Basha: Ndarja me këtë qeveri frenon eksodin
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nëpërmjet një deklarate sot e ka cilësuar si të turpshëm faktin që Kryeministri Edi Rama mohoi ekzistencën e eksodit të shqiptarëve.
“Duke mohuar këtë eksod, Edi Rama jo vetëm tallet me mijëra kryefamiljarë, të rinj e të reja, jo vetëm tallet me jetën e tyre dhe me aktin ekstrem që bëjnë duke ikur natën nga shtëpitë e tyre, duke shitur çfarë u ka mbetur pos shpirtit për të bërë pasaportat dhe blerë biletat, por akoma më keq, tregon se ai nuk ka asnjë zgjidhje,” tha Basha.
Kreu i PD-së në deklaratën e tij bëri si shkak kryesor të kësaj arratie tragjike, vetë kryeministrin dhe keqqeverisjen, që sipas tij “është në ortakëri me krimin, korrupsionin e hajdutërinë që Rama ka mbjellë në çdo zyrë të shtetit”.
“Vetëm ndarja me këtë qeveri e me këtë kryeministër mund ta normalizojë situatën e ta frenojë eksodin dramatik të shqiptarëve”, u shpreh Basha.