Basha: Ky është fundi i shtetit ligjor. Ta heqim nga qafa Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi ashpër sot për ngjarjen në Laç. Në një konferencë nga selia e PD, ai tha se ky është fundi i shtetit ligjor.
Dekarata e plotë e Bashës
"Sot pas mesnate, brenda komisariatit të policisë në Laç, deputeti socialist Armando Prenga ka shkaktuar një gjakderdhje, një kasaphanë me disa të plagosur.
Brenda komisariatit të Policisë, aty ku duhet të ofrohet siguri për qytetarët, në zyrën e shtetit, që e kemi për të na mbrojtur të gjithëve, aty shfaqet deputeti i armatosur me bandën e tij dhe hap zjarr mbi njerëzit.
Për 8 orë me rradhë, me urdhër te Edi Rames dhe Sajmir Tahirit policia vendosi një shtetrrethim te vërtetë në vendngjarje dhe tek spitali për të fshehur ngjarjen, për të mos dhënë informacion, për të manipuluar provat, për të mbrojtur agresorin, të përzgjedhurin e Edi Ramës në Laç.
Terri informativ për këtë ngjarje të rëndë u thye vetëm pas denoncimit tonë. Por përpjekjet e Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit për të mbrojtur deputetin kriminel nuk reshtën, derisa u përballën me presionin e opozitës, partnerëve ndërkombëtarë dhe kurajon e disa mediave për të hedhur ditë mbi të vërtetën.
Jam këtu si kryetar i Partisë Demokratike dhe i opozitës, por po ju drejtohem edhe si qytetar, si një nga ju.
Ky, është fundi i shtetit ligjor në vend, dhe pavarësisht se armët i shkrehu një bandit deputet, autori i kësaj gjendje të rëndë është Edi Rama.
Nuk do të ishim në këtë situatë sot, kur banditi dhunon me armë qytetarët brenda komisariatit, nëse Edi Rama nuk do ta kishte kërkuar e përzgjedhur për ta bërë deputet të Parlamentit të Shqipërisë, Armando Prengën, pikërisht për këto cilësi që ai ka. Që vret e pret, që bën të fortin, që sulmon qytetarët, merr vota me dhunë, godet edhe përfaqësuesit e opozitës brenda Parlamentit.
Nuk do të ishim në këtë situatë, të rënies së shtetit, ku krimineli bën ligjin, nëse Edi Rama nuk do ta kishte shpërblyer deputetin e tij me Lagunën e Patokut, me një tender skandaloz, në shkelje të të gjithë kritereve dhe procedurave, duke ua hequr peshkatareve që mbanin familjen me këtë aktivitet prej dekadash.
Merret gangsteri, bëhet deputet, i jepet edhe më shumë pushtet, i jepet më pas edhe pasuri publike, dhe ligji nuk vepron mbi të. Hyn në komisariat, hap zjarr mbi qytetarët, dhe policia e shteti bëjnë gjithçka për të qenë në anën e tij.
Kjo është prekja e fundit. Ska më shtet, ska më standarde.
Janë orë dramatike për vendin.
Autori është deputet, pjesë e një grupi të inkriminuar, me rekorde për vepra të rënda penale, në një parlament që drejtohet nga Ilir Meta, që pak kohë më parë manipuloi një hetim ku akuzohej për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe tani është nën akuzë për marrje rryshfeti në shuma të mëdha, me prova e fakte të njohura botërisht.
Autori, deputeti i Edi Ramës, e kryen veprën e rëndë penale brenda komisariatit, në zyrat e policisë që drejtohet nga Saimir Tahiri, i cili gjendet nën akuzë nga oficerë të lartë të policisë si kumbar i bandave të drogës në vend, dhe i cili vetëm pak kohë më parë bënte pazare me vrasës me pagesë, sa në Ministri, në plazh, në kafe e në rezidencat qeveritare.
Të gjithë këtë mekanizëm kriminal e mban në këmbë dhe e kontrollon Edi Rama që tërheq fijet sipas interesave të pushtetit të tij.
Ky është inkriminimi, krimi i veshur me pushtet, pushteti i veshur me krim. Nuk mund të presësh tjetër nga inkriminimi, nga vendosja e banditëve në administratë, në poste kyçe, dhe zgjedhja e tyre deputet e kryetarë bashkie. Frytet janë këto, gjakderdhje, trafik droge, censurë medias, vrasje, sulm dhe goditje opozitës.
Ky është sundimi, shtypja e qytetarëve, me anë të krimit dhe kriminelëve.
Edi Rama e themeloi aleancën me krimin, erdhi në pushtet me krimin dhe po qeveris me krimin. Jemi sot nën një tutelë banditësh. Edi Rama nuk na ka lënë zgjidhje tjetër, përvese të ngrihemi në këmbë. I madh e i vogël, prind e qytetar, të rinj e të reja. Do të ngrihemi e do ti japim fund këtë pushteti tërësisht të inkriminuar. Sovranit i ka ardhur ora ta heqë këtë zgjedhë nga qafa".

SHKARKO APP