Basha: Burgu pret Ramën dhe Ballën
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zyrtarizoi dje farsën e votimeve monopartiake të 30 qershorit. Tre anëtarët e PS në këtë institucion vendosën të njohin si të rregullt procesin më antiligjor dhe anormal të zgjedhjeve që Shqipëria ka zhvilluar që pas rënies së komunizmit. Për herë të parë në mbyllje të një procesi nuk pati as deklarata ndërkombëtarësh dhe as qëndrime që vlerësonin 30 qershorin. Turpi dhe skandali është aq i madh me 30 qershorin sa përveç militantëve të PS nuk ka asnjë ndërkombëtar që do të pranojë të bëhet më pis nga marrëzitë e Rilindjes. Çuditë në këtë proces farsë kanë qenë me qindra, duke nisur nga zgjedhjet pa kandidatë, fushata idiote me filxhanë e PS-së dhe deri te shifrat e KQZ që asnjëherë nuk u morën vesh se sa ishin. Edhe sot shqiptarët nuk e dinë se sa qytetarë morën pjesë realisht në votime. Njëherë u tha 14%, më pas 20 dhe në fund e lanë diku te 24%. Kryeministri Edi Rama shkoi drejt 30 qershorit me argumentin se nuk donte të krijonte precedentin e shkeljes së Kushtetutës për shtyrjen e zgjedhjeve. Të njëjtën gjë e ka kërkuar dhe e ka bërë disa herë kur ishte në opozitë duke shtyrë zgjedhjet për çështje qesharake siç ishin certifikatat në vitin 2007. Por duke u ruajtur nga precedenti i shkeljes së Kushtetutës, sipas tij, Edi Rama ka krijuar precedentin më të rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri; zhvillimin e zgjedhjeve pa opozitën. Dëmi që i është shkaktuar vendit nga një proces i tillë monist do të ndihet shumë vite më vonë. Sa herë të flitet për vjedhje zgjedhjesh dhe manipulime 26 maj i PD në 1996 do të duket si proces normal përballë krimit elektoral që PS bëri më 30 qershori. Në këtë datë, Rama vrau dhe pjesën më të mirë të historisë së partisë që drejton, duke e kthyer PS në partinë me rekordet më negative për manipulimin e zgjedhjeve.
30 qershori nuk është më një qëndrim politik dhe çështje precedent, siç thonë drejtuesit e PS dhe kryeministri Edi Rama. 30 qershori është një krim elektoral dhe si i tillë duhet ndëshkuar si çdo shkelje ligjore. Lulzim Basha paralajmëroi dje nga qyteti i Përmetit se farsa dhe vjedhja e pushtetit lokal nga Edi Rama do të marrë një përgjigje të fortë ligjore. Basha paralajmëroi kryeministrin dhe drejtuesit e PS, si njerëzit që vunë në zbatim një grusht shteti për të rrëmbyer të gjitha bashkitë. Dhe duke folur për ndëshkimin e autorëve të grushtit të shtetit, përgjegjësia nuk është vetëm e institucioneve, por edhe e zyrtarëve politik që urdhëruan zhvillimin e votimeve. Kryeministri dhe kreu i PS-së, Edi Rama është i pari në listën e ndëshkimeve si autori i farsës së 30 qershorin, ndërsa më pas është Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla si zyrtari politik dhe të tjerë burokratë të PS. Në mënyrë direkte, Lulzim Basha bëri një paralajmërim dhe për anëtarët e PS në KQZ që zbatuan farsën e shëmtuar të votimeve, duke interpretuar Kushtetutën dhe duke marrë rolin e gjyqtarëve që vlerësojnë dekretet e Presidentit. Basha u shpreh se personat që kryen aktet flagrante te shkeljes së Kushtetutës i pret burgu dhe nuk mund t’i shpëtojë më as Edi Rama. “Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, me në krye ikonat e hajdutërisë dhe paligjshmërisë si Denarbibat që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale. Burgu i pret dhe nuk ka bandit e Bablok t’i shpëtojë”,- u shpreh Basha. Paralajmërimi i Bashës për burgosjen e atyre që urdhëruan dhe zbatuan mbajtjen e votimeve moniste vjen në momentin kur PS-ja ka nisur marrjen e pushtetit dhe në bashkitë që drejtohen nga opozita.
Me sa duket do kemi vjeshtë shumë të nxehtë këtë vit.