Basha: Meta e Rama të përfshirë në luftë bandash

Partia Demokratike e ka zhvendosur sot protestën e saj në Durrës ashtu siç ishte paralajmëruar nga drejtuesit e saj. Me pankarta në duar “Stop Metastazat”, “Stop terrorit shtetëror”, qindra qytetarë kanë dalë në sheshin kryesor të qytetit bregdetar për të kërkuar dorëheqjen e kreut të Kuvendit. Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se situata në vend është e rëndë dhe e keqja është shtrirë kudo. Ai akuzoi kreun e kuvendit dhe kryeministrin se janë përfshirë në një luftë bandash. Basha tha se Meta-Rama ia dolën që të manipulojnë hetimin për çështjen “Doshi” por kjo çështje sipas tij nuk do të mbyllet.

“Ilir Meta dhe Edi Rama janë përfshirë në një luftë bandash me skenar vrasjesh. I akuzuari për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, Meta dhe Rama ia dolën që me pushtetin që kanë të manipulojnë hetimin. Kam pasur takime me zyrtarë të lartë europianë, të gjithë shprehin habi se si kreu i kuvendit nuk dha dorëheqjen. Se si kreu i kuvendit me akuzën më të rëndë vijon të mbajë detyrën. Në këtë përplasje Rama-Meta ia kanë dalë ti vënë përfund miqtë e tyre renegatë Doshi-Frroku, duke lënë pas tokën e djegur të ligjit, tokën e djegur të çdo norme demokratike qëe u përdhos nga Ilir Meta. Kjo është vetëm lavdi e përkohshme e së keqes. Ata mund të kontrollojnë hetimin dhe ta diktojnë por kjo çështje nuk ka për tu mbyllur. Kjo është sprova më e madhe për vendin dhe shqiptarët”, tha Basha.

SHKARKO APP