Basha: Njerëzit enden rrugëve pa shpresa, Kryeministri tallet dhe i kërcënon
Në vazhdim të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar me banorë të Kavajës dhe Rrogozhinës. Basha është njohur me shqetësimet e tyre, si papunësia, largimi nga skema e ndihmës ekomomike të familjeve të varfra dhe futjes në skemë të miqve dhe të afërmve të qeveritarëve, rritja e çmimit të energjisë dhe mashtrimi për kompensimin e saj.
“Zgjidhja është të bashkojmë të gjithë votën për të ndalur të keqen, për të larguar të keqen dhe për t’i hapur rrugën punësimit me djersën e ballit, me aftësi dhe me meritë. Ne po bëjmë një ofertë për qytetarët, që të ulim taksat, të ulim çmimin e energjisë me 25 për qind, të falim kamatë-vonesat sepse janë bërë të papërballueshme për shqiptarët. Ne po ofrojmë mundësi që përmes dedikimit të fondeve të shtetit për investime publike dhe mbështetje ndaj biznesit, duke ulur taksat të hapen më shumë vende pune”, – u shpreh kreu i PD.
Të zhgënjyer dhe të braktisur janë sot qytetarë të majtë e të djathtë dhe kjo dëshmohet nga vetë ata. Listat në dyqanet e ushqimeve shtohen çdo ditë, i thanë zotit Basha tregtarët. Shqetësim i madh është shëndetësia e cila sot jo vetëm nuk është falas por është vjedhur edhe fondi prej 1.5 milionë dollarësh i kompensimit të ilaçeve.
“Mashtrimi me shëndetësinë falas është mashtrimi më i pashpirt. Përveç mashtrimit kanë futur duart edhe në fondin e kompensimit, kanë vjedhur 1.5 milionë dollarë që ishin për këto raste”, deklaroi Basha.
KOHA JONË SONDAZH

