Bashkia e Tiranës nënshkruan marrëveshje për zhvillimin e ekonomisë qarkulluese në bashkëpunim me BE-në

Bashkia Tiranë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me URBACT, program i financuar nga Bashkimi Evropian. Bashkë me qytete të tjera europiane, ata kanë nisur një nismë për të promovuar zhvendosjen drejt një qyteti me ekonomi qarkulluese. Qytetet kanë mundësi të mësojnë nga përvojat e njëri-tjetrit dhe të ndajnë ide rreth iniciativave dhe strategjive afatgjata në nivel europian dhe lokal.

Projekti fitues “LET’S GO CIRCULAR” synon të sjellë qytetarë, biznese dhe shoqata në një tavolinë të përbashkët për të zhvilluar strategji dhe projekte që promovojnë ekonominë qarkulluese në qytetin e Tiranës.

Gjatë muajve nëntor 2023 dhe shkurt 2024 janë zhvilluar takime me partnerët lokal për të diskutuar vijueshmërinë e projektit. Këto takime konsistuan në një prezantim të përgjithshëm të projektit dhe hapat që do të merren për realizimin e tij.

Më datë 29.03.2024, në galerinë “Zenit” u zhvillua takimi i tretë me Urbact Local Group, ku u diskutua për përcaktimin e qartë të vizionit dhe objektivave për Planin e Veprimit për Ekonominë Qarkulluese. Plani parashikohet të përfundojë brenda vitit 2025 dhe do të përqendrohet në minimizimin e paketimeve plastike dhe organizimin e eventeve të gjelbra.

Gjatë fazës së implementimit të projektit, do të vërehet realizueshmëria e objektivave të përcaktuara. Projekti “Let’s Go Circular” do të vazhdojë me takime të tjera midis partnerëve lokal dhe ndërkombëtarë, duke krijuar ura bashkëpunimi dhe duke promovuar kalimin nga ekonomia lineare në atë qarkulluese.

SHKARKO APP