzit më të afërt të Ramës, financuesit dhe sponsporizuesit e aferave të Ramës”- tha Basha.
Ai publikoi listën e emërimeve, ku dhe mbi akuzat deputetin e PS, Taulant Balla, e ka quajtur zagarin e së enjtes në Kuvend, ndërkohë ministrin Gjiknuri e ka quajtur kryenegociuesin e vjedhjes së 600 mln eurove; ministrin Ahmetaj e quajti kumbarin që qëndron pas aferës së mbetjeve në Elbasan.
KOHA JONË SONDAZH

