Basha drejt Brukselit – Listat, PD shqyrton mundësinë për ankimim në Kolegjin Zgjedhor
Kur afatet për regjistrimin e kandidatëve janë mbyllur dhe kur ende nën rogoz politika shqiptare dhe faktori ndërkombëtar po kërkojnë ende mundësi për ta përfshirë opozitën në zgjedhje, selia blu sheh një mundësi te Kolegji Zgjedhor për të deligjitimuar procesin e regjistrimit të kandidatëve.
Burime nga Partia Demokratike bën të ditur për Ora News se juristët në këtë parti janë duke shqyrtuar mundësinë e ankimimit në Kolegjin Zgjedhor të vendimit të 29 prillit nga ana e KQZ për të regjistruar listat e kandidatëve.
Kjo me të njëjtin argument që PD paraqiti të njëjtën ditë me vendimin por edhe që u përsërit të hënën nga tre anëtarët e opozitës në KQZ dhe që konsiston në faktin e skadimit të afatit të regjistrimit në 28 prill për ta bërë vendimin e datës 29 prill nul.
Burime nga juristë që asistojnë Partinë Socialiste bën të ditur se një hap i tillë nga ana e PD nuk është i mundur për një fakt të thjeshtë se opozita nuk është bërë pjesë e procesit dhe një ankimim i tillë do t’i jepte legjitimitet atij.
Por vetë PD thotë se mund ta shfrytëzojë këtë hapësirë ligjore vetëm prej faktit që është parti parlamentare dhe se një vendim i Kolegjit që do ti jepte të drejtë pretendimit të saj do të legjitimonte edhe kauzën e saj me argumentimin se procesi i zgjedhjeve ishte në pikëpyetje edhe nga shumica në KQZ që sipas opozitës është vënë në funksion të mazhorancës.
Por PD në të njëjtën kohë është në komunikimi të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtarë.
Një udhëtim i programuar i kryetarit të PD Lulzim Basha drejt Brukselit mund të organizohet pikërisht sot dhe nga i cili pritet të bihet dakord për një marrëveshje të re midis pozitës dhe opozitës.
Burimet bëjnë me dije se kjo marrëveshje pritet të ketë shumë pak ndryshime në krahasim me atë që iu propozua një javë më parë nga dy eurokomisinerët Mcallister dhe Fleckenstein në Tiranë.
Mbetet për tu parë nëse do të jetë Kolegji Zgjedhor që do të legjitimojë ose jo procesin e zgjedhjeve në 18 qershor apo nëse palët do të gjejnë dakordësinë që do ta fuste edhe opozitën në zgjedhje
KOHA JONË SONDAZH

