Basha shpërthen ndaj deklaratës së Ramës: I bëj thirrje t’i vërë gishtin kokës
Kreu i PD Lulzim Basha ka reaguar menjehërë pas komunikimit javor të kryeministrit Edi Rama, ku ky i fundit tha se do të shkojë në zgjedhje pa opozitën.
Nga “Çadra e Lirisë”, siç është pagëzuar streha e protestuesve përballë kryeministrisë, lideri i opozitës shprehu bindjen se në 18 qershor të 2017-ës Shqipëria nuk do të ketë zgjedhje parlamentare.
Basha tha se duhet krijuar një qeveri teknike pa Edi Ramën, për të garantuar kështu zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për herë të parë, Basha foli hapur për shtyrje të zgjedhjeve të 18 qershorit, me të paktën 100 ditë. Kjo ishte kohë që kreu demokrat kërkon t’i jepet qeverisë teknike për të kthyer vendin në normalitet, para se të mbahen zgjedhjet për parlamentin e ri shqiptar.
“Duhet qeveri teknike me kohë të mjaftueshme për të kryer detyrat e saj. 100 ditë në dispozicion për të çmontuar aparatin mafioz dhe narkotrafikantë që mban Edi Ramën në pushtet”, tha Basha.
Në përfundim, ai u drejtua me një apel për kryeministrin Rama.
“I bëj thirrje ti vë gishtin kokës dhe ta kuptojë se këto kushte janë rrugëzgjidhja për Shqipërinë Evropiane por janë edhe shansi i tij i fundit për të mos përfunduar si diktatorët e marrë. Thirri mendjes sa nuk është vonë. Beteja jonë ka nisur dhe do të përfundojë vetëm me fitore”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
KOHA JONË SONDAZH

