Basha, thirrje në Kukës: Të nisë mosbindja civile
Dhjetë muaj pasi Kukësi ishte në qendër të opinionit politik dhe publik për shkak të largimeve të shumta drejt Gjermanisë, kryetari i PD, Lulzim Basha u kthye në këtë qytet.
Por, sipas tij, asgjë nuk ka ndryshuar.
Tregtarët e Kukësit i folën për një gjendje të vështirë të aktivitetit ekonomik, ndërkohë ikjet masive në kërkim të azilit politik tregojnë sipas tyre varfërinë që ka kapluar qarkun.
“162 ditë në dy vite, ky njeri që i thotë vetes kryeministri i Shqipërisë, i ka harxhuar në hotelet më luksoze të botës me paratë e shqiptarëve, që i ka çuar drejt varfërimit dhe mjerimit, azilit e deri vetëflijimit,” tha Basha.
Më pas ai lëshoi një apel drejt banorëve, nëse atyre u ka sosur durimi.
“A keni mundësi me pritë edhe një vit e gjysëm? Atëherë iu bëj thirrje ta filloni këtu nga Kukësi, ta filloni këtu nga Kukësi frymën popullore të ndryshimit dhe të jeni të sigurt që në krah do të keni dibranë e shkodranë, korçarë e vlonjatë, populli, qytetarët kanë të drejtë të marrin në dorë fatet e tyre kur iu mohohet e drejta elementare, kur iu shkelet ligji për t’i dhunuar, kur i nxjerr nga puna, kur nuk kanë të ardhurat minimale, popujt e qytetëruar ngrihen, ndaj kam besim se Kukësi do të ngrihet, Kukësi do të ngrihet, Shqipëria do ngrihet, shqiptarët do ngrihen për drejtësi dhe një shtet në funksion të qytetarëve,” tha Basha.
“Por duhet ta dini që qeveria për të cilën ngriheni duhet të japë llogari që nga çasti i parë para jush, që qeveria për të cilën do të ngriheni dhe do të votoni do të jetë qeveria që do ulë taksat. Ju jap fjalën e nderit sot si kryetar i opozitës dhe kryetar i Partisë Demokratike e nesër me besimin tuaj se gjëja e parë që do të bëjmë është ulja e taksave,” theksoi Basha.
Basha ritheksoi gjithë masat dhe reformat fisjale që demokratët po përgatisin për programin e tyre qeverisës, si dhe premtimet për uljen e çmimit të energjisë dhe faljen e të gjithë kamatvonesave.
KOHA JONË SONDAZH

