Basha: S’ka shans për negociata për drejtësinë

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, në një intervistë ekskluzive për “Ora News” vetëm pak minuta pas vendimit të grupit parlamentar demokrat për të dorëzuar draftin e opozitës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të reformës në drejtësi jep detajet e përmbajtjes së tij dhe qëndrimin e Partisë Demokratike në vijim mbi këtë proces të rëndësishëm. Shefi i selisë blu mendon se reforma në drejtësi nuk ka asnjë shans të zbatohet para zgjedhjeve të vitit 2017 edhe sikur të miratohet sot. Zoti Basha bëri përgjegjëse për këtë vonesë Qeverinë që siç tha ai ja doli ta shtyjë atë për të ruajtur korrupsionin qeveritar. Propozimet e demokratëve, thotë Kryetari i opozitës në një intervistë me gazetaren Mimoza Picari, shkojnë në të njëjtën linjë me atë të Komisionit të Venecias.

Zoti. Basha, cili është konkluzioni i mbledhjes së grupit parlamentar të PD në një fazë shumë të rëndësishme për ju ku flitet për drejtësinë, diskutimet në Komisionin e Posaçëm për reformën në drejtësi, por edhe për një draft të PD?

Grupi parlamentar ka mbështetur plotësisht punën e bërë nga anëtarët tanë në Komsionin Ad-Hoc dhe nga ekspertët e PD, që i kanë dhënë shqiptarëve atë që Qeveria ua ka mohuar për dy vite me radhë, qartësi për një reformë në drejtësi që nuk mbron por lufton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeveritare. Në këtë kuadër, grupi parlamentar dhe PD kanë qenë të qarta prej fillimit kur Edi Rama çoi draftin e parë për kapjen e drejtësisë me elementë të tillë si Byronë Kombëtare të Hetimit nën kontrollin e Shullazit apo Sajmir Tahirit, që për ne është e njëjta gjë, që Venecia të shprehej, Venecia u shpreh, drafti u çmontua me turp. Edi Rama për një javë nuk u prononcua dhe pastaj në vend që të dilte të kërkonte falje dhe të ofronte bashkëpunim, prodhoi draftin e dytë po kaq problematik, draft që po kështu u çmontua nga Komisioni i Venecias. Së fundi Komisioni i Venecias me këtë çmontim të dytë, la dy detyra për klasën politike shqiptare, për Qeverinë në radhë të parë dhe për opozitën. Të gjejmë bashkërisht zgjidhje të standardit europian për arkitekturën e sistemit të drejtësisë dhe për mënyrën e emërimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë sepse për komponentin më kryesor të reformës që është lufta kundër korrupsionit, nuk kishte çfarë të thoshte Venecia. PD, unë, ua bëmë të qartë shqiptarëve, faktorit ndërkombëtar dhe Qeverisë që sa i përket luftës kundër korrupsionit, pra Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Byrosë Kombëtare të Hetimit jo nën sqetullën e Tahirit dhe krimit por ashtu siç tha Venecia nën kupolën e  drejtësisë dhe procesit të pastrimit dhe vetëpastrimit të drejtësisë përmes asaj që quhet procesi i Vetingut, PD e jepte votën e saj që në shkurt apo mars. Propozuam në mars që të ecej me komponentin anti-korrupsion, me amendamente kushtetuese dhe ligjet përkatëse, të dyja bashkë. Siç ecëm për dekriminalizimin, ku bëmë edhe ligjin dhe amendamentin në një seancë dhe në këtë mënyrë ti hapej rruga ndërtimit të institucioneve anti-korrupsion, sepse këto institucione nuk lindin brenda ditës. Ndërtimi i tyre kërkon minimalisht 6 muaj, ndoshta 10-12 muaj. Mesa duket ky ka qenë dhe hesapi i mazhorancës, që të mos kishte prokurorë antikorrupsion nëpër këmbë teksa po afrojnë zgjedhjet, të mos kishte polici gjyqësore antikorrupsion dhe antimafia të pavarur politikisht, të pandikuar politikisht, që nuk merr telefonata nga Kryeministri, Ministri i Brendshëm para zgjedhjeve. Kjo ofertë e jona hasi në një vesh të shurdhër dhe u kërkuar të kalojë e gjithë paketa, pjesa antikorrupsion dhe pjesa e institucioneve. Për pjesën e institucioneve Venecia e thotë fare qartë: Duhet vullnet politik i të dy palëve.

