Basha nis fushatën: Programi ekonomik i PD-së sjell një tjetër kulturë politike, nxit mirëqenien

Lulzim Basha zhvilloi këtë të mërkurë një tryezë diskutimi me ekspertë të ekonomisë për programin ekonomik të PD-së zyrtare, që është edhe një sinjal për nisjen e një fushate për zgjedhjet e përgjithshme në 2025.

“Synimi është një dhe vetëm një: asnjë pjesë e programit dhe ofertës tonë të mos mbetet në hije, asgjë të mos i mbetet rastësisë. Një kulturë e re politike kërkon që oferta e çdo formacioni politik të jetë transparente”, theksoi Basha.

Nga ana tjetër, Basha tha se ekonomia shqiptare vuan në një lëngatë të shumëfishtë. ”Vuan nga njëra anë për shkak të korrupsionit galopant, një sëmundje shoqëruese e tranzicionit shqiptar, por që nuk ka pasur kurrë nivele të tilla si në këtë dekadë, dhe në këtë mënyrë është kthyer jo thjesht një pengesë, por një gangrenë për rritjen ekonomike”.

Basha shtoi edhe se ekonomia shqiptare është kthyer në kontribuesin kryesor për mosmirëqenien e shqiptarëve, për varfërinë e tyre, për ankthin që ka kapluar si faktorët ekonomikë, ashtu edhe tregun e punës, që i është përcjellë familjes shqiptare, i është përcjellë në veçanti rinisë shqiptare me pasojat të rënda, mpakjen e vendit, shpopullimin e vendit.

SHKARKO APP