“Bashën po e kritikojnë ata që humbën zgjedhjet e PD”

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Bedri Hoxha: “Lista të hapura që askush të mos vegjetojë në parti dhe të përfitojë nga puna e të tjerëve”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Pesha e opozitës gjatë këtyre muajve të fundit, intensiteti i saj i përditshëm kundër qeverisë në lidhje me menaxhimin e vendit dhe ngërçet e krijuara mbi reformat, duket se kanë krijuar një klimë debatuese të brendshme PD-së. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së për Qarkun e Dibrës, Bedri Hoxha, nuk i ka kontestuar zërat brenda partisë. “Basha ka pasur të gjithë mirëkuptimin për ato çfarë ka thënë z. Selami apo edhe deputetë të tjerë dhe ka bërë në mënyrë shumë korrekte sqarimet e nevojshme”. Për në lidhje me zërat keqdashës mbi opozitën, Hoxha i ka cilësuar se: “Vijnë nga ata persona që kanë përgjegjësi të padiskutueshme për gabimet tona në qeverisje dhe në zgjedhjet e qershorit të 2013, në zonat e tyre elektorale morën rezultate shumë të dobëta”. Ndërsa për mendimet se prezenca e ish-Kryeministrit Berisha më aktiv se Basha, po ja ul figurën e liderit të këtij të fundi, ka thënë se: “E majta mundohet të godasë Berishën si lider i fortë dhe karizmatik dhe njëkohësisht të zbehë profilin e z.Basha si lider perëndimor”. Debati se si duhet të reformohet çështja Zgjedhore, Hoxha është për lista të hapura që askush të mos vegjetojë në parti dhe të përfitojë nga puna e të tjerëve. Hoxha nuk ka lënë pa komentuar dhe lëvizjet e departamenteve të PD-së, ku shfaqet kritik, duke u shprehur se: “Një pjesë e kryetarëve mendoj se duhet të largohen vetë, aty ku ka pasur rënie të rezultateve. Kryetari Basha duhet të lëvizë më shumë në bazë për t’u njohur me problematikat”.

Gjatë mbledhjes së të mërkurës, u vu re një “përplasje”, midis z.Selami dhe liderit të PD-së, z.Basha. Si pjesë e demokratëve si i keni parë këto qëndrime, a ka të drejtë z.Selami kur thotë se, Basha po mban qëndrime të luhatshme, për reformën në drejtësi, për Byronë e Hetimit, si dhe për tërheqjen e akuzave ndaj Metës? Si qëndron e vërteta?

Shpesh  herë media në përgjithësi mendoj se përpiqet për të deformuar apo për ta transferuar debatin e brendshëm në PD, në hulli të interesave të saj duke mos pasqyruar realitetin. Në mbledhjet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka pasur dhe ka vazhdimisht debat dhe rrahje mendimesh për diskursin tonë politik, për qëndrimet e grupit parlamentare të PD-së në seancat plenare, për programin e ri politik dhe ekonomik që PD-ja po shpalos çdo ditë. Të mërkurën e kësaj jave deputeti Selami ka ngritur disa shqetësime në lidhje me disiplinën e grupit parlamentar dhe për qëndrimin që duhet të mbajë PD-ja për reformën në drejtësi, Byronë e Hetimit  dhe për luftën politike ndaj qeverisë dhe dyshes Rama-Meta. Dua të theksoj se Kryetari  Basha ka pasur të gjithë mirëkuptimin për ato çfarë ka thënë z.Selami apo edhe deputetë të tjerë dhe ka bërë në mënyrë shumë korrekte sqarimet e nevojshme. Unë pajtohem me z.Selami se ne gabuam më mos pjesëmarrjen tonë në reformën administrative, ne duhej të ishim aty të paraqisnim projektin tonë, të mbronim me fakte dhe prova se reforma e “rilindjes” ishte politike dhe aspak në dobi të qytetareve. Nuk jam aspak dakord  me z.Selami nëse ai mendon se, z.Basha po mban qëndrime të luhatshme apo të dyzuara  për reformat. Z.Basha ka qenë i prerë dhe i saktë, për ata që kanë veshë dhe dëgjojnë se; Partia Demokratike do të votojë për një reformë në drejtësi të pa kapur nga askush, për një byro hetimi të pavarur nga qeveria. Ne nuk mund të biem dakord që t’u varim mëlçitë në qafë ujqërve Rama-Meta. Ata po përpiqen me çdo çmim që të kapin sistemin e drejtësisë de jure, se de fakto ata e kanë sot nën kontroll. Çdo kapje e sistemit do të ishte me pasoja të rënda për të ardhmen e vendit në proceset integruese. Z. Basha, z. Ristani, por edhe z.Paloka si kryetar i grupit parlamentar, janë shprehur qartë se PD-ja nuk mund të bëjë koalicion me LSI-në. Ne i konsiderojmë PS-në dhe LSI-në, pjesë të së njëjtës mollë të “kalbur”. Ndoshta po zgjatem, por pyetja është e kësaj natyre. Në PD nganjëherë, zërat kritik vijnë nga ata persona që kanë përgjegjësi të padiskutueshme për gabimet tona në qeverisje dhe në zgjedhjet e Qershorit të 2013, në zonat e tyre elektorale morën rezultate shumë të dobëta. Padyshim që Selami ka përgjegjësi për këtë të dytën. Në Librazhd ne morëm rezultatet më të dobëta historike si Parti Demokratike. A ka kush përgjegjësi këtu? Askush nga kritikët nuk  analizon veten. E vërteta është se PD-ja dhe Lulzim Basha po denoncojnë të gjitha aferat dhe korrupsionin e kësaj Qeverie. Akuzat tona tashmë janë certifikuar. KLSH në raportin vjetor për vitin 2015, i njoftoi shqiptarët se kjo qeveri dhe zyrtarët e saj u kanë vjedhur 777 milionë euro. Çfarë provash duhen më tepër.

Shihet qartë se ish-Kryeministri Berisha është rikthyer dhe ka marrë një rol më gjithëpërfshirës në parti, pothuajse gjatë muajve të fundit. A mendoni edhe ju se kjo pjesëmarrje deri në detaje e qëndrimeve të PD-së, po ja zbeh rolin liderit aktual, kryedemokratit Basha?

Unë mendoj se keni perceptim të gabuar në lidhje  me z.Berisha. Ai po luan atë rol që duhet të luajë dhe vetëm ai mund ta luajë. Ai është deklaruar se nuk aspiron për asnjë lloj posti, veç atë të deputetit. Çfarë ka për t’u shqetësuar këtu. Mendoj se ka qenë konstant në rolin e tij si ish-lider i PD-së, po kështu mund të them edhe për figura të tjera të partisë, si znj.Topalli, z. Bode, z.Patozi etj..  Unë mendoj se z. Basha po luan mjaft mirë rolin e tij si Kryetar i PD-së dhe nuk mund të them se nuk ka vend për përmirësime dhe vet-korrigjime. Të gjithë jemi dëshmitar se z. Basha  ka organizuar protesta madhështore në  bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kulmuar me protestën madhështore të 8 Dhjetorit. Nëse nuk je lider, nuk të ndjekin kaq shumë njerëz nga pas.  Mos prezenca e z. Basha në Parlament nuk është për faj të tij, arsyet dihen dhe megjithatë po bën beteje politike pa kompromis. Mendoj se kjo lloj frymë për të krijuar dualitet në PD, nuk vjen gjetiu, vjen nga e majta. Rama nuk e dëshiron Berishën në Parlament, pasi ai i çjerr maskën, denoncon me kurajë të gjitha babëzitë e dyshes Rama-Meta, ndaj ngrenë këtë alibi për ta larguar. Ne nuk jemi parti që nuk njohim rolin dhe vlerat e z. Berisha si lider historik, si ish-President dhe ish-Kryeministër, por edhe gabimet qe ai i ka pranuar për të mos i përsëritur në të ardhmen. Me këto teza e majta mundohet të godasë edhe Berishën si lider i fortë dhe karizmatik dhe njëkohësisht të zbeh profilin e z.Basha si lider perëndimor.

Si e parashikoni varësinë e Byrosë Kombëtare të Hetimit? A do të dakordësohet opozita me maxhorancën?

Ne e kemi shprehur qëndrimin tonë për Byronë Kombëtare të Hetimit, si një organizëm i nevojshëm në luftën ndaj korrupsionit në nivelet e larta shtetërore. Në një sistem demokratik opozita mund të hetohet lehtë pasi nuk mund të bëhet pengesë për organet e hetimit, eventualisht nuk e ka këtë mundësi. Problemi qëndron tek Qeveria. Nuk mundet që një organ si BKH, në varësi të qeverisë të hetoje atë. Përkundrazi shndërrohet në mburojë të sajë. Ne nuk kemi pse të bëjmë shpikje modele në Europë ka plot. Të mësojmë nga Franca, Gjermania apo Italia. Nuk besoj se ka shqiptarë që të pranojë drejtimin e BKH nga Saimir Tahiri. Ministri që deklaron se ka shitur makinën e trafikantëve të drogës kushërinjve, por pa dokumente. Kush do ta hetojë Rama, Meta, Beqja, Gjiknuri apo Ahmetaj? Saimiri se bën dot këtë punë. Këta janë çorbë nga i njëjti kazan. Ndaj qëndrimi ynë është i prerë, ne jemi për zbatim të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Tetorit të kaluar për një BKH të pavarur nga qeveria. Ne jemi për BKH në varësi të Prokurorisë. Ky qëndrim nuk është vetëm i yni, por edhe i SHBA-ve.

Reforma zgjedhore është një pikë e rëndësishme, si duhet të ndryshojë ajo në mënyrë që opozita siç ju dëshironi të jetë në një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme?

Qeveria teknike nuk e mundëson reformën në drejtësi. OSBE-ODIHR i kanë parashtruar vërejtjet dhe konkluzionet e tyre. Ata thanë qartë se në zgjedhjet e 2015-ës u bënë hapa prapa, në shumë raste votat u blenë. Financimi i partive politike nuk ishte transparent. Të gjitha këto kanë një autor Edi Ramën dhe Ilir Metën për këtë nuk kam asnjë mëdyshje, pasi jam dëshmitar okular të plot rasteve. Policia i futi duart në proces duke deformuar rezultatin në shumë raste. Makineria shtetërore shantazhi qytetaret duke përdorur çdo mjet për të arritur rezultatin. Mendoj se këto fenomene evitohen nëse ka vullnet politik dhe Edi Rama do të heqë dorë  nga blerja e varfërisë që ai po ua shton çdo ditë shqiptarëve. Ndaj në kërkojmë qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çfarëdo ligji apo sistemi zgjedhor të kemi Rama dhe Meta nuk e harrojnë zakonin e vjetër. Në fakt ky Parlament nuk e ka legjitimitetin për të kryer këtë reformë apo dhe të tjera pasi është faktuar se Rama e ka mbushur me banditë dhe kriminele. Personalisht jam për lista të hapura që askush të mos vegjetojë në parti dhe të përfitojë nga puna e të tjerëve. Siç ndodh shpesh herë me kritizerët.

Gjatë qeverisjes së PD-së, koncesione ka pasur, por si opozitë tashmë keni dalë kundër çdo koncesioni. Nga ndryshojnë mënyrat e dhënies të koncesioneve nga qeveria e kaluar me aktualen? Pse propagandohet çdo koncesion?

Po është e vërtetë që gjatë qeverisjes së PD-së, janë dhënë koncesione, por ju duhet të bëni dallimin me këta koncesione që jepen sot. Mendoj se ka qenë një politikë e drejtë ndërtimi i hidrocentraleve me koncesion në këtë rast shteti nuk ka dhënë asnjë lekë nga buxheti. Këto para janë investuar nga kompanitë private dhe bankat duke ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Si rezultat i kësaj politike u hap vende pune, rriten të ardhurat në buxhet, u rritën shkëmbimet tregtare etj.. Sot në Shqipëri 30% të energjisë e prodhojnë HC e vegjël të ndërtuara gjatë qeverisjes sonë. Rama e fsheh këtë fakt. Një pjesë e mirë janë në ndërtim e sipër. Mendoj se shteti i djeshëm dhe ky i sotmi duhet të kenë një rol garantues me bankat që këto projekte të ecnin më shpejt në ndërtim. Ndërsa koncesionet e qeverisë “Rama”, janë para që dalin nga Buxheti i Shtetit për t’i marrë privatët. Qeveria shet shërbime me paratë e taksapagueseve shqiptarë, për t’i ndarë këto para mes miqsh dhe shokësh, e thënë më shqip për t’i ndarë me njëri-tjetrin. Kjo maxhorancë nuk është votuar për të shitur shërbimet, por për t’i kryer më mirë ajo vetë. Le të marrim vetëm koncesionet në shëndetësi, një punë që kryejnë punonjësit e shtetit dhe paratë i merr privati. Paguhet dy herë për të njëjtën punë dhe Vilma e Ramës edhe personeli shëndetësor, shfrytëzohen objektet shtetërore për punë të privatit. Kjo është vjedhje që e shikon edhe i verbri. Këtu qëndron ndryshimi i madh. Rama deklaroi se ishte një punë që s’e bënte shteti. Rama gënjen kur thotë se kemi gjetur dosje koncesionesh me tre letra në dosje. Le të bëjë publike një të vetme. Po të jetë kështu, dikush duhet të shkojë në burg.

Si i shihni krijimet e degëve të reja brenda PD-së dhe ndryshimet në strukturat drejtuese në degët humbëse, e që duhet thënë se këto ndryshime janë kundërshtuar nga krerët e disa prej degëve më të mëdha. Ju si i shihni këto qëndrime, a janë të nevojshme?

Mendoj se duhet të organizohemi në raport edhe me kundërshtarët tanë politik. Degët humbëse dhe me problem duhet të riorganizohen me shpejtësi. Një pjesë e kryetarëve mendoj se duhet të vetëlargohen, aty ka pasur rënie të rezultateve, me qëllim që të bashkojmë forcat, të lëmë inatet personale, PD-ja ka nevojë për të gjithë dhe duhet sipas vlerave dhe kontributeve të ketë vend për të gjithë. Kryetari Basha duhet të lëviz më shumë në bazë për t’u njohur me problematikat.

PS-ja ka hedhur idenë për zgjedhjen e Drejtorit të ri të RTSH-së. Zhvillimi me tre raunde me shumicë të cilësuar. Dhe dy raunde për zgjedhjen e drejtorit me shumicë të thjeshtë. Sipas këtij propozimi, nëse drejtori nuk zgjidhet me 5 raunde, Këshilli Drejtues i RTSH-së shpërndahet. Si pjesë i Komisionit të Mjeteve të Informimit, a do ta mbështesni këtë ide?

Zgjedhja e drejtorit të ri të RTSH-së duhet të bëhet në respekt të plotë me ligjin. Ligj, i cili është votuar me konsensus të plotë të forcave politike. Ky ligj nuk mundëson kontrollin politik të këtij institucioni publik. Unë mbështes çdo zgjedhje në krye të RTSH-së, të një profesionisti pa lidhje me politikën. Ramës dhe ndonjë deputeti me interesa në këtë fushë nuk u intereson, ndaj duan me doemos që RTSH-në ta kthejnë në strehë për militantët.

SHKARKO APP