Basha: Nëse jo me logon e PD, në zgjedhjet e 2025 do të marrin pjesë me parti të re
Ish kryetari i Partisë Demokratike të pozitës, Lulzim Basha, tha sot se, pas zbardhjes së vendimit të gjykatës së Apelit, që njohu si kryetar të PD-së Sali Berishën, grupi i tij do ta ankimojë këtë vendim. Ai theksoi se zoti Berisha nuk eshte zgjidhja qe i duhet demokrateve.
Tre ditë pas Gjykatës së Apelit, që la në fuqi vendimin e shkallës së parë, e cila njohu Kuvendin e dhjetorit 2021 të mbështetësve të ish kryeministrit Sali Berisha, ku ai u zgjodh drejtues i strukturave të reja partiake, Lulzim Basha nga ana tjetër zhvilloi sot një mbledhje me strukturat partiake të mbështetësve të tij.
Pas një mbledhje të gjatë me dyer të mbyllura dhe me shumë diskutime, ndërsa Apeli nuk pranoi ankimimin e tij lidhur me vulën dhe përfaqësimin e Partisë Demokratike, zoti Basha njoftoi rekursin ndaj atij vendimi në Gjykatën e Lartë.
“Qëndrimi i qartë i mbledhjes së përbashkët të kryesisë dhe të kolegjit të kryetarëve është: Rekurs në drejtësi, në Gjykatën e Lartë, për të mos lejuar që në këtë vend të triumfojë padrejtësia. Në çdo rast, ne do të jemi në zgjedhje. Shqiptarëve do t’iu japim alternativën. Përpjekja për të zhbërë alternativën që ne paraqesim, si progam, si ekip, si bashkim vlerash, mbi të cilat është themeluar Partia Demokratike, do të dështojë. Përpjekja e Edi Ramës për të reduktuar debatin, se si do të qeveriset vendi në katër vitet e ardhshme, në pyetjen se kush më pak i korruptuar Rama apo Sali Berisha, kjo përpjekje do të dështojë. Shqiptarët do të kenë alternativën e tyre. Shqiptarët meritojnë më shumë dhe me alternativën tonë do të kenë më shumë”, tha zoti Basha menjëherë pas mbledhjes.
Ai shtoi se rekursi bëhet sepse është bindja e thellë profesionale juridike edhe të gjithë përfaqësve politikë, që vendimi i 11 qershorit është një vendim i padrejtë dhe i pabazuar.
“Nuk mundet që Partia Demokratike e Shqipërisë të jetë kundër luftës ndaj korrupsionit, kundër SPAK-ut, kundër aleatëve tanë strategjikë, që mundësuan rrëzimin e komunizmit, pavarësimin e Kosovës dhe futjen e Shqipërisë në NATO. Beteja jonë e parë, përmes rekursit, do të jetë që PD t’iu kthehet idealeve të demokratëve për të bërë një betejë të vërtetë me Edi Ramën, jo një betejë false. Është e qartë që zoti Berisha nuk është zgjidhja për të larguar Edi Ramën, në fakt është aseti i vetëm i Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme”, tha zoti Basha.
Ai dhe mbështetësit e tij mbanin deri dje siglën e PD-së, por pas zgjedhjeve vendore të një viti më parë, shumica e grupit parlamentar u largua prej tij dhe u bashkuan me mbështetësit e zotit Berisha ndërsa grupin e deputetëve e kryeson Gazmend Bardhi, një tjetër kundërshtar i tij. Por vendimi i Apelit për t’ia hequr përfaqësimin e PD-së, i dobësoi edhe më shumë pozitat e zotit Basha.
Të dyja palët në PD kanë shkuar larg me deklarata dhe qëndrime të kundërta. Zoti Berisha dhe ndjekësit e tij e cilësojnë zotin Basha si një bashkëpunëtor të qeverisë së korruptuar të kryeministrit Rama.
Ndërsa zoti Basha e përjashtoi zotin Berisha nga grupi parlamentar pasi u shpall non grata nga SHBA-të për korrupsion madhor dhe cënim të demokracisë, duke theksuar se në PD duhet të merrte fund berishizmi dhe të kthehen vlerat euro-atlantike.
Ndërkohë që pas vendimit të fundit të Apelit, logo, vula dhe përfaqësimi i kanë mbetur kryetarit të zgjedhur nga grupimi i rithemelimit, ambasada e SHBA-ve në Shqipëri, duke iu përgjigjur interesimit të medias, theksoi se pozicioni i saj “në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: SHBA nuk angazhohen me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA”.
Ky është viti i fundit i mandatit të tretë të qeverisjes socialiste, ndërsa pas një viti mbahen zgjedhjet e përgjithshme.
Në kohën e mbetur deri në garën zgjedhore të radhës mbetet për t’u parë se çfarë hapash do të ndërmarrin forcat opozitare për të paraqitur një alternativë politike për qytetarët, ndërsa shumica socialiste synon edhe një mandat tjetër, megjithë aferat korruptive, që ka nxjerrë drejtësia në radhët e zyrtarëve të lartë dhe tek administrata publike në çdo nivel qeverisje.