Basha: Negociatorët e PD janë në tryezë
Kryetari i PD-së Lulzim Basha thotë se është gati për të vijuar negociatat për cështjet e mbetura pezull. “I kthej përgjigje pozitive Ramës pas deklaratës për konsensus. Gjithçka e rënë dakord është në përputhje me rekomandimin 88. Ekspertët tanë po finalizojnë paketën për 7 ligjet. Që prej orës 14:00 negociatorët e PD janë në tryezë”,- tha Basha.
Pjesë nga deklarata e Bashës:
Rama nuk ra dakord për një deklaratë të përbashkët dje pas takimit. Ai iu rikthye gjuhës së vjetër të konfliktualitetit, çka për fat të keq nuk i kontribuonte shpirtit të negociatave që pritej të fillonin. Negociatat nisën dhe për 2 çështejt kryesore të mbetura pezull u mbajtën këto qëndrime: përfaqësuesit e maxhorancës propozuan nenin 123 të kushtetutës si formulën për funksionimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ne e konsideruam këtë një zgjidhje të pranueshme. Problemi i dytë i mënyrës si do funksionojë Operacioni u zgjidh me një propozim të ardhur nga partnerët, të cilët propozuan që Operacioni të stacionohet pranë një prej dy organeve, Presidentit, apo Avokatit të Popullit që ai të marrë të gjitha aplikimet, të hartohet një listë e bardhe me ata që plotësojnë kriteret, një liste e gjelbër për ata që nuk plotësojnë kriteret dhe një listë e zezë për ata që ka dokumente fakte dhe prova. Të 3 listat administrohen nga organi që është Presidenti. Presidenti ia dërgon 3 listat një komisioni ad hoc në kuvend. Ky komision ka mundësinë që me 4 nga 6 votat në qoftë se konstaton gabime materiale në listën e gjelbër kalon në listën e bardhë. Me 5 nga 6 vota nëse e sheh që ka gabime nga lista e zezë kalon në listën e bardhë. Lista i shkon komisionit ad hoc me 12 anëtarë dhe prej këtej me formulën hibride procesi vazhdon ashtu siç është.
Cilat janë kriteret? PD propozoi disa kritere dhe morëm vlerësimin e ndërkombëtarëve: aftësi profesionale, pastërti e figurës, deklarimi i pasurisë, nuk kanë qenë anëtarë partie në 20 vitet e fundit, nuk kanë marrë pjesë në reformën në drejtësi. Mbi bazën e këtyre kritereve do vendoset nëse i plotësojnë apo jo kushtet. Pas diskutimesh të gjata rreth orës 1 të natës pati rakordim për këtë çështje. Palët morën pushim për të ngrënë darkë dhe marrëveshja po transkiptohej. Por më pas u kërkua që Operacioni të ketë të drejtë të përjashtojë pa fakte kandidatë nga aplikimi. Kjo bie ndesh me kushtetutën. Një pretendim absurd, i papranueshëm. Po në qoftë se është një person i papranueshëm për opinionin publik? Duan ti japin vëzhguesve ndërkombëtarë rolin e zëdhënësit të opinionit publik. Rikthimi te kjo pikë ishte për fat të keq sinjali i zhbërjes së marrëveshjes që ishte arritur tashmë.
Pika e dytë ka të bëjë me mënyrën se si rregullohet prania e misionit ndërkombëtar dhe funksionimi i tij në Shqipëri. Propozimi për nenin 123 papritur u kundërshtua. U kundërshtua me pretendime absurde, që një mision që funksionon në bazë të një marrëveshje të tillë mund të kontestohej në Gjykatën Kushtetuese. Ky pretendim nuk qëndron. Në nenin 122 të Kushtetutës thuhet që një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të. Mundësia që marrëveshja e ratifikuar për funksionimin e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të kontestohet në Kushtetuese është zero. Me këtë rreth orës 2 këto dy çështje të mbylleshin dhe sot të kishim lajmin e mirë. Absurdi i absurdeve, u refuzua kjo zgjidhje.
KOHA JONË SONDAZH

