Basha takim me të rinjtë: 4 kampuse të teknologjisë së informacionit, 30 mijë çifte të reja do marrin zbutje të kredive
Lulzim Basha gjatë një takimi me të rinj që votojnë për herë të parë, prezantoi disa prej pikave kryesore të programit. Ai theksoi ndërtimin e katër kampuseve teknologjike në Tiranë-Durrës, Korçë-Elbasan, Shkodër-Lezhë dhe Vlorë-Fier, me një investim prej 200 milionë eurosh në vit për trajnimin e 25 mijë të rinjve. në katër vite.
”Në programin tonë që e kemi shpalosur më 1 qershor të vitit të shkuar, investimi publik më i madh është ndërtimi i katër kampuseve për teknologji informacioni, që do të hapen në akset Tiranë-Durrës, Korçë-Elbasan, Shkodër-Lezhë dhe Vlorë-Fier. 200 milionë euro çdo vit për të trajnuar 25 mijë të rinj dhe të reja në krye të katër viteve, që t’i fusim në tregun e teknologjisë së informacionit”, tha Basha.
Basha foli gjithashtu për mbështetjen ndaj çifteve të reja me subvencione për kredi dhe qira banesash, duke synuar lehtësimin e themelimit të familjeve të reja. Një tjetër propozim tjetër është rritja e bonusit për fëmijët, deri në 20 mijë euro për fëmijën e tretë.
”30 mijë çifte të reja do të përfitojnë zbutje të kredive për të blerë një banesë, apo të qirasë për një banesë, me qëllim që të themelojnë familjen e tyre. Një nga pengesat kryesore për të themeluar një familje për një çift të ri, është se banesat janë shumë të shtrenjta, si në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.
Zbutja e interesave të kredisë, marrja përsipër e riskut kolateral, apo zbutja e qirasë, për ata që do të jenë më qira, ka një faturë financiare. Për 30 mijë çifte të reja, kjo faturë financiare përllogaritet të jetë afro 45 milionë euro. Gjithçka që ne kemi marrë përsipër me programin tonë, është e kostuar dhe e futur në një kuadër të përgjithshëm i cili është 100 për qind i përputhur dhe i audituar nga auditues gjermanë”.
Basha shtoi edhe se dreka shtetërore për nxënësit dhe më shumë orë mësimi pas shkollës për zhvillimin e aftësive teknologjike, artistike dhe sportive. Basha tha se të gjitha këto politika janë të audituara nga ekspertë gjermanë dhe të përllogaritura financiarisht, duke u zotuar se do të realizohen përmes luftës ndaj korrupsionit.
KOHA JONË SONDAZH

