Basha takon Lu: Dekriminalizimin e bëjmë dhe me popullin
Një ditë pasi ishte në qendër të vëmendjes publike për shkak të deklaratave në një aktivitet të qeverisë për luftën kundër krimit, ambasadori amerikan, Donald Lu mbërriti në selinë blu, ku u takua me kryetarin e PD, Lulzim Basha.
Pas takimit, Basha deklaroi se dekriminalizimi është prioritet i opozitës dhe Kuvendit.
“Dekriminalizimi, pra largimi i kriminelëve nga Parlamenti, nga pushteti vendor dhe administrata publike është prioriteti kryesor i Shqipërisë dhe për këtë, Partia Demokratike e unë personalisht, jemi të vendosur për ta çuar betejën deri në fund. Ne kemi mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët dua t’i falënderoj për këtë mbështetje që i japin kësaj kauze jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jemi të vendosur që të ndërmarrim të gjithë hapat për ta zgjidhur këtë çështje.
Fokusi ynë mbetet zgjidhja institucionale brenda kornizës së marrëveshjes së 24 Dhjetorit, në kuadër të komisionit të dekriminalizimit, për të gjetur rrugën dhe gjuhën e përbashkët në mënyrë që ligji për dekriminalizimin të jetë një ligj efektiv dhe jo një ligj kozmetik, një ligj që me të vërtetë e bën të pamundur për personat me rekorde të tmerrshme kriminale të kandidojnë apo të mbajnë funksione publike.
Nëse qeveria ka vullnetin të punojë mbi këto parime, ne kemi vullnetin tonë të plotë dhe sigurisht, përkrahjen e plotë të faktorit ndërkombëtar. Nëse jo, opozita do të marrë vendimet që i takojnë bashkë me qytetarët shqiptarë. Dekriminalizimi do të bëhet. Mirë është të bëhet me vullnetin e të gjithë palëve. Nëse jo, do të bëhet edhe përkundër mungesës së vullnetit nga ana e qeverisë e veçanërisht kryeministrit Rama”, deklaroi Basha.
Ndërkohë ambasadori Lu tha se SHBA nuk është për një ligj kozmetik, por për një ligj të plotë, që të adresojë seriozisht këtë problem.
“Duhet zgjidhje institucionale për dekriminalizimin,” tha Lu.
KOHA JONË SONDAZH

