Basha: Rama u kap me presh në duar duke vjedhur 430 milionë euro, fillon e shpif edhe për Tabakun

Gjatë një takimi me strukturat e degës së PD-së, nr.12 në Tiranë, kreu i PD Lulzim Basha tha se qeveria ka përvetësuar 430 milionë euro me skemën e incineratorëve. Po ashtu Basha shtoi se kryeministri është kapur me presh në duar me këtë vjedhje, ndërsa fillon dhe shpif kundër tij dhe kryetares së Komisionit Hetimor, Jorida Tabakut.

“Vetëm një qeveri zemërkazëm mund t’ia dalë të përvetësojë me ato skema që i kanë parë të gjithë shqiptarët 430 milionë euro të shqiptarëve për një gjoja skemë të djegies së plehrave që siç e pamë të gjithë, ka qenë një skemë e avullimit të parave të shqiptarëve.

Që nga zyrtari më i ulët që doli para këtij komisioni, deri tek koka e qeverisë dhe e kësaj afere, nuk ia dolën dot ta fshihnin të vërtetën. Si ia dolëm që komisionin që Edi Rama donte ta mbyllte dhe mos të vinte të dëshmonte, ta çonim deri në fund.

Unë të kap me presh në duar duke vjedhur 430 mln euro, ti fillon e shpif kundër meje, bashkë me dy shokët e tu, tre shokët. S’më bën fare asnjë përshtypje! Sulmet, shpifjet, ndaj meje personalisht, ndaj bashkëpunëtorëve të mi, ndaj deputetes që keni këtu, edhe këtë e sulmojnë nga mëngjesi deri në darkë.

Merren me një zonjë, merren me familjen e saj, merren me fëmijët e saj, siç u morën me kryetaren e komisionit, Tabakun. Merren me ne personalisht! Por ne këto sulme as s’na bëjnë përshtypje fare”.

SHKARKO APP