Çfarë kuptoni ju si kryetar i opozitës me vullnet politik, një tërheqje absolute të shumicës? Nga se, nga cilat pjesë duhet të tërhiqet shumica?

Jo absolutisht. Ne kërkojmë instrumente të natyrës europiane. Pra institucione europiane dhe jo institucione të shpikura për të krijuar vende pune për veten e tyre me nga 6 milionë lekë në muaj, se kjo ka qenë ideja. Taksapaguesit duhet ta dinë që klientët  e Qeverisë, të vetëquajturit ekspertë të nivelit të lartë, së bashku dhe me mbështetje qeveritare krijuan institucione me pagesa dy-tre fish Kryeministri apo Presidenti që do të punësoheshin vetë dhe ku do të caktonin vetë se cili nga gjyqtarët bënte dhe cili nuk bënte.

Ne flasim për arkitekturën apo për buxhetin e arkitekturës?

Po flasim për arkitekturën. Parimi i arkitekturës duhet të jetë parim europian jo parim “allashullaz”. Se Shullazi është një fenomen edhe i korrupsionit moral, politik, është produkt i korrupsionit politik të kësaj qeverisje. Jo formulë “allashullaz” dhe “allakokëdhimë”, por një formulë europiane të institucioneve të reja.

E keni ju këtë formulë sot?

I takonte Qeverisë të ulet dhe të negociononte, nuk e bëri. Prandaj e kemi bërë ne.

Cila është formula juaj?

Është një formulë e cila paraqet 7 institucione të drejtësisë, ekspertët e kanë shpjeguar në detaje dhe unë nuk marr përsipër të bëj ekspertin sot. Por mund t’u them se në diskutimin e grupit kjo formulë është gjetur plotësisht në përputhje me atë që dëshirojmë ne, një standard europian të menaxhimit të sistemit të drejtësisë. Ndërkohë për pjesën tjetër të luftës kundër korrupsionit, pra për Prokurorinë e Posaçme, Njësinë e Posaçme Hetimore siç është riquajtur Byroja Kombëtare e Hetimit dhe për procesin e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, PD ka thënë po që prej marsit zyrtarisht. Për procesin e vendimmarrjes dhe ky është komponenti i tretë, partnerët ndërkombëtarë kanë ofruar disa formula, kanë garantuar PD se do të mbështesin cilindo formulë që PD do ta gjykojë të pranueshme në kuptimin e balancimit të interesave politike. Dhe ne kemi vënë gishtin tek formula e vendeve të rezervuara, sigurisht duke i njohur primatin, pra duke i dhënë mazhorancës mundësinë që të emërojë në përputhje me përgjegjësitë e saj para elektoratit dhe opozitës në përputhje me përgjegjësitë e saj para elektoratit. Për ne çështja e vendimmarrjes sipas kësaj formule konsiderohet e zgjidhur. Për ne çështja e luftës kundër korrupsionit përmes institucioneve të reja antikorrupsion konsiderohet e zgjidhur. Ajo që mbetet pa zgjidhur është mundësia që ky Kryeministër apo cilido Kryeministër në të nesërmen të fusë duart në arkitekturën e drejtësisë. Që kjo mos të ndodhë dhe që Shqipërisë t’i garantohet një sistem drejtësie njësoj si europianëve, ku Kryeministri nuk merr në telefon dhe kërcënon prokurorë e gjyqtarë për të mbrojtur Kokëdhimën, për të shpëtuar deputetët e tij, por një drejtësi të standardit europian që garantohet nga një arkitekturë institucionesh të standardit europian. Për këto jemi të gatshëm të dialogojmë me maxhorancën, nuk themi që kemi monopolin e të vërtetës, por ne kemi ofruar zgjidhje, zgjidhje të standardit europian. Mazhoranca është e ftuar, paradoksalisht u takon atyre të na ftojnë ne, por se kanë bërë, e kam bërë unë dhe e përsëris.

E qartë, atëherë ku është teatri i njerëzve, nëse do e quajmë kështu?

Bashkëkryetarët e Komisionit apo çfarëdo formati tjetër të ndihen komodë kundërshtarët tanë politikë, ne jemi gati të angazhohemi.

A mund të bëni diferencën e arkitekturës së opozitës me atë të shumicës, ku është diferenca që ndan PD dhe Qeverinë?

Është parimi. Parimi i arkitekturës së propozuar nga shumica është shpërndarja e kompetencave në 5-6 institucione të reja të cilat që nesër mund të krijojnë pakte mossubjimi me njëra-tjetrën sepse ndërvaren nga njëra-tjetra. Ky është një problem i vjetër i drejtësisë shqiptare që pesëfishohet me këtë arkitekturë. Ndërsa propozimi ynë është thjeshtimi i arkitekturës dhe vendosja e përgjegjësive të qarta para institucioneve dhe qytetarëve. Ta dinë qytetarët, cili institucion ka përgjegjësinë për kontrollin e integritetit të gjyqtarëve, po e bën apo nuk po e bën si duhet dhe çfarë mekanizmash ka qytetari për të kontrolluar dhe disiplinuar atë institucion që nuk e bën punën si duhet. Ne ofrojmë një skemë të standardit europian të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë europiane dhe jo një pyll përgjegjësish të koklavitura, të ndërthurura, në konflikt interesi me njëra-tjetrën, ku nuk shquhet dot e mira nga e keqja dhe përgjegjësi apo fajtori nga viktima.

Çfarë duan të zgjidhin ambasadorët kur bënë një ecejake nga njëra seli te tjetra, çfarë synojnë të zgjidhin në këtë ngërç?

Në rrafshin e përgjithshëm është një pyetje për ambasadorët dhe studiuesit e shkencave politike.

Edhe për ju, ju e dini çfarë nuk shkon?

Në PD vinë dhe marrin nga PD jo vetëm vullnetin tonë politik që prej ditës së parë për reformën në drejtësi, por edhe vendosmërinë tonë për tu qëndruar parimeve mbi të cilat funksionon drejtësia në vendet e tyre.

A mundet ndërkombëtarët që në një moment kaq të rëndësishëm, ku jemi drejt finalizimit të një reforme shumë të rëndësishme për shqiptarët, që t’u lënë në dorë palëve politike dy elementë kryesorë për të cilat nuk kanë rënë dakord gjatë gjithë kohës, siç është arkitektura dhe vendimmarrja, për t’i zgjidhur ata pa ndërhyrë dhe pa ju dhënë një model? A kemi sot një model të tyre për dy çështjet?

Po, në rastin e vendimmarrjes na është ofruar një model, vendimin do ta marrë legjislatura, Parlamenti shqiptar jo ambasadorët. Dhe pse Parlamentit i mbaron mandati dhe ambasadorëve u mbaron mandati, po Parlamenti aty është dhe me një mandat të rinovuar është përfaqësues i vullnetit të popullit. Prandaj kërkohet që mbi këtë model të ofruar, në rastin e vendimmarrjes, të ketë një dialog politik. Ne kemi marrë vendimin tonë në mbështetje të një prej modeleve të ofruara nga ndërkombëtarët që është modeli i vendeve të rezervuara.

Marrë me shkurtime nga “Ora News”

SHKARKO APP