Basha: Ta çlirojmë vendin nga oligarkia
Në fjalën e mbajtur sot në Shkodër para të pranishmëve me rastin e përkujtimit të 25-vjetorit të protestës së 2 Prillit, kryedemokrati Lulzim Basha foli për trashëgiminë që lanë pas sipas tij “Dëshmorët e demokracisë”.
“Na lanë pas sprovën e kurajos dhe guximit të tyre për të bërë një kthesë të madhe, sprovën për t’i dalë pëprara së keqes që i ka zënë rrugën vendit dhe ka bllokuar aspiratën për liri dhe mirëqënie”, u shpreh Basha.
Më tej, ai heq një paralele mes regjimit komunist dhe qeverisjes aktuale.
“Njësoj si regjimi komunist edhe këta duan pushtet me çdo kusht dhe çdo çmim, ashtu si 25 vite më parë. Vjedhin votën, shkelmojnë ligjin. Modeli i tyre është e shkuara, krimi që vrau Shkodrën, modeli i tyre është pasurimi i qeveritarëve dhe varfërimi i qytetarëve. Këtë mendje kanë patur paraardhësit e tyre politikë, të njëjtën mendje kanë edhe sot se pushteti është mbi ligjin, jo ligji, se pushteti është dhuna dhe dajaku. Janë jashtë sistemit demokratik që Shkodra dhe Shqipëria përqafoi 25 vite më parë”, u shpreh Basha.
Në fund, për kreun e opozitës ka vetëm një rrugëzgjidhje.
“Do të protesojmë kundër aleancës së qeverisë me krimin, që ka marrë nën këmbë shtetin si ortakë të Edi Ramës. Jemi të vendosur ashtu si 25 vite më parë që të mos nëpërkëmbet Shqipëria, do të protestojmë për të çliruar Shqipërinë nga kthetrat e oligarkisë Rama-Meta. Dëshmorët janë frymëzimi ynë dhe ne do të fitojmë”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

