Bashkia e Tiranës: Në territorin tonë s’ka rrugë me emrin “Edi Rama”
“Duke u nisur nga një informacion që po qarkullon së fundmi në rrjetet sociale dhe i botuar në disa faqe online, Bashkia e Tiranës kërkon të sqarojë opinionin publik se në territorin e saj nuk ekziston asnjë rrugë, e cila të mbajë emrin “Edi Rama”.
Me një deklaratë të tillë, institucioni i bashkisë së kryeqytetit ka sqaruar situatëb e krijuar pas publikimit të një lajmi të tillë të rremë.
“Sipas ligjit, emrat e rrugëve të qytetit vendosen ose ndryshojnë vetëm me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Bashkia e Tiranës bën me dije se në asnjë mbledhje të Këshillit Bashkiak të Tiranës apo të këshillave të ish-komunave, të cilat tashmë janë pjesë e bashkisë së Tiranës, nuk ka shqyrtuar e as ka patur në plan ndonjëherë për të shqyrtuar një vendim të tillë. Çdo informacion tjetër për këtë çështje është i rremë apo nga burime të pasakta e të pavërteta”, citon gjithashtu Bashkia e Tiranës.