Basha: Deputetët të zgjidhen emër për emër. PS dhe PD janë në një pazar kundër interesave të qytetarëve
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, thotë se ka dorëzuar në Kuvend amendamentin që parashikon lista të hapura. ”Sapo kam dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë amendamentin që parashikon listat plotësisht të hapura”, tha Basha. Nga ana tjetër, ai thotë se PS dhe PD ka bërë një pazar kundër interesave të qytetarëve, për të futur në lista deputetë që i shërbejnë kryetarëve të tyre.
”Deputetët do zgjidhen emër për emër, duke respektuar kuotat gjinore nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.
Është dorëzuar sot dhe nesër do jetë një nga testet për të mundësuar që Partia Demokratike Euroatlantike të garojë me një listë 100% të hapur, pavarësisht nëse PS dhe Rithemelimi duan të vazhdojnë në rrugën pa krye të listave të mbyllura.
Do vazhdojmë betejën, për të mos pranuar listat e mbyllura si këtë pazar të shëmtuar të kësaj mbrëmjeje, si të vendim objektiv të një grushti deputetësh që nuk i voton as shtëpia e vet. Dy kampet Berisha dhe Rama po mbyllin listat për t’ju shërbyer kryetarëve të tyre”, tha më tej Basha